ÇKA ËSHTË TOLERANCA?

Aug 21 • Res socialis

Shkruan: Kardinali Carlo Maria Martini

Është një gjë shumë e nevojshme, por jo edhe aq emocionuese. Është e nevojshme për të jetuar në paqe në një shoqëri pluraliste, në të cilën takohen ide dhe konceptime të ndryshme dhe është e nevojshme për të pasur një kod minimal mbi të cilin gjendet kuptim i përbashkët për të punuar dhe jetuar së bashku, ndërkohë, duke i lënë secilit lirinë e vetë. Toleranca është një gjë pak emocionuese për faktin se ndjell idenë e durimit për të jetuar afër njëri-tjetrit pa një dashuri dhe pranim të thellë. Toleranca kuptohet si rrugëdalje nga konfliktet religjioze dhe ideologjike të kohërave të kaluara. Me shumë vështirësi shihet mundësia për të parë diçka më shumë se një platformë mbi të cilën mundë të ndërtohet një mirëkuptim i ndërsjellët, një pranim i sinqertë i tjetrit, një gëzim i konfrontimit, një dëshirë për të kërkuar së bashku diçka që shkon mirë përtej asaj që thotë fjala “tolerancë”.

Shpallja e parë historike e një “Akti të tolerancës” është ajo e kolonisë katolike të Maryland (1649), që më vonë gjeti edhe njohjen zyrtare në kushtetutën federale të Shteteve të Bashkuara. Pra duhet pranuar që parimi i tolerancës të diversitetit religjioz dhe ideologjik qëndron në rrënjët e demokracisë moderne dhe çdo formë “intolerance” duhet ndaluar nga bashkëjetesa shoqërore dhe nga shoqëria. Njëra ndër format më djallëzore të intolerancës ishte ajo që plasi kundër hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore në Europë dhe që çoi në Holokaust. Për fat të keq edhe sot e kësaj dite ekzistojnë në botë shumë forma të intolerancës politike dhe religjioze e shumë shkelje të lirisë së ndërgjegjes.

Por kjo nuk pengon që toleranca të mos mjaftoi për një zhvillim të mirë në shoqëri. Kombet europiane janë më të respektueshmet ndaj dallimeve, por kjo nuk domethënë se kanë vitalitet dhe entuziazëm dhe se janë të afta të mendojnë me guxim të ardhmen. Duket se është në rritje indiferenca, ankthi dhe frika për të jetuar. Humbja e pasionit për të vërtetën dalëngadalë demoralizon shpirtin dhe shkatërron jetën.

Është pra e nevojshme që toleranca të udhëhiqet nga dashuria, nga pranimi, nga pasioni dhe nga shija për të vërtetën. Kryevepra e njeriut modern do të ishte ajo e një personalitetit të hapur, të lirë, të sinqertë, pranues dhe të aftë për entuziazëm dhe përkushtim për ideale të larta. Kjo është korniza e jetës që nxjerr nga lumturitë ungjillore, nga predikimi i Krishtit në mal dhe nga shëmbëlltyrat e Tija.

(Marrë nga libri i Kardinalit: Cambiare il cuore. Përktheu: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »