ARSIM DHE MËSIM

Aug 29 • Opinion

Me rastin e fillimvitit të ri shkollor

I arsimuari ndryshon aq shumë nga i paarsimuari, si i gjalli nga i vdekuri. Sot, ka shumë intelektualë të shkolluar por pak të arsimuar. Njerëzit e kohës sonë, do të paguajnë më shumë për t’u argëtuar se sa për t’u arsimuar. Mësimi përfundon në klasë, arsimi fillon në shtëpi. Njeriu që nuk lexon është më i arsimuar sesa ai që, s’lexon tjetër përveç gazetës. Titulli akademik dhe shkencor, nuk të bën intelektual. Edukimi i mendjes, pa edukimin e zemrës, nuk mund të quhet edukim. Niveli i qytetërimit të një shoqërie matet dhe tregohet në nivelin e shprehjes së fjalës publike. Fjala e shprehur vepron më shumë se ajo që lexohet në libër. Tmerret e Holokaustit i krijuan akademikët kulminantë. Emancipimi i një shoqërie shprehet më së miri te fytyra e mësuesit dhe sjellja e tij.

Shkruan: Dedë Palokaj

Që shkollimi është i nevojshëm dhe shumë i rëndësishëm, këtë e dimë të gjithë. Sepse arsimi e ndihmon gjeneratën e re: të formohet dhe të edukohet, në mënyrë të drejtë dhe me përgjegjësi. Mirëpo, një nga problemet më të mëdha të kohës sonë, është se shumë janë të shkolluar, por pak janë të arsimuar (të edukuar). Qysh në antikën e lashtë, Aristoteli thoshte: “I arsimuari ndryshon aq shumë nga i paarsimuari, si i gjalli nga i vdekuri.” Sot, ka shumë intelektualë të shkolluar por pak të arsimuar. Të paktë janë ata që e kanë edukatën e mirë familjare, shoqërore dhe morale, pra, ata që duhet ta kenë kuptuar mirë rolin e edukatës në arritjen e arsimit cilësor. Shkollimi dhe arsimi – njëra pa tjetrin nuk janë të plota, por të gjymta. Kanë thënë: “Dituria pa edukatë (moral) është sikur zjarri pa dru, dhe edukata pa dituri, është sikurse shpirti pa trup.” Njeriu, mund të jetë shumë i ditur dhe i shkolluar, por pa arsimim – pa edukatë, nuk mund ta interpretojë në mënyrë të shëndoshë diturinë as të të tjerët, bile as të fëmijët e vet.

Ç’kuptim ka një sistem arsimor kur sa herë që ndërrohet qeveria, ndërrohet edhe sistemi? Parimisht, çështjet kryesore të jetës nuk ndërrohen, ato transformohen prej një gjendje në tjetrën. Mund të ndërrohemi ne si qenie njerëzore, mentalitetin e vjetër, mënyrën e të menduarit, të kuptuarit dhe të vepruarit etj. Pa ndryshime rrënjësore të vetvetes, njeriu ndryshe mendon, ndryshe flet dhe ndryshe vepron. Në të kundërtën, vetëm mësimi dhe njohuria e shkollimit pa edukim nuk çon askund. Njohuri të cilat nuk shpjegohen, ato fitohen; ligjet nuk mësohen, ato vërtetohen.

Edhe sistemi më i mirë arsimor nuk sjell gjë të re nëse njeriu nuk ndryshon, nëse nuk arsimohet moralisht dhe shpirtërisht. Sepse njeriu është gjenerator i posaçëm i të gjithave i ndryshimeve të vazhdueshme jetësore.

Pa ndërrimin e njeriut të gjitha reformat ekonomike, politike, financiare, kulturore, arsimore etj., janë të pamundura të realizohen për krijimin e një jete më të mirë. Sepse në zemrën e njeriut vihen themelet e reformave dhe strukturave të reja. Edhe ligji më i mirë në dorën e njeriut të paedukuar, pra të njeriut apo të shoqërisë së pamoralshme dhe të keqe, nuk mund jetë funksional. Është e njohur thënia se askush nuk mund ta ndërron gjendjen e një populli, derisa ata të ndërrojnë vetveten. Kjo vlen edhe për sistemin tonë shkollor.

Shkolla, nuk e bën njeriun njeri, por ajo se çfarë rrjedhë nga shpirti, nga formimi i personalitetit dhe identitetit të tij. Sepse brendia dhe forma, shkollimi dhe arsimimi shkojnë bashkë e jo vetëm format dhe trajtat e ligjeve të jashtme. Njerëzit e kohës sonë do të paguajnë më shumë për t’u argëtuar se sa për t’u arsimuar.

  

FYTYRA E MËSUESIT DHE SJELLJA E TIJ

Mësimi përfundon në klasë, por arsimimi fillon në shtëpi dhe përfundon vetëm me vdekjen tonë. Fëmija e fiton diplomën e shkollës, pastaj të universitetit për t’u arsimuar, për t’u edukuar në mënyrë të shëndoshë, si në familje ashtu edhe në shoqëri. I arsimuar, nuk është ai njeri që ka lexuar apo që ka shkruar shumë libra, por ai që ka arritur ta pastrojë gjuhën nga fjalët e ndyta dhe zemrën nga dëshirat e këqija, si dhe mendjen nga mendimet e patenzot. Kush nuk arsimohet në këtë drejtim, është njeri i neveritshëm dhe shumë i gërditshëm edhe nëse është akademik i madh.

“Njeriu, i cili nuk lexon asgjë, është shumë më i arsimuar se sa ai që nuk lexon asgjë tjetër përveç gazetës”, thotë Thomas Jefferson. Se titulli akademik dhe shkencor nuk të bën intelektual dëshmojnë edhe rastet e shumta të pleqnarëve të popullit tonë shqiptarë, të cilët nuk kishin as gradë akademike e as shkencore, por kishin edukatë, mençuri, dinjitet, kulturë etj., dhe kështu ata mbetën thesar i çmuar i kulturës sonë shqiptare.

Mjerisht, në kohën e sotme, ka shumë intelektualë që sillën në mënyrë të paarsimuar, pa edukatë të mirë familjare dhe morale. Kjo shihet nga të folurit e tyre, nga debatet publike, nga shkrimet, shprehjet banale dhe amorale, sjelljet e tyre pa respekt dhe shije të mirë. Niveli i qytetërimit të një shoqërie matet dhe tregohet në nivelin e shprehjes së fjalës publike, e jo në keqpërdorimin e saj. Ky është një problem që sot të shqetëson, sa herë i shikon njerëzit duke u shprehur pa respekt minimal të jetesës së përbashkët shoqërore deri në ofendime më të rënda të shprehjes së lirë. “Fjala e shprehur në skenë vepron më shumë se ajo që lexohet në libër”, thotë Simon Ostrovski.

Tmerret e Holokaustit i kanë krijuar akademikët kulminantë, por që ishin të paarsimuar – të pa edukuar. Personi i arsimuar, është vetëm ai i cili ka mësuar se si të mësojë të ndryshojë veten. Sepse nëse nuk ndërrojmë për ta përmirësuar me kujdes veten tonë dhe marrëdhëniet me njëri – tjetrin, atëherë nuk përparojmë. Nuk mësojmë vetëm për shkollën, për fushat e ndryshme të diturisë shkencore, për të fituar sa më shumë njohuri etj., por, si të jetojmë në shoqërinë e sotme me ambicie të sëmura?

Jeta është shkollë dhe akademi e madhe. Fjalët i bashkojnë njerëzit, sikurse urat. Mos të harrojmë se një fjalë e mirë dhe e butë “ngroh tre muaj dimër”. Aristoteli thotë: “Të edukosh mendjen pa edukuar zemrën, nuk mund të quhet edukim”. Pra, të mësojmë duke punuar dhe të edukohemi duke mësuar. Sepse emancipimi i një shoqërie shprehet më së miri te fytyra e mësuesit dhe sjellja e tij.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »