KËRKESA ME (PA) VEND
25 gusht 2015 – E martë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
Prania e Hyjit
Kur jam i grishur të rri me mikun,
mezi pres të takohem dhe e ndiej veten se më bëhet nder.
Kur më grish Hyji që ta kaloj një moment në afërsinë e tij,
Ai dëshiron që ta njoh dhe ta ndiej dashurinë e tij.
Me fe dhe shpresë e hap mendjen dhe zemrën para Hyjit,
Dhe e lus që të më ndihmojë që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për dashurinë dhe praninë e tij.
Liria
Duhet të shkëputem nga zhurma; të ngrihem mbi zhurmën;
zhurmën që ndërpret marrëdhënien e lidhur, që ndan.
Duhet t`i kthehem dëgjimit të Hyjit.
Vetëdija
Jetoj në një rrjetë të ndërthurur me marrëdhënie – me lidhje të shumta me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedhë përmes tyre.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa prishur, disa ndërprerë:
Ndoshta për shkak kësaj ndjehem i/e mërzitur, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për hirin e pranimit dhe faljes.
Fjala
Fjala e Zotit na vjen nëpërmjet Shkrimit Shenjt.
Shpirti Shenjt e ndriçoftë mendjen dhe zemrën time që t`i përgjigjem porosisë së ungjillit:
Që t`i dua të afërmit e mi si vetveten dhe që të kujdesem për vëllezërit dhe motrat në Krishtin.
Mt 23, 23-26
23 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, që lani të dhjetën e mendrës, të murajës e të kimit, por lini pas dore atë që është më e rëndësishme në Ligj: drejtësinë, mëshirën e besnikërinë! Këtë është dashur ta bëni e nga ajo e para, s’është dashur të hiqni dorë. 24 Udhëheqës të verbër! Ju shtrydhni mushkonjën e kapërdini gamilen!
25 Vaj për ju, skribë e farisenj, shtiracakë, sepse pastroni anën e jashtme të gotës e të enës, ndërsa përbrenda janë plot rrëmbime e papërkormëri! 26 Farise i verbër! Pastroje më parë brendinë e gotës, që edhe përjashta të jetë e pastër!
Ç`po dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Jezusi i ka ruajtur disa nga kritikat e tija më të ashpra për ata që vendosin barrë të rënda mbi të tjerët. Skribët dhe farisenjtë, në zellin e tyre të gabuar për t`i mbajtur shkronjat e ligjit, i kishin lënë krejt pas dore dy urdhërimet e mëdha mbi të cilat i gjithë ligji mbështetej–për ta dashur Zotin, Hyjin tonë me gjithë zemër, shpirt dhe mendje, dhe për ta dashur të afërmin si vetveten.
– E imagjinoj veten duke qëndruar në mesin e farisenjve, ndërsa Jezusi e liron zemërimin e vet ndaj tyre. A ka ndonjë fjalë këtu që më bën të ndjehem pavolitshëm? A mos u kam vënë kërkesa të pa arsyeshme të tjerëve, kurse unë vetë jam larg prej tyre?
Bashkëbisedimi
O Zot i dashur, ji pranë meje gjithmonë.
Ma jep një zemër e cila gjithmonë do të të besojë.
Faleminderit që më do.
Përfundimi
Të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto momente vetëm me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.
« JEZUSI E VLERËSON TË PADUKSHMEN CILA ËSHTË RËNDËSIA E HISTORISË? »