ÇKA ËSHTË FEJA?

Aug 28 • Këndvështrime

Shkruan: Kardinal Carlo Maria Martini

 

Aventurë shpirtërore

Sigurisht se feja e krishterë mund të definohet si një aventurë shpirtërore, dhënia e dorës një personi që nuk e njeh mirë, por në të cilin ke besim, dhe i lejon vetes të udhëhiqesh nga ai. 
Nga pikëpamja e arsyes së sigurisë, që gjithmonë dëshiron t’i bëjë kalkulimet më parë, ekziston një farë rreziku në këtë. Është rreziku i atij që beson dhe dëshiron. Në cilën moshë jam vetëdijesuar për këtë? Më duket të ketë qenë mes moshës dhjetë dhe njëmbëdhjetë vjeçare, kur kam filluar të kuptoi se Hyji dëshironte të hynte me të vërtetë në një lidhje personale me mua, që unë mundja t’i flisja si një miku, dhe që ekzistonte mes nesh një miqësi e vërtetë. Në atë kohë, kam filluar të kem kuptimin e “tërësisë” së Hyjit, domethënë, perceptimin se Hyji është Gjithçka dhe mund të kërkoj gjithçka, kushtimin e një personi dhe të krejt ekzistencës së tij.

Kërcim dhe ngritje

Feja, është sikurse një ngjitje në mur, si një ecje e vështirë në bjeshkë. Ekzistojnë momente në të cilat ndodhë një marramendje, një përshtypje se po rrëzohemi apo përshtypja se e kemi humbur rrugën. Mundë të ndodhë që papritmas të hyhet në një mjegull, apo të na përfshijë ndonjë stuhi; nganjëherë mund të gjendemi në ditë të vështira errësire, në të cilat është e vështirë të kuptohet në cilin drejtim jemi duke shkuar. Por, ja që në një moment të caktuar, gjithçka ndryshon, pikërisht si mjegulla e bjeshkëve. E rëndësishme është të mbetemi të qëndrueshëm, të kapur për shkëmbi, në rrugën që çon drejt qëllimit, edhe pse me vështirësi. Sepse natyra e thellë e fesë është të besosh në dikë tjetër. Nga ana tjetër, e njëjta rrënjë e fjalës hebraike «besim» aludon në atë që mbështetët në një shkëmb, në diçka që është e qëndrueshme; në premtimin e atij që ia jep sigurinë se nuk do ta zhgënjej kurrë. Feja është dhuratë, kjo eksperimentohet veçanërisht në ato momente të vështira të jetës; është Hyji ai i cili lejon hyrjen në errësirë dhe pastaj na ndihmon ta gjejmë dritën. 

Dëgjim dhe meditim

Feja është sikur një farëz e vogël që duhet ushqyer vazhdimisht. Ushqimi themelor i fesë ka qenë dhe është, për mua, dëgjimi dhe meditimi i fjalës së Zotit, në një klimë adhurimi, lavdërimi dhe lutjeje. Në mungesë të këtij ushqimi, fara e vogël thahet dhe rrezikon të vdesë.
Edhe sakramentet, posaçërisht Eukaristia, ushqejnë fenë; Eukaristia na vetëdijeson për faktin se vetë Hyji është ushqim dhe pije për ne. Feja, është ecje drejtë një maje që duket gjithmonë larg dhe që do ta arrijmë në plotësi vetëm pas kësaj jete tokësore. Nëse ballafaqohemi me problemet dhe vështirësitë e secilës ditë, kuptojmë sesa e dobët është feja jonë- e thyeshme, ka nevojë që vazhdimisht të ushqehet dhe të mbështete nga lartë.

(Marrë nga libri i Kardinalit: Cambiare il cuore. Përktheu: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »