FESTA NË FAMILJE

Aug 20 • Familja

PAPA FRANÇESKU

 

Sot po e fillojmë një itinerar të vogël reflektimesh mbi tri përmasa, që dalin, siç thuhet, nga ritmi i jetës familjare: festa, puna, lutja.

Sot do të flasim për festën. Të themi menjëherë se festa është një shpikje e Hyjit. Të kujtojmë çfarë thotë përfundimi i tregimit mbi krijimit. Në librin e Zanafillës kemi dëgjuar: “Të shtatën ditë Hyji e kreu punën e vet që e kishte bërë. Të shtatën ditë pushoi nga çdo ditë që kishte bërë. Hyji e bekoi të shtatën ditë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë kishte pushuar prej çdo punë që Hyji kishte bërë duke krijuar.” (Zan 2, 2-3). Vetë Hyji na mëson për rëndësinë që duhet kushtuar kohës për soditje dhe për të shijuar atë që është bërë mirë gjatë punës. Flas për punën, jo vetëm në kuptimin e zanatit dhe të profesionit, por në kuptimin më të gjerë: për çdo aksion që, ne, burra e gra, mund të bashkëpunojmë në veprën krijuese të Hyjit.

Pra, festa nuk është përtaci, shkrehje e gjymtyrëve mbi një poltronë, apo një dalldisi arratisje nga e përditshmja,  jo, festa është, sidomos, një vështrim plot dashuri e mirënjohje mbi punën e bërë mirë; festojmë për punën! Edhe ju, bashkëshortë të rinj, po kremtoni punën e kohës së bukur të fejesës: e kjo është bukuri! Është kohë për të ledhatuar fëmijët e nipërit, që hedhin shtat, është kohë për të thënë me vete: sa bukur! Kohë për t’i hedhur një sy shtëpisë sonë, miqve që i ftojmë, bashkësisë që na rrethon, është kohë për të thënë: “Ah! Sa punë e bukur!”. Hyji e ka bërë të njëjtën gjë kur e ka krijuar botën dhe vazhdimisht bënë kështu, sepse Hyji krijon përherë, edhe ë këto çaste!

Mund të ndodh që festa të bjerë edhe në rrethana të vështira dhe të dhimbshme, e mbase të kremtohej me probleme të mëdha. Por edhe në këto çaste, duhet t’i lutemi Zoti të mos na e zbrazë krejtësisht. Ju nëna dhe etër e dini mirë këtë: sa herë, për dashurinë e bijve tuaj, jeni të aftë të tejkaloni pakënaqësitë, që ata të mund ta jetojnë mirë festën, ta shijojnë kuptimin e mirë të jetës! Në këtë vepër ka shumë dashuri!

Edhe në ambiente pune, shpesh – pa munguar detyra – ne dimë të “infiltrojmë” ndonjë shkëndijë feste, kur bie një ditëlindje, një martesë, një lindje e re, gjithashtu çaste të lamtumirës dhe një ardhje e re…, kjo është shumë e rëndësishme. Pra, është e rëndësishme të bëjmë festë. Janë çaste familjariteti në ingranazhin e makinës prodhuese. Prandaj, festa na bën mirë!

Por koha e vërtetë e festës është shkëputje nga puna profesionale, kohë e shenjtë, sepse i kujton burrit e gruas se u krijuan sipas shëmbëlltyrës së Zotit, i cili nuk është skllav i punës, por Zotëri i saj, e kështu edhe ne nuk duhet të pranojmë kurrë të jemi skllevër të punës, por “zotërinj”. Është një urdhër për këtë, një urdhër që na përket të gjithëve, pa e përjashtuar askënd! Edhe pse e dimë mirë që në botë miliona burra, gra, e deri fëmijë, janë skllevër të punës! Në kohët tona ka skllevër, janë të shfrytëzuar, skllevër në punë, e kjo i bie kundër Zotit e kundër dinjitetit të njeriut! Mania për fitim ekonomik dhe efiçentizmi i teknikës sjellin rrezik në ritmin e jetës njerëzore, pasi jeta ka ritmet e veta njerëzore. Koha e pushimit, posaçërisht pushimi i të dielës, është bërë për ne, për t’u kënaqur me të, e cila s’mund të prodhohet dhe s’mund të konsumohet, s’mund të blihet e as s’mund të shitet. E ndërkaq shikojmë se ideologjia e fitimit dhe e konsumit bën çmos të na e hajë edhe festën: ta kthejë edhe atë në “afarizëm”, në ditë kur fitohen para, për t’i shpenzuar sakaq. Thua se punojmë vetëm për këtë? Lakmia e konsumimit, me pasojë shkapërderdhjen, është një virus i keq që, ndërmjet tjerash, na bën, në fund, ta ndjemë veten edhe më të lodhur se ishin më parë. Dëmton punën e vërtetë dhe e bren jetën. Ritmet e çrregullta të festës shpesh përfundojnë me viktima, sidomos ndërmjet të rinjve.

Së fundmi, koha e festës është e shenjtë, sepse aty banon Zoti në një mënyrë të veçantë. Eukaristia e të dielës sjell në festë krejt hirin e Jezu Krishtit: praninë e tij, dashurinë e tij, sakrificën e tij, dhuratën e tij të të bërit bashkësi, ndejën e tij me ne… Kështu çdo realitet i jetës e fiton kuptimin e vet të plotë, si: puna, familja, gëzimi e mundi i përditshëm, vuajtja dhe vdekja gjithashtu. E gjithë kjo shndërrohet nga hiri i Krishtit.

Familja është e pajisur me një aftësi të jashtëzakonshme për të kuptuar, për të drejtuar e për të mbrojtur vlerën e vërtetë të kohës së festës. E sa të bukura janë festat në gjirin e familjes. Mrekullisht të këndshme. E posaçërisht të dielave. Nuk është e rastit që festat, në të cilat ka vend për gjithë familjen, të kënaqin më shumë.

Vetë jeta e familjes, e shikuar me sytë e fesë, na shfaqet më e mirë se mundi që na kushton. Na duket si një kryevepër e thjeshtësisë, e bukur sepse nuk është artificiale, jo e rremë, por e aftë për të inkorporuar në vetvete të gjitha aspektet e një jetë të vërtetë. Na shfaqet si një gjë “shumë e bukur”, sikur që e tha Hyji në fund të krijimit të burrit dhe gruas (khs. Zan 1, 31). Pra, festa është dhuratë e çmuar e Hyjit: dhuratë që Hyji ia bëri familjes së vet njerëzore. Mos ta shkatërrojmë!

(Teksti i plotë nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 12 gusht 2015.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »