E VËRTETA E HIDHUR

Aug 29 • Meditimi i ditës

29 gusht 2015 – E shtunë, Matirizimi i Gjonit Pagëzues, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

 

Do të provoj që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Vetëdija

 

Jetoj në një rrjetë të gërshetuar me shumë marrëdhënie – lidhje, me natyrën, me njerëz, me Hyjin.
I vërej këto marrëdhënie dhe falënderoj për jetën që rrjedh nëpër to.
Disa prej këtyre marrëdhënieve janë shtrembëruar, disa janë rrënuar, disa janë ndërprerë:
Ndoshta për këtë arsye ndjehem i/e hidhëruar, i/e zemëruar, i/e zhgënjyer.
Lus për dhuratën e pranimit dhe faljes.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit avash, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë apo ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Mk 6, 17-29

 

17 Në fakt Herodi vet kishte dhënë urdhër të arrestohej Gjoni dhe të mbahej i lidhur në burg për shkak të Herodiadës, gruas së Filipit, vëllait të tij, sepse e kishte marrë për grua. 18 Gjoni, pra, i thoshte Herodit: “Nuk është e lejueshme të kesh gruan e vëllait tënd!” 19 Dhe Herodiada e urrente dhe dëshironte ta vriste, por nuk mundte. 20 Herodi, pra, i druhej Gjonit, të cilin e dinte si njeri të drejtë dhe të shenjtë, dhe e mbronte; dhe, mbasi e dëgjonte, kryente shumë gjëra dhe e dëgjonte me dëshirë. 21 Por erdhi dita e volitshme dhe Herodi, për ditëlindjen e vet, shtroi një gosti për të mëdhenjtë e tij, për komandantët dhe për parinë e Galilesë. 22 Hyri vetë e bija e Herodiadës, kërceu dhe i pëlqeu Herodit e atyre që ishin bashkë me të në tryezë, atëherë mbreti i tha vajzës: “Më kërko ç’të duash dhe unë do të ta jap.” 23 Dhe iu betua: “Gjithçka që të më kërkosh, do të ta jap, deri gjysmën e mbretërisë sime!.” 24 Ajo doli dhe i tha s’ëmës: “Çfarë duhet t’i kërkoj?” Ajo u përgjigj: “Kokën e Gjon Pagëzorit!.” 25 Ajo u kthye menjëherë te mbreti dhe i kërkoi me nxitim: “Unë dëshiroj që ti të më japësh menjëherë, mbi një pjatë, kokën e Gjon Pagëzorit.” 26 Dhe mbreti, megjithëse u trishtua shumë nga kjo, nuk deshi të refuzojë për shkak të betimit dhe për respekt të të ftuarve. 27 Kështu mbreti dërgoi menjëherë një roje me urdhër që ti sillnin kokën e Gjonit. 28 Dhe ky shkoi, ia preu kokën në burg, dhe e solli kokën e tij mbi një pjatë, ia dha vajzës dhe vajza ia dha s’ëmës. 29 Kur dishepujt e Gjonit i dëgjuan këto, erdhën, morën trupin e tij dhe e vunë në varr.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Gjon Pagëzuesi u ekzekutua për shkak të së vërtetës që ia kishte thënë të fortit. Njeriu që përgatiti rrugën Jezusit u ekzekutua me miratimin e sundimtarit të korruptuar, të lig.

– Ata që punojnë për drejtësi në botë apo dëshmojnë për besimin sot janë duke u përballur shpesh me vështirësi, madje, nganjëherë, edhe jeta e tyre është në rrezik. Ndalem dhe i kujtoj në lutje. 

 

Bashkëbisedimi

 

Jezus i dashur, po ta hap zemrën.

Mund të të them gjithçka më mundon.

Fjalët nuk po më vijnë lehtë.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »