KTHIMI TE BËRTHAMA, NË FRYMËN (NEO)EUROPIANE

Aug 26 • Recension

(Ndue Ukaj, Arka e shpëtimit, poezi, Drita, Prizren 2012)

 

Shkruan: Anton Gojçaj

1. Në gjithë poezinë e vet, nga mikro deri te makrostruktura, diku në mënyrë eksplicite e diku implicite, Ukaj e shpreh, me pasionin dhe besimin e një misionari, kujtesën e dashurisë. Ajo është “spiritus movens” i kësaj poezie. Zymtësia dhe ftohtësia që dalin prej këtyre vargjeve, sikur janë pikërisht pjellë e shkëputjes së lidhjes së njeriut bashkëkohor me rrënjët e veta dhe e humbjes së shpirtit dhe vlerave të mirëfillta shpirtërore të një qytetërimi në krizë:

  “Në qytetin e saj asht një katedrale e rrënueme,

   ajo qëndron mes gërmadhave,

   i mungon kori

   dhe kanga “Ave Maria”.”

               (E diela e Laurës)  

Poezia e Ukajt kumton mungesën e pastërtisë morale dhe ekologjike, por edhe mungesën e  muzikës (hyjnore), në botë. Pa marrë para sysh ambientin e akullt, folësi lirik nuk e ka humbur çdo shpresë kur, si në një vegim të matur “epifanie”, shpërthen në vargjet përmbyllëse të poezisë, për mendimin tim, antologjike “E diela e Laurës”: 

   “Ajo ec nëpër rrënojat e Katedrales dhe ndez një qiri, 

E gjujtë e bukur i prekin gurët fort”.

Një ngjarje ose pikëtakim sa delikat aq tektonik, kur gjunjtë e bukur femërorë i prekin “fort” gurët, me ç’rast lirohet një energji transedentale, përtej semantikës së përshkrimit sipërfaqësor, e cila e shpërfill pushtetin e mbarimit dhe premton diçka, qoftë edhe duke mos përmendur asgjë konkrete. Këtu ka elemente që çojnë në përfundimin se Ukaj dashurinë e lidh ngushtësisht me krishterimin. Kjo bindje përforcohet edhe më tepër nga vargjet e pjesës së pestë të poezisë “Qytetnimi i dashunisë”, që të kujtojnë njëkohësisht “Këngën e të gjitha këngëve” nga Dhiata e Vjetër, por edhe adhurimin që dashurisë i bën në njërën prej letrave të veta, apostulli që pagëzoi paganët, shën Pali:

  “Dashunia asht e dhimbshme

   asht e mëshirshme dashunia

   pasqyra e vërtetës së amshuar

   e ban luftë të papashme me smirën

   heshtazi ban luftë me pabesitë

   me gjitha fronet e shumta që i dalin përballë

   dhe harmonishëm bashkëndien

   me shpresën që e mban nën sqetulla.

   Dashuria nuk krenohet

   edhe kur hijet e zeza

   sulen në të.

   Armët i ka të përsosura

   ma shumë se inatet

   dashunia nuk vdes kurrë

   As zemërimin s’e njeh

   Dashunia.”

Mendoj se “arka e shpëtimit” në këtë poezi, pa dashur ta simplifikoj apo ta ngrij në domethënie njëkuptimëshe, para së gjithash është një metaforë për dashurinë. Vetëm dashuria mund ta shpëtojë njerëzimin nga dallgët e një epoke të trazuar çfarë është kjo jona, njësoj siç i shpëtoi Arka e Noes njerëzimin dhe gjallesat e tjera në rrëfimin e njohur biblik.

2. Humbjen e dashurisë, të shpirtërores, e ndiejnë të gjithë, individualisht dhe si komunitet. Kanë humbur siguria, besimi dhe vetëbesimi, orientimi, paqja e brendshme. Mbisundon çekuilibrimi i përgjithshëm dhe mungesa e vizioneve të qarta, për të cilat njerëzit kanë gjthmonë nevojë:

  ” ndodh ndonjëherë mos m’u kuptue

   kufini mes natës e ditës

   as mes t’mirës e t’keqes

   mes t’ drejtës e t’ padrejtës.

   Ndodh ndonjëherë rrugët ngatërrohen

   e në pështjellimin e madh s’ dallohen ngjyrat

   krejt kjo ndodh kur shuhen dritat n’ horizont.”

                         (Kur prishet paqja biblike)

3. Shkrimësia e Ndue Ukajt është produkt i epokës më të re, postkomuniste, i marrëdhënieve gjithnjë e më të mira, më të vetëkuptueshme, të letërsisë shqipe dhe asaj europiane. Ka një kthesë të fortë nga kursi i retorikës dhe simbolikës së theksuar nacionale (“ajo e do poezinë, por s’i lexon përrallat patriotike” thuhet në poezinë me titull “Biografi e saj”), në kërkim të limaneve të reja semantike, duke kuptuar se arti i madh, megjithëse jo domosdoshmërisht mohues i kombëtares, gjendet diku “përtej Itakës”.

Shqetësimet e poetit në kërkim të vet-vetes, në kuptimin e diferencimit të të ekzistuarit të individit në raport me shoqërinë njerëzore, janë reflektime për një tip të caktuar identitar, identitetin personal, si interaksion i unit lexues në raport me shkrimet/mendimet e të tjerëve dhe gjetje e vendit të vet në këtë rrotë marramendëse cirku, që rrotullohet dhe bluan subjekte dhe modele kulturore:

“me vramendje thue i lexojmë librat me u pshtjellë me

  idetë e tjerëve.

  Idetë e tjerëve i përtypim si lopa e ngopun kashtën e

  thatë. Ky asht hidhnimi i të mos qenit vetvetja.”

                        ( Identiteti) 

Jemi në epokën e globalizimit, një fenomen që ka përkrahësit dhe kundërshtarët e vet. Dilemat që kanë të bëjnë me kërkimet për identitetin e vet janë të shumta, sidomos te pjesëtarët e popujve të vegjël. Çdo individ dëshiron ta dijë cili është identiteti i tij i vërtetë. Edhe poezia e Ukajt shtron pyetje të kësaj natyre:

 “dyshimi e trondit,

  ashtu siç tronditet njeriu pas një andrre plot makth

  në dhomën e errët, me identitetin e shartuem.

  Ajo asht e bukur.

  i ngjan një portreti misteresh

  Thyhet tue kërkue përgjigjen e amshueshme

  për pyetjet e përditshme:

  Kush jam unë, unë, a jam unë?

  Apo hija e kohës që difton mbi mue

  Ngjyrat, mallin, dashurinë, përjetësinë

  Dhe humnerën që rri pranë këmbëve t’randa.”

                           (Tue ndie aromën e t’vërtetës)

Janë tri kërkime të identitetit në vargjet e ketij libri: kërkimi i identitetit të artistit/krijuesit/mendimtarit me karakter sa personal aq edhe universal, pastaj kërkimi i identitetit autentik kombëtar dhe kërkimi i identitetit të zbehur europian. Heroi lirik, i dëshpëruar me gjendjen në të tri rrafshet identitare, sikur e ka humbur besimin se diçka mund të ndryshojë për të mirë:

  “Si andrrën tonë për Parajsën e humbun

   përqafojmë identitetin e pemës së shartueme

   frytat e së cilës mbeten pa shije.”

                     (Identiteti)

Fajtore për gjithë këtë kaos e konfuzion është politika e pandershme, e cila po ashtu është larguar nga misioni i saj parësor, lehtësimi i jetës së njerëzve në komunitet. Politika e shpërfytyruar, që nuk njeh kufizime as shenjtëri, aty ku ishte Qyteti i Zotit ka ndërtuar qytetin (qytetërimin) e mjegullës:

   “ku duhma e politikës ka qelb çdo gja

    cicërimën e zogjve e puthjet e dahnorëve.”

                    (Në qytetin e mjegullës)

4. Veçori interesante e penës së Ukajt, që bie në sy, është krijimi i pikturave që flasin, me nënshtresa deskriptivo-alegoriko-meditative, të cilat krijojnë skena të fuqishme metaforike :

  “Asht një grumbull njerëzish

   disa vallëzojnë para një orkestre që lufton me erën

   e në një kënd të qytetit lexohet poezi,

   poetevë ju dridhen duert e fletët ua tund era,

   mbrenda mureve ruhen mistere t’ pashpjegueshme

   Si nëpër kështjella të vjetra:

   dokumenta, armë, shtretën dashnorësh.

   Aty asht nji podium betoni, nuk asht teatër, por ka

   auditorium zhurmën.”

                 (Ora poezisë)   

5. Tradita me të cilën mund të lidhet krijimtaria e Ndues është trashëgimia kulturore europiane. Kjo poezi e meriton epitetin “europiane” në të gjitha nivelet, duke filluar nga disa pika kryesore lidhëse, në radhë të parë referencat që burojnë në shkrimet biblike, pastaj poemat e Homerit dhe “Komedia hyjnore” e Dante Aligierit etj… Është e tillë për shprehjen e vet moderne, për vargun e lirë dhe ritmin e prajshëm plot me dinjitet, për invencionin dhe pasurinë figuracionale, me tentakula të shumta intertekstuale me trashëgiminë letrare europiane, me semantikën shumëdimensionale që, porsi një fontanë, në hapësirën receptive mbjell ide, ndjesi, imazhe, porosi, domethënie të ndryshme. Energjentët kryesorë të kësaj poezie janë humanizmi, dashuria dhe liria. Pjesa më e madhe e librit është ndërtuar mbi arketipat e kulturës klasike europiane dhe kjo atij i jep një koherencë shumë të madhe. Mirëpo, ka edhe poezi që lidhen me vlera shpirtërore dhe historike nacionale, të shqiptarëve, si p.sh: “Tue ndie aromën e t’ vërtetës”, “Kalorësi i qytetnimit” apo edhe “Atit të poezisë”.

Ndue Ukaj me krijimtarinë e vet, po sidomos me librin “Arka e shpëtimit”, çan një shteg të ri në poezinë shqipe, që unë do e quaja – thirrje lirikë për t’iu kthyer bërthamës gjenetike dhe shpirtërore europiane, jo për t’u mbytur në origjinë, por për të marrë një hov të ri, me objektivin: të ndiqen dhe të promovohen me mjetet e artit, modele të reja, më të shëndetshme dhe më të bukura,  kulturore. Gjuha e poezisë, përveç shumëkuptimëshe, është edhe shumëfunksionale. Influencimi i frymës neo-europiane në poezi nuk duhet kuptuar vetëm si zhveshje e lëkurës racore, apo mohim i disa mbishtresimeve të historisë nacionale, por si thirrje e fuqishme për kthimin e vetëdijshëm dhe me bindje të plotë në familjen e vet të natyrshme, me të cilën shqiptarët janë pashkëputshmërisht të lidhur qysh në fëmijërinë e hershme, ndonëse ngapak të mjegullt të këtij qytetërimi të lashtë. Misioni parësor i kësaj poezie megjithatë është stimulimi i kënaqësisë estetike te lexuesi dhe ky është një faktor tjetër, madje vendimtari, që Ukajn e bën përfaqësues të denjë të frymës neo-europiane në letërsinë tonë bashkëkohore. Poezitë si “Vajza që lexonte Komedinë hyjnore”, “E diela e Laurës”, “Darka e fundit”, “Çeta e engjëjve”, “Mesha e Pashkëve”, “Trazimet” dhe shumë të tjera, e vërtetojnë bindshëm këtë tezë.

Libri është shkruar në dialektin verior (gegë) të shqipes.

6. Ka shkrimtarë/artistë që gjithë jetës kërkojnë identitetin e vet si krijues. Megjithëse është ende në moshën më të mirë për të krijuar dhe, në anën tjetër, një krijues gjithë jetës eksploron forma të reja të shprehjes, Ndue Ukaj, te “Arka e shpëtimit”, duket se e ka gjetur stilin e vet, që e bën të veçantë dhe të dallueshëm ndër poetët e brezit të vet në Kosovë, por edhe në mesin e poetëve shqiptarë në përgjithësi..

 


Ndue Ukaj (Stubëll e Epërme – Viti, 1977) është autor i tre librave me poezi: “Ujëvarat e metaforave” 2008 – Tiranë , “Godo nuk vjen” 2010 – SHBA (i përkthyer dhe botuar edhe në gjuhën angleze dhe spanjolle), dhe “Arka e shpëtimit” 2012 – Prizren.

Gjithashtu ka botuar dy libra me studime dhe ese letrare: “Diskursi biblik në letërsinë shqipe” 2004 – Prishtinë dhe “Interpretime letrare” 2010 -SHBA. 

Poezitë dhe esetë e tij janë përkthyer edhe në: anglisht, spanjisht, italisht, rumanisht, finlandisht, suedisht, etj. Ka fituar disa çmime letrare.   

Jeton në Prishtinë dhe Suedi. 

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »