JEZUSI: FJALA E JETËS SË PASOSUR!

Aug 22 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXI gjatë vitit (B)

Leximi parë Joz 24,1-2.15-17.18 

Lexim prej Librit të Jozuehut

Në ato ditë, Jozuehu i bashkoi të gjitha fiset e Izraelit në Sikem, dhe i grishi pleqtë, gjyqtarët dhe udhëheqësit. Këta qëndruan në praninë e Hyjit. Atëherë Jozuehu iu drejtua mbarë popullit: “Kështu thotë Zoti, Hyji i Izraelit: Dikur, moti, etërit tuaj, Tarehu, baba i Abrahamit e i Nahorit, jetonin përtej Lumit dhe u shërbenin hyjnive të huaja. Në qoftë se u duket punë e ligë që t’i shërbeni Zotit, zgjidhni ju sot se kujt doni t’i shërbeni: zotave të cilëve u shërbyen të parët tuaj në Mesopotami, apo zotave të amorrenjve, në tokën e të cilëve banoni. Sa për mua e për shtëpinë time, ne do t’i shërbejmë Zotit!”

Populli u përgjigj: “Zoti mos e thashtë që ta lëmë Atë e t’u shërbejmë zotave të huaj! Zoti, Hyji ynë, Ai na nxori ne dhe etërit tanë nga toka e Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërimit. Ndër sy tanë bëri shenja mrekullisht të mëdha, dhe na ruajti në çdo udhë nga kaluam dhe në mes të gjithë popujve, ndër të cilët kaluam. Mandej, Zoti i dëboi para nesh të gjithë këta popuj, posaçërisht amorrenjtë, banorët e këtij vendi, në të cilin hymë ne. Pra, edhe ne do t’i shërbejmë Zotit, sepse Ai është Hyji ynë!”                                 

Fjala e Zotit

 

Psalmi 34

Ref. Zoti është afër atij që i shërben

————————————————————-

Përherë do ta bekoj Zotin,

në gojën time përherë është lavdi i tij.

Shpirti im mburret në Zotin:

le të dëgjojnë të përvujtët e le të gëzohen.

————————————————————-

Sytë e Zotit këqyrin të drejtët,

veshët e tij ua dëgjojnë ofshamat.

Fytyra e Zotit është kundër bakëqijve

për ta zhdukur prej dheut kujtimin e tyre.

————————————————————–

Klithin të drejtët, Zoti i dëgjon,

i liron prej të gjitha vështirësive të tyre.

Zoti është ngjat atyre që pendohen me zemër,

i shpëton shpirtpërgrirët.

————————————————————–

Sado të vështira të ketë i drejti,

prej të gjithave do ta shpëtojë Zoti.

Zoti i ruan eshtrat e tyre:

asnjë prej tyre nuk do t’u thyhet.

—————————————————————

E keqja e vet do ta vrasë bëkeqin,

e do ta paguajnë ata që e urrejnë të drejtin.

Zoti e shpaguan shpirtin e shërbëtorëve të vet,

nuk do të ndëshkohen ata që shpresojnë në të.

—————————————————————-

 

Leximi dytë Ef 5,21-32

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, nënshtrohuni njëri-tjetrit në frikën e Krishtit! Gratë le t’u binden burrave të vet sikurse Zotit. Sepse burri është kryet e gruas sikurse edhe Krishti është kryet e Kishës, Ai Shëlbuesi i Trupit. Pra, sikurse Kisha i nënshtrohet Krishtit, ashtu edhe gratë le t’u binden burrave të vet në gjithçka. Ju, o burra, doni gratë tuaja sikurse Krishti e ka dashur Kishën dhe e ka flijuar vetveten për të, për ta bërë të shenjtë duke e pastruar me lamje dhe me fjalë, që ta bënte gati për vete një Kishë të lavdishme, të panjollë, të parrudhë, pa ndonjë send si këto, të jetë e shenjtë dhe e patëmetë. Në këtë mënyrë duhet që edhe burrat t’i duan gratë e veta, porsi trupin e vet. Kush e do gruan e vet, do vetveten. Sepse askurrë askush nuk e urren trupin e vet, por e ushqen dhe kujdeset për të, porsi Krishti për Kishën. Sepse jemi gjymtyrët e Trupit të tij. ‘Për këtë arsye njeriu do ta lërë babën dhe nënën e do të jetojë bashkë me gruan e vet e të dy do të bëhen një trup i vetëm.’ Ky është mister i madh: e kam fjalën për lidhjen e Krishtit me Kishën.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Fjalët e tua, o Zot, janë shpirt dhe jetë;

ti ke fjalët e jetës së pasosur.

Aleluja!

 

+ Ungjilli Gjn 6, 60-69

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë, shumë prej nxënësve të tij, kur i dëgjuan këto fjalë, thanë: “I pakuptueshëm është ky mësim! Kush mund ta dëgjojë?”  Kur Jezusi e hetoi se nxënësit e tij po nynykatnin lidhur me këtë mësim, u tha: “A po ju shkandullon kjo gjë? E po ta shihnit Birin e njeriut duke u ngritur atje ku ishte më parë? Shpirti është ai që jep jetën, korpi nuk vlen asgjë. Fjalët që unë ju thashë, janë shpirt dhe janë jetë. Por, janë disa ndër ju, që nuk besojnë.” Sepse Jezusi e dinte qysh në fillim cilët ishin ata që nuk besonin dhe cili është ai që do ta tradhtonte. Dhe shtoi: “Prandaj edhe ju thashë se askush s’mund të vijë tek unë, po qe se nuk iu dhurua nga Ati.” Qysh atëherë shumë prej nxënësve të tij u shmangën dhe nuk shkuan më me të. Atëherë Jezusi i pyeti edhe të dymbëdhjetët: “A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?” Simon Pjetri i përgjigj: “Te kush të shkojmë, Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”    

Fjala e Zotit

POROSIA

“A mos doni të shkoni ndoshta edhe ju?”, i pyet Jezusi nxënësit e vet, sepse shumë nga ata që e dëgjuan Jezusin që fliste për Korpin dhe Gjakun e vet, si ushqim dhe pije shpirtërore u larguan sepse nuk e kuptuan!

Por, Pjetri, në emër të apostujve dhe të Kishës, u përgjigj: “Te kush të shkojmë Zotëri? Ti ke fjalët e jetës së pasosur! Ne besojmë dhe e dimë se ti je Shenjti i Hyjit!”

Kështu përfundon Ungjilli i sotshëm e që fillimin e kishte para disa jave radhazi kur Krishti na flet për Korpin dhe Gjakun e vet si shpëtim për ne.

Ishte ky një mësim i pakuptueshëm për shumëkënd që e dëgjonin. Jezu Krishti nuk imponohet me mësimet e veta, por flet dhe pret sikurse fara që hedhet në tokë dhe rritet pa e ditur e pa e vërejtur bujku.

Jezusi, në këtë rast, i lenë të lirë njerëzit, lenë të zgjedhin vet, duan të qëndrojnë me të apo jo?

Nder ta, ishin shumë- kishte edhe nxënës të Jezusit, por jo apostujt. Apostujt edhe pse nuk e kuptonin, ata besonin në Jezusin sepse deri në atë moment nuk janë zhgënjyer për asgjë dhe tani prapë besojnë dhe e dinë që nuk do të zhgënjehen. Është edhe një arsye që apostujt qëndrojnë me Jezusin, ata nuk kanë më ku të kthehen, kanë rrënuar të gjitha urat pas vetit, krejt shpresën e kanë në Jezusin, ata jetën e vet e kanë lidhur me Të. Për këtë Pjetri thotë: “Ku të shkojmë?” Ose s’kemi ku të shkojmë, ne besojmë në Ty, ne shpresojmë në Ty….!

Jezusi edhe pse nuk e kuptojnë nuk e ndërron mësimin dhe nuk i zbut qëndrimet e veta, është kategorik në atë që thotë dhe kjo është argumenti më i fuqishëm i fesë.

Sot ka njerëz që do të ndërronin ungjillin dhe do ta përshtatnin me kohen në të cilën jetojnë.

Por, mësimi ungjillor, sikurse në kohën e Krishtit, edhe sot e derisa të jetë bota, do të mbetet i pandryshueshëm dhe bindes në atë që predikohet.

Neve, sot, dhe gjithë jetën, na pyet Jezusi: a mos doni edhe ju të shkoni, të hapim shtigje të reja, rrugë të reja, qëllime dhe veprime të reja, por nuk kemi ku të shkojmë përveç se në bjerrje, shkatërrim dhe robërim nga mëkati dhe e keqja. Edhe pse Jezusi na lenë të lirë. duam apo nuk duam të përvetësojmë Fjalën e Tij, ne duhet ta pranojmë dhe ta praktikojmë fenë në Fjalën që dëgjojmë dhe Sakramentin e Kungimit që marrim duke u bashkuar e duke jetuar me Krishtin.

Kështu pra, përdigjja e Pjetrit na frymëzon të kuptojmë që pa Krishtin nuk ka jetë, nuk ka ardhmëri shpirtërore, nuk ka vlera shpirtërore.

Shtrohet pyetja sa ne besojmë në Jezusin dhe çfarë është ky besim, kjo shpresë në Të?

A është Jezusi Fjala e amshuar, a është Jezusi Bukë e gjallë që na ripërtëritë në jetë?

Si zhvillohet jeta jonë e përditshme, dhe si veprojmë në rrethana të ndryshme të jetës.

Jezusi nuk zhgënjen, Jezusi nuk na lenë vetëm, ta kërkojmë dhe ta gjejmë në Shkrimin shenjtë, e mbi të gjitha ta takojmë dhe pranojmë në Kungimin shenjtë që të bashkuar me Të këtu si udhëtar dhe një ditë përfundimisht në Mbretërinë e Tij, në gëzimet e përjetshme.

Prandaj, darka e mbrame dhe e lamtumirës me apostuj; dasma në Kanë të Galilesë, edhe sot bashkimi në Kishë, është i njëjtë rreth i Jezusit- Bukë e gjallë që zbriti prej qiellit për shëlbimin tonë.

Prandaj, ne, nuk kemi mësues tjetër; nuk kemi alternativë më të mirë se sa të qëndrojmë dhe jetojmë së bashku me Jezu Krishtin. Amen.

LUTJET E BESIMTARËVE

T’ ia drejtojmë lutjet tona Hyjit, burimit të jetës dhe gëzimit, që gjithmonë të na ripërtëritë me Shpirtin shenjtë në shtegun e jetës duke thënë:

 Dëgjoje o Zot, lutjen tonë

– Ruaje Kishën tënde o Hyj në krye me papën, ipeshkëvinë tonë, meshtarët, rregulltarët dhe rregulltaret dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Ungjillit që të të frymëzuar nga Shpirt yt, të jetojnë në hirin dhe dashurinë tënde, të lutemi:

– Shndriti njerëzit që me përgjegjësi t’ i kryejnë obligimet që kanë për të mirën e familjes dhe shoqërisë, të lutemi:

– Jepu të gjithë njerëzve shpirtin e mëshirës dhe të dashurisë që të shprehin lavdinë tënde në falje dhe bashkëpunim me Ty e në mes vete, të lutemi:

– Bekoj të gjithë burrat dhe gratë që bashkëshortësinë ta thellojnë në bashkëpunim dhe jetë të ndershme, të lutemi:

– Na frymëzo dhe ndihmo edhe neve këtu të bashkuar që t’ i qëndrojmë besnik fjalës sate që e dëgjojmë duke përparuar në vepra të mira, të lutemi:

– Për mëshirën tënde, pranojë në amshim të dashurit tanë, të lutemi:

O Hyj i gjithëpushtetshëm, dëgjoj lutjet e bashkësisë sate këtu të pranishme dhe me hirin tënd na del në ndihmë që të gjithë njerëzve tua dëshmojmë gëzimin  e jetës që vjen nga Ti, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen. 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »