LUTJA NË FAMILJE

Aug 28 • Familja

PAPA FRANÇESKU

Pasi kemi reflektuar sesi familja e jeton kohën e festës dhe të punës, tani të marrim në shqyrtim kohën e lutjes. Ankesa më e shpeshtë e të krishterëve ka të bëjë me kohën: “Do të duhej të lutem më shumë…; do të doja të lutem, por më mungon koha.” Këtë ankesë  e dëgjojmë në vazhdimësi. Kjo është një keqardhje e çiltër, vërtet, sepse zemra e njeriut e kërkon përherë lutjen, pavetëdijshëm; e kur s’e gjënë, s’ka paqe. E që të mund të gjendet, do të duhej të kultivojmë një dashuri të “zjarrtë” për Hyjin, një dashuri ndijore.  

Mund ta bëjmë një pyetje krejt të thjeshtë. Është e mirë të besojmë në Hyjin me gjithë zemër, është mirë të dimë se do të na ndihmojë në çaste të vështira, është mirë të ndjejmë që duhet ta falënderojmë. Gjitha këto janë të drejta. Por duhet që ta duami Zotin? Mendimi për Hyjin na emocionon, na prek, na zbutë?

Të mendojmë për formulimin e urdhrit më të madh, në të cilin përfshihen të gjithë të tjerët: “Duaje Zotin, Hyjin tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë fuqinë tënde!” (Lp 6, 5; khs. Mt 22, 37). Kjo formulë, e përdorë një gjuhë intensive të dashurisë, duke e derdhur te Hyji. Ja, mbi të gjitha, këtu banon shpirti i lutjes. E nëse banon këtu, banon në vazhdimësi, e nuk del më. Arrijmë ta mendojmë Hyjin si përkëdhelje/ledhatim që na mbanë në jetë, që asgjë nuk ka para saj? Një përkëdhelje, prej së cilës s’mund të na ndajë asgjë, madje as vdekja! Apo e mendojmë vetëm si një Qenie të madhe, të Gjithëpushtetshme që ka bërë çdo gjë, Gjykatës që kontrollon çdo veprim? Natyrisht, krejt kjo është e vërtetë! Porse, vetëm kur Hyji është dashuri (ndijore) e të gjitha dashurive tona, domethënia i këtyre fjalëve e arrin kuptimin e plotë. Atëherë ndihemi të lumtur, madje pak të hutuar, sepse Ai na ka në mendje e, para së gjithash, na do! A nuk është kjo impresiononte? A nuk është impresiononte që Hyji na ledhaton me dashurinë e babait? Kjo është aq e bukur! Hyji, ka mund të na shfaqet për tu njohur si Qenie supreme, të jap urdhrat dhe të pret rezultatet. Por Hyji ka bërë dhe bën pafundësisht më shumë se kaq. Ai na shoqëron në udhën e jetës, na mbron e na do.

Nëse kjo dashuri për Hyjin nuk ndizet flakë, shpirti i lutjes nuk e ngroh kohën. Ne, do të mund të shtojmë fjalët tona “si bëjnë paganët”, thotë Jezusi, ose t’i ekspozojmë ritet tona “siç bëjnë farisenjtë” (khs. Mt 6, 5.7). Një zemër e banuar me dashurinë e Hyjit, bën që edhe mendimi pa fjalë, të bëhet lutje, apo një thirrje pranë një figure të shenjtë, apo një puthje e dërguar në drejtim të kishës. Sa e bukur është, kur nënat i mësojnë fëmijët që të japin një puthje Jezusit dhe Zojës së Bekuar! Ka kaq përkëdhelje këtu! Këto janë çaste kur zemra e fëmijëve shndërrohet në vend lutjeje. Kjo është një dhuratë e Shpirtit Shenjt. Mos të harrojmë të kërkojmë këtë dhuratë për çdonjërin prej nesh. Shpirti i Hyjit e ka mënyrën e vet të veçantë që të thotë në zemrat tona “Abba” – “Atë”, na mëson të themi “Atë”, ashtu siç na ka thënë Jezusi, një mënyrë që kurrë nuk do ta gjejmë vetëm (khs. Gal 4, 6). Këtë dhuratë të Shpirtit, në familje, duhet ta mësojmë ta kërkojmë dhe ta çmojmë. Po e mësuam këtë gjë, me të njëjtin spontanitet që mësohet të thuhet “baba” dhe “nënë”, e ke mësuar përgjithmonë. Kur mësohet kjo, krejt koha e jetës familjare mbështillet me kraharorin e dashurisë së Hyjit, e spontanisht e kërkon kohën e lutjes.

Koha në familje është e ndërlikuar, e ngarkuar, madje e stërngarkuar. Gjithnjë mungon koha, s’na mjafton asnjëherë, sepse ka shumë gjëra për të bërë. Kush ka familje mëson shpejt e shpejt të zgjidhë një ekuacion, të cilin as matematikanët më të mëdhenj nuk dinë ta zgjidhin. Gjatë 24 orëve duhet bërë punë sa për dyfishin e tyre. Ka nëna e etër që do të mund ta fitonin Çmimin Nobel për këtë. Brenda 24 orëve, bëjnë atë, që mund të bëhet në 48. Nuk e di si e bëjnë, por ama e bëjnë. Lëvizin papushim dhe e bëjnë. Ka shumë punë në familje!

Por shpirti i lutjes na e rikthen kohën, që ia kushtojmë Zotit; na bën të dalim nga ankthi i një jete, në të cilën mungon gjithnjë koha; na rikthen paqen e gjërave të nevojshme e na zbulon gëzimin e dhuratave të papritura. Guidë e mirë për këtë janë Marta dhe Maria, për të cilat na flet Ungjilli që e kemi dëgjuar. Ato mësojnë prej Zotit harmonin e ritmit familjar: bukurinë e festës, qetësinë e punës, shpirtin e lutjes. (khs. Lk 10, 38-42). Vizita e Jezusit, që e donin shumë, për to ishte festë. Një ditë Marta e pati kuptuar se puna e mikpritjes, edhe pse e rëndësishme në vetvete, nuk është e tëra, por më e rëndësishme është të dëgjohet Zotëria, ashtu siç bënte Maria, që vërtetë ishte gjëja thelbësore, “pjesa më e mirë” e kohës. Lutja buron nga dëgjimi i Jezusit, nga leximi i Ungjillit. Mos harroni të lexoni, për çdo ditë, nga një pjesë të Ungjillit!

Lutja buron nga besimi/afërsia me fjalën e Zotit. A e kemi këtë afërsi në familjet tona? E kemi Ungjillin në shtëpitë tona? E hapim ndonjëherë? E shfletojmë, për ta lexuar së bashku? E meditojmë, duke thënë, gjithnjë bashkë, Rruzaren? Ungjilli i lexuar e i medituar në familje, është si buka e mirë, që ushqen zemrën e të gjithëve. Në ag e në muzg, kur ulemi në sofër, të mësohemi për ta thënë së bashku një uratë, të thjeshtë, por të dalë nga zemra. Është Jezusi, që vjen mes nesh, ashtu siç shkonte në familjen e Martës, Marisë, Lazrit! Një gjë që e kam për zemre e që e kam parë nëpër qytete: janë disa fëmijë që nuk e kanë mësuar akoma të bëjnë shenjën e kryqit! Po ti nënë, baba, mësoje fëmijën të lutet, të bëjë shenjën e kryqit, sepse kjo është detyrë e nënave dhe etërve.

Në lutjen e familjes, në çastet e forta dhe në atë të vështira, të mbështetmi te njëri-tjetri, që çdonjëri prej nesh të jetë i mbrojtur prej dashurisë së Zotit.

 

(Teksti i plotë nga Audienca e Përgjithshme e të Mërkurës, 26 gusht 2015. Përkthimi: Revista Drita )

Shpërndaje

Comments are closed.

« »