SHËN FLORI DHE SHËN LAURI: BESA E MARTIRËVE SHQIPTARË PËR KRISHTIN

Aug 21 • Kisha në Kosovë

Me datën 18 Gusht 2015, në fshatin Grazhdanik, filial i famullisë së Prizrenit, u kremtua festa e martirëve shqiptarë Shën Florit dhe Shën Laurit, në kishën e cila iu dedikohet pikërisht këtyre dy shenjtoreve.

Kjo ditë feste u shënua me një solemnitet dhe përshpirtëri të veçantë nga besimtarët e vendit dhe ata të ardhur nga famullitë e tjera të Dioqezit.

Meshës i priu Dr. Don Lush Gjergji, vikar gjeneral i Ipeshkvisë, në bashkëmeshim me disa meshtarë të ipeshkvisë sonë. Don Lush Gjergji i ftoi në lutje të gjithë besimtarët, në mënyrë që jeta, vepra dhe shembulli i martirëve shqiptarë, të jenë më të njohur dhe të imitohen edhe sot në dëshminë e fesë dhe të besës ndaj Zotit. Ai foli po ashtu për historikun e jetës së këtyre martirëve të lashtë iliro-shqiptar që ishin vëllezër binjakë. Flori dhe Lauri me profesion ishin gurgdhendës, që sot mund t’i quanim skulptorë dhe kishin talent të veçantë në këtë fushë arti. Ata nuk patën frikë të humbnin pasurinë, famën, mundësitë e mëdha që kishin në atë kohë për zhvillim, vetëm e vetëm që ta adhuronin Zotin e gjallë Jezu Krishtin e jo hyjnitë pagane, prandaj, për dashuri ndaj Zotit qenë hedhur në një humnerë, dhe atje, së bashku me shumë të krishterë, ia dorëzuan Zotit shpirtin, jo duke qarë dhe të dëshpëruar por duke i lartësuar lutje dhe himne gëzimi Zotit.

Don Shan Zefi, kancelar i ipeshkvisë dhe njëkohësisht famullitar i Prizrenit, falënderoi Don Lushin, meshtarët për bashkëmeshim, motrat dhe korin për liturgji, si dhe besimtarët për pjesëmarrje. Ai po ashtu ua uroi festën e familjes gjithë atyre që e festojnë, dhe gjithë atyre që mbartin e emrin e këtyre shenjtërve të mëdhenj shqiptar.

(M. Lindita)

2

3

Shpërndaje

Comments are closed.

« »