LIBRI AM(Z)Ë I STUBLLËS

Aug 26 • Recension

(Engjëll Kengji, Gjeneza dhe gjenealogjia e Stubllës, Albanisches Institut, St.Galen, 2015)

Shkruan: Sarë Gjergji

Stublla, historia e së cilës gjer më sot është kundruar nga anë e aspekte të ndryshme, nga studiues të huaj e vendës, si: Noel Malcolm, Ger Duijzings, Trovereyriot, Fougeray, J. Çermak, A. Urosevic, A. Nikiq, N. Zutic, R. Rajoviq, Z. Mirdita, Gj. Gjergji, Dh. Shuteriqi, J. Drançolli, Sh. Sejdiu, R. Doçi e qindra studiues të tjerë, së fundmi u bë objekt trajtimi e studimi edhe i Engjëll Kengjit, përndryshe autor i disa veprave.

Libri Gjeneza dhe gjenealogjia e Stubllës e autorit në fjalë, për dallim nga botimet e deritashme mbi Stubllën dhe historinë e saj, dallon për mënyrën e qasjes dhe lëndën që ka marrë në shqyrtim: ngjizjen e Stubllës. Ngjizja, ndërkaq, këtu nuk nënkupton vetëm fillimin e diçkaje të re, gjenezën, por ajo përcillet edhe me një vazhdimësi, e cila kap disa shekuj. Këta shekuj, që ngërthejnë në vete një sërë manifestimesh, autori provon t’i shtjellojë përmes një qasjeje krejt origjinale dhe të veçantë, dhe i vendosur të thotë gjëra të pathëna gjer më tani për Stubllën dhe qytetarët e saj, ose të përmend sa më pak nga ato që tashmë janë publikuar. Ky qëndrim i autorit, por edhe mungesa e burimeve historike për çështje të caktuara që trajtohen në këtë libër, e drejton atë kah një burim tjetër: tek kujtesa e popullit, të cilën autori, me të drejtë, mëton ta ngris në dëshmi dhe fakt, ose, thënë me gjuhën e tij: “…të qiten në letër për dëshmi të sakta”. Kështu do veprojë autori, sidomos, kur është fjala për origjinën e stubllasve, për prejardhjen dhe ngulitjen, vendosjen e tyre në Stubëll, sikundër edhe për fillesën e gjenealogjisë së lagjeve e të familjeve stubllase. Një çështje tjetër që trajton autori Engjëll Kengji, është edhe etimologjia e toponimit Stubëll. Kjo, ndërkaq, do shihet nën dritën e burimeve të ndryshme, bazuar jo vetëm në studimet shqiptare, por edhe ato të huaja. Kjo, gërshetohet edhe me gojëdhënat e popullit, të cilat na përafrojnë me burimet e shkruara.

Në kontekst të kësaj problematike, autori prek edhe mikrotoponominë e Stubllës, ashtu siç e kanë trashëguar nëpër breza qytetarët e saj. Bazuar në këtë mikrotoponomi, autori jep edhe hartën gjeografike të Stubllës; hartën zyrtare (të tanishmen) dhe atë reale (të dikurshmen), të cilën, në fakt, e njohin stubllasit. Harta dëshmon për një tkurrje të territorit të Stubllës nëpër kohë. Pjesa e dytë e librit, trajton gjenealogjinë dhe brezat e stubllasve sipas lagjeve.

Kjo dhe është tema bosht e librit, palca e saj. Historia e prejardhjes së brezave të familjeve stubllase dhe degëzimet e tyre, deri tek qytetari i fundit i Stubllës, u përfshinë në këtë vepër, pas një pune, gjithsesi, jo të lehtë e me një përkujdes të veçantë (përfshirja e emrave të të gjithë qytetarëve e bën këtë libër të dallojë nga libra të tjerë të kësaj natyre). Figura të caktuara, kur e kur përcillen edhe me shënime biografike. Në libër nuk mungojnë as përshkrime e paraqitje historish e ngjarjesh të periudhave të ndryshme historike që kanë të bëjnë me Stubllën. Si të tilla, ato, janë një informacion i mirë edhe për gjendjen socio-kulturore të Stubllës nëpër kohë. Në këtë kontekst, shtrirja e interesimit të autorit në kohë e hapësirë, thënë ndryshe, gërshetimi i kohës dhe i hapësirës, me manifestimet që i kanë karakterizuar ato, i japin veprës një frymë e vlerë të pranueshme për çdo lexues. Kjo vlerë shtohet edhe më, me të dhënat që autori sjell për vendbanime të tjera përreth Stubllës, me të cilat ajo ka ndarë fatin përgjatë gjithë historisë.

Sot kur stubllasit janë të shpërndarë në të gjitha anët e botës, kur aq bukur e dhembshëm i përshtatet (më shumë se kujtdo tjetër) sintagma gjaku i shprishur, vepra Gjeneza dhe gjenealogjia e Stubllës e Engjëll Kengjit, jo vetëm që mundëson këtë gjak të njihet me të kaluarën dhe të tashmen e tij, por, mbi të gjitha, ajo, bëhet pararojë e ruajtjes së këtij gjaku.

Kë libër, që për mendimin tim duhet të konsiderohet dhe është Libri am(z)ë i Stubllës, do marrë një peshë dhe rëndësi edhe më të madhe me kalimin e kohës. Ju faleminderit Engjëll, që na dhuruat këtë vepër kaq të nevojshme për ne e për brazat që do vijnë.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »