FEJA E NJËMENDTË KA VENDIN NË ZEMËR, JO NË DOKE …!

Aug 28 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXII gjatë vitit (B)

Leximi i parë (Lp 4,1-2.6-8)

Lexim prej Librit të Ligjit të përtërirë

Moisiu foli dhe tha: “E tani, o Izrael, dëgjo urdhërimet dhe rregulloret që po jua mësoj që, duke i kryer ato, të jetoni dhe të hyni e ta bëni pronë tokën që Zoti, Hyji i etërve tuaj, do t’jua japë. Mos u shtoni asgjë urdhrave që po ju jap dhe mos u mungoni asgjë! Mbani urdhërimet e Zotit, Hyjit tuaj, që po jua jap unë, që t’i mbani e t’i vini në zbatim. Kjo do t’ju bëjë të dijshëm e të urtë në sytë e popujve. Kur t’i kenë dëgjuar të gjitha këto urdhërime, do të thonë: ‘Ja, një popull i dijshëm e i kuptueshëm! Ky qenka popull madhështor!’E njëmend, ku gjendet një popull tjetër aq i madhërueshëm, që t’i ketë hyjnitë e veta kaq afër vetes, sikurse është pranë nesh në të gjitha kërkesat tona Zoti, Hyji ynë?! Dhe, ku ka një popull tjetër kaq të përmendur që të ketë urdhërime e rregullore të drejta, siç është i tërë ky Ligj, që unë sot po e shtroj para syve tuaj?!”

Fjala e Zotit

Psalmi 15

Ref. Ata që e kanë zemrën e pastër

do të banojnë në shtëpinë e Zotit.

——————————————————–

O Zot, e kush do të guxojë

të hyjë në tendën tënde?

Vetëm ai që jeton me nder,

që vepron me drejtësi, e prej zemrës flet të vërtetën.

————————————————————–

Që s’i shpifet kujt me fjalë,

që të afërmin s’e dëmton,

që shokun nuk e çnderon:

ai që bëkeqin e mban për asgjë,

e i çmon ata që e druajnë Zotin.

————————————————————–

Nuk jep të holla me kamatë,

e nuk merr ryshfet kundër të pafajshmit.

Kush vepron kështu

kurrë e për këtë jetë nuk do të luhtet.

————————————————————–

Leximi dytë (Jak 1,17-18.21-22.27)

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull

Vëllezër, çdo dhuratë e mirë dhe çdo dhunti e përsosur është prej së larti, zbret nga Ati i dritës, në të cilin nuk ka ndërrim as hije ndryshimi. Ai na lindi në saje të vullnetit të vet nëpër fjalën e së vërtetës, që ne të jemi një farë fryti të parë të krijesave të tija.  Prandaj, flakni tej çdo ndyrësi dhe çdo të keqe tjetër e me plot butësi pranoni fjalën e mbjellë në ju, e cila është e aftë t’i shpëtojë shpirtrat tuaj.  Bënu zbatues të fjalës, e jo vetëm dëgjues që gënjejnë vetveten. Besimi i pastër dhe i patëmetë para Hyjit Atë është ky: kujdesi për bonjakë dhe për gra të veja në vështirësitë e tyre dhe ruajtja e pastër e vetvetes nga kjo botë.           

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Na e trego, o Zot, udhën tënde, dhe na udhëheq udhës së drejtë.

Aleluja!

 

+ Ungjilli   (Mk 7, 1-8.14-15.21-23)

Lexim i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar të papastra, domethënë të palara. Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të dokeve të të parëve. As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh tryezash. Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin: “Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar të papastra?” Ai u përgjigj: “Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi: ‘Ky popull më nderon me buzë, kurse zemra e tyre është larg meje. I kotë është kulti që më bëjnë, kur mësojnë kinse mësim të Hyjit – rregulloret që i qitën njerëzit.’ Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.” Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetës dhe i tha: “Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut – ajo e bën të papastër. Sepse prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”        

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi parë: Shumë njerëz do të donin t’ i afroheshin Hyjit, dhe të jetonin me të, por, pa kushte dhe pa detyrime të mëdha: të luteshin pak, të bënin ndonjë vepër të mirë, por nëpër rrugë të tilla e të lehta, s’ mund t’ i pëlqesh Atij.

Është vetëm një rrugë, e cila, nuk është e lehtë, por mund të jetohet nëse kemi fe, besim: janë urdhërimet e Hyjit.

Ne, të krishterët, kemi marrë këtë obligim, kur jemi pagëzuar dhe me sakramente tjera më vonë e kemi thelluar atë që kemi pranuar në pagëzim. Me pagëzim, kemi bërë besëlidhje me Zotin. Kemi marrë përgjegjësi që të jetojmë në fe dhe në të vërtetat e saj. Prandaj, t’i mbash urdhërimet, është rruga e vetme që të bashkon me Hyjin.

Një porosi të ngjashme na jep edhe shën Jaku në letrën e vet të leximit të dytë, por, në një formë tjetër, ai na porositë të jemi zbatues dhe jo vetëm dëgjues të Fjalës së Zotit.

Të krishterët, duhet të jenë ata që e dëshmojnë dhe e bëjnë të pranishëm Zotin në saje të veprave të mira dhe jetës në nder e lavd Zotit, duke u angazhuar në jetë të ndershme dhe të përkushtuar në detyrat që kemi para Zotit dhe para familjes.

Në Ungjill, sot, lexojmë për një konflikt verbal në mes të Jezusit dhe farisenjve rreth traditave dhe dokeve të të parëve. Farisenjtë e akuzojnë Jezusin për mosmbajtjen e traditave, por Jezusi iu përgjigj: për arsye të traditave leni ato gjërat elementare e mbi të gjitha urdhërimet e Zotit.

Nuk është i rëndësishëm ushqimi që ngrënët me duar të pastra apo të papastra, por me rendësi është çfarë është brendia e njeriut; çka del nga zemra dhe mendja e tij. Jezusi e përfundon mësimin me këto fjalë:

“Sepse prej brendisë – prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, kurorëthyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenia, marrëzia. Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”

Jezusi, dëshiron të thotë që nuk është e rëndësishme dukja e jashtme, por ajo e brendshme. Atij, nuk i lenë përshtypje duart nëse janë të pastra a jo, sepse nuk është e rëndësishme, por a është zemra e pastër. Zemra dhe brendia jonë na tregon se çfarë jemi në realitet. Duart e pastra që kërkojnë hebrenjtë, mund të jenë të zhytura në mëkate dhe të lara me gjak, janë veprat e pandershme që i bëjnë njerëzit. Nuk ka ujë në botë që mund t’i pastrojë këto duar të tilla. Mund t’i pastrojë vetëm Zoti me sakramentin e rrëfimit.

Ngjarje:

Tregohet se si diku në Gjermani, është një varrë, i cila, nuk ka emër as mbiemër, por në përmendore ka vetëm një drapër. Nga aty mësohet se si një nënë kishte pasur një djalë, por djali kishte qenë shumë i keq, hajn, vrastar dhe ishte dënuar me burg të përjetshëm.

Nëna si nënë, ishte munduar shumë për birin e vet për ta shpëtuar dhe kishte kërkuar e kishte lutur gjyqtaret që ta falnin.

Drejtësia, duhej të kryhej ndershëm dhe ishte e pamundur që të falej njeriu që kishte bërë aq shumë vepra të këqija dhe kishte ra ndesh me ligjin.

Pas konsultimeve të shumta të gjyqtarëve, vendosen kështu: I than gruas, e ke për detyrë që për një ditë të korrë një arë që ishte e mbjell me grurë dhe nëse arrin ta korrësh gjatë një dite do të lirohet djali nga burgu.

Gruaja, si nënë që ka dhembje për birin e vet, edhe pse i keq, mori draprin dhe filloi që në agim të korrë, nuk e humbi asnjë sekondë për të pushuar, por punoi deri në mbrëmje, në vapë të madhe dhe për çudi arriti të pamundurën: e kreu korrjen me sukses, por nga vapa, mundi dhe etja dhe uria vdiq, ndërsa djali u lirua.

Në përmendoren e saj e vendosen draprin që shpëtoi jetën e birit të saj.

Ja se si një nënë flijohet për birin e vet, edhe pse mëkatar dhe i pandershëm.

Ndërsa neve, na shpëton Krishti, me mundimin dhe vdekjen e tij, na shpëton kryqi që i solli fitore botës.

Të besojmë në Krishtin dhe të jetojmë me Krishtin, jo duke i mbajtur traditat që janë të mira gjithsesi, por të jetojmë me bindje fetare si na mëson Zoti; të jetojmë fenë personale, sa unë besoj dhe si besoj? Kjo është e rëndësishme: komunikimi im personal me Zotin.

Ne shpesh herë jemi shumë tradicionalistë, por jo fetar dhe kjo reflektohet shumë në popullin tonë.

Arsyetohemi se i festojmë festat e Kishës, ua bëjmë me dije se jemi fetar e nuk dimë të lutemi dhe nuk marrim pjesë në meshë; lëvdohemi se kemi pasur shumë miq e dashamir për festë, ndizet qiriu i festes e nuk lutet rruzarja, por vetëm bëhet shenja e kryqit dhe fillon festa me ushqim, pije, dehje, fishekzjarr, e përdorim armesh.

Kjo nuk i përket krishterimit dhe nuk ka të bëj asgjë me fe. Të festosh, të praktikosh fenë do të thotë: të lutesh, të rrëfehesh, të bësh vepra të mira. Krejt këto arrihen kur ke dashuri, ke etje, ke uri për Zotin.

Ta pyesim veten sa besoj dhe si besoj?Jam i devotshëm në fe, duke i mbajtur urdhërimet e Zotit dhe duke jetuar i pastër në shpirt apo jetoj jashtë rregullave të Kishës, dhe Ligjeve të Zotit. Nuk është e rëndësishme dukja e jashtme, por brendia jote. Prandaj në saje të zemrës dhe shpirtit tënd dëshmosh se çfarë je.Të jetojmë me Zotin dhe nën hiret e tija. Amen.

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër dhe motra, me lutje të sinqertë t’i drejtohemi Zotit, duke kërkuar që të na jep vullnetin e mirë për t’i kryer urdhërimet e tija, t’ i themi së bashku:

O Atë i shenjtë na shenjtëro!

– Për popullin, Kishën tënde, që të jetë shpallëse e lajmit të gëzueshëm të shëlbimit që vjen nga Ti, të lutemi:

– Për të krishterët, të shpërndarë nëpër botë që asgjë të mos i ndaj nga të vërtetat e fesë, por me besnikëri, të jetojnë në bashkim me ty dhe në mes vete, të lutemi:

– Për të gjithë ata tek të cilët është zbehur besimi në ty dhe janë të mashtruar nga mësimet e rrejshme, që Shpirti yt i shenjtë, t’ i frymëzojë të kthehen dhe të jetojnë në bashkësinë e Kishës, të lutemi:

– Për ne këtu të bashkuar, që me shpirt dhe zemër të jemi të bashkuar me ty dhe të jetojmë prej hireve dhe dashurisë sate, të lutemi:

– Për të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit, që të te kenë një vit të mbarë shkollor dhe të përparojnë në dije dhe t’i ruash nga i keqi dhe e keqja, të lutemi:

– Për të gjithë vëllezërit dhe motrat tona që kanë kaluar nga kjo botë, të gjejnë në ty gjykatësin e mëshirshëm për t’i pranuar në lumturin e pasosur, të lutemi:

O Atë i gjithëpushtetshëm, ti na thërret të kryejmë vullnetin tënd; na dhuro po të lutemi Shpirtin tënd që gjithmonë të ecim rrugës që na e tregoi Biri yt Jezu Krishti, i cili jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »