CILA ËSHTË RËNDËSIA E HISTORISË?

Aug 25 • Këndvështrime

Shkruan: Kardinal Carlo Maria Martini

Historia është bashkimi i ngjarjeve, autor themelor i të cilave është njeriu. Ky bashkim i ngjarjeve, ka një kuptim. Këtu, kemi konceptin biblik të historisë, që më pas ka kaluar në kulturën europiane, duke tejkaluar atë të “përshkrimit të ngjarjeve”, që është e përbashkët në të gjitha shoqëritë e mëdha antike. 

Leximi i Biblës, edukon në këtë interpretim të kuptimit të ngjarjeve. Librat “historik”, përbëjnë pjesën e madhe të librave të shenjtë. Përshkruajnë ngjarje të kaluara, duke treguar sesi në to Hyji shfaqë dashurinë e tij për njeriun dhe zbulon planin e tij shëlbimprures. Është fjala, pra, për një vizion të besueshëm të ngjarjeve njerëzore, që pikërisht për këtë lejon të jetë shumë realist dhe të përshkruajë të gjitha gjërat e neveritshme dhe mizoritë që ndodhin në botë.
Secili prej nesh, në udhëtimin e jetës së vetë, ndërton vizionin e tij të historisë, në sa mundohet të lexojë kuptimin e asaj që i ka ndodhur, të asaj që mendon të ketë arritur dhe të asaj që i vjen keq se nuk ia ka arritur. Ky lexim, bëhet në kuadër të ngjarjeve politike e shoqërore që kanë prekur dhe prekin ekzistencën tonë dhe në kuadër më të gjerë të historisë të secilit popull.
Kështu që, historia është shumë e nevojshme për zhvillimin dhe konsistencën e ndërgjegjes personale. Kush nuk kultivon këtë kuptim të historisë rrezikon cektësinë apo në të kundërtën pesimizmin dhe depresionin. 

Në jetë, ekzistojnë disa afate, kronologjike dhe eksperimentale, që ndihmojnë në bërjen e këtij leximi të vetvetes dhe të ecjes personale në kuadrin e ecjes të njerëzve tjerë. Këto afate ekzistojnë edhe në jetën e njerëzimit. Për Europën, ka qenë rënia e murit të Berlinit në vitin 1989. Për të krishterët, mundë të jetë afati kronologjik i vitit dymijë, që në vetvete nuk ka një domethënie të veçantë teologjike por që mundë të shërbejë, sikur kur mbushën shtatëdhjetë vite apo data tjera kronologjike, japin rastin për të parë të kaluarën dhe për të bërë një bilanc.
Mahnitë ideja që krishterimi pas dymijëviteve shërbim njerëzimit bënë një bilanc të vetvetes. Edhe pse ideja e “jubileut” të lëshuar nga Papa Gjon Pali II, i referohet përkujtimit të lindjes së Jezu Krishtit, në fund të fundit është edhe ideja e një bilanci të krishterimit në zhvillimin e tij historik, me pranimin e asaj që ka munguar apo është bërë keq, por edhe me falënderimin Hyjit që, pavarësisht nga të gjitha mëkatet tona, ka mbajtur në dorë këtë lëvizje shpirtërore të kthimit të zemrave dhe ka bërë që të shkëlqej, përmes tij, diçka nga fytyra e Jezu Krishtit në historinë e ardhshme.
Mendoj veçanërisht në shenjtërit e njohur dhe të panjohur, martirët e të gjitha kohërave, nga Shën Shtjefni martiri i parë deri te Dietrich Bonhoeffer dhe të Edith Stein. Pikërisht në shenjtërit dhe në martirët, mund të lexohet më mirë ndonjë gjë të atij kuptimi të historisë që në pjesën më të madhe mbetet ende e fshehur në misterin e Hyjit, siç thotë libri i Zbulesës së Shën Gjonit: “Atëherë, unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet as një i denjë ta hapë librin e të shikoj në të. Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha: Mos qaj! Ja, ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës – rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tija” (Vap 5, 4-5). 

(Marrë nga libri i Kardinalit: Cambiare il cuore. Përktheu: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »