IN MEMORIAM: AKADEMIK MARK KRASNIQI (1920 – 2015), VEPRIMTAR I DALLUAR

Aug 29 • Kulturë

Shkruan: Don Lush Gjergji

Më 28 gusht 2015 ndërroi jetë akademik Mark Krasniqi. Takimi im i fundit me të ishte katër orë para ndarjes së tij nga kjo jetë, gjatë ritit të uratës dhe vajimit të shenjtë për të sëmurë. Për pak çaste para tij, e “ktheva filmin”, me shumë kujtime gjatë më se 40 viteve të njohjes dhe bashkëpunimit në shumë fushëveprime: Pajtimet e Gjaqeve, tubimeve shkencore, udhëtimeve dhe paraqitjeve publike nëpër Evropë dhe botë, promovimeve, akademive… Ishte një njeri i “lehtë”, siç thotë populli, i paprintueshëm, kudo që “më kërkon dhe fton e mira e Popullit Shqiptar” thoshte ai.

Prof. Dr. Akademik Mark Krasniqi lindi në Gllaviçicë, afër Pejës, ku kreu shkollën fillore. Gjimnazin e vijoi dhe përfundoi në Prizren, ndërsa studimet për gjuhë dhe letërsi në universitetin e famshëm të Padovës, gjatë viteve të vështira 1941-1943. Më vonë në Beograd ka vazhduar studimet gjeografi dhe etnografi.

Me një raste e pyeta përse dhe si e kishte zgjedhur këtë drejtim. Pa hamendje më tha: “Sepse më dukej drejtimi më pak  i “rrezikshëm”, pa ndikim politik dhe shoqëror. Politika ime ishte Populli Shqiptar, kultura jonë, lashtësia dhe e tashmja, kuptohet, për një të ardhme sa më të mirë”.

Për t’i realizuar këto qëllime dhe synime, ai u dha pas gazetarisë, si redaktor i “Rilindjes”, së bashku me Esat Mekulin dhe shumë të tjerë. Ishte pionieri i gazetarisë sonë. Gjatë viteve 1947-1949 ishte redaktor i emisioneve shqipe të radio Beogradit. Aty kishte vijuar studimet dhe kishte diplomuar qysh në vitin 1950, ndërsa kishte doktoruar në Lubjanë në vitin 1960. Ishte “bleta” e dijes, kulturës dhe qytetërimit të atëhershëm jugosllav dhe evropian.

Periudha e rëndësishme e jetës dhe veprimtarisë së  tij ishte mësimdhënia në Prishtinë në fakultete, pastaj edhe në Universitetin e Prishtinës,  gjatë viteve 1961-1981, ku kishte edukuar, informuar dhe frymëzuar shumë breza. Ishte “Profesori” i dashur dhe i afër me të gjithë, atdhedashës i shquar dhe guximtar, njeri me vizione dhe përcaktime të qarta dhe largpamëse.

Në një rast më rrëfeu këtë: “E dua Popullin tonë, sepse ai më lindi, më rriti, më edukoi, më frymëzoi. Për Popullin Shqiptar jetova, punova, flijova dhe dhurova çdo gjë… Motoja e jetës sime është: Të gjitha për Popullin Shqiptar!”.

Ky qëndrim patriotik dhe stoik i ka kushtuar shumë. Pasi haptazi i kishte mbrojtur studentet gjatë demonstratave të vitit 1981, qe përjashtuar nga mësimdhënia dhe partia. Mark Krasniqi atëherë kishte thënë kështu: “Sistemi dhe partia që i burgosë dhe vret bijtë dhe bijat tona, për mua është armiqësor. Unë jam me Popullin tim dhe me rininë tonë”.

Prof. Mark Krasniqi ishte anëtar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe të Shqipërisë, Kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane nga viti 1993. Gjithmonë ishte dhe mbeti i thjeshtë, komunikativ, në shërbim të çështjes kaq të ndërlikuar shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, përkrahës i flakët i bashkimit kombëtar. Shi për këtë ishte bashkëpunëtor i ngushtë dhe besnik i Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, veprimtar shumë i shquar gjatë Pajtimeve të Gjaqeve, njeri që besonte në Popull dhe në Kulturë, për të tashmen dhe të ardhmen sa më të mirë,  “Avokat i Popullit Shqiptar” tek ne dhe në botë.

Çmonte shumë figurat tona të ndritura, sidomos heroin tonë kombëtar Gjegj Kastriotin – Skënderbeun dhe Nënën Tereze. Për t’i “mishëruar” në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari, ai ndërmori veprimin për ndërtimin dhe vendosjen e shtatores së Gjergj Kastriotit në Prishtinë dhe përkrahu me shpirt dhe zemër ndërtimin e katedrales “Nëna Tereze”, po ashtu në Prishtinë. “Ardhja e Gjergjit tonë”, siç thoshte Akademiku ynë, u bë ngjarje, një lloj “procesioni” Shqipëri-Kosovë, ku pati manifestime të gëzimit mbarëpopullor.

Pas ceremonisë së vendosjes dhe përurimit të kësaj Shtatorje, së bashku me Dr. Ibrahim Rugovën, Nekibe Klemendin dhe shumë veprimtarë tjerë, ndër të tjera tha: “Tash mund të vdes, sepse Prishtina, Kosova, Shqiptarët janë në duar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut. Populli Shqiptar tashmë ka një orientim”.

Duke komentuar dhe vlerësuar të Lumen Nënën Tereze, sidomos ndërtimin e Katedrales dhe lumturimin e saj, më tha kështu: “Në momentin më të keq, ne patëm shumë fat të mirë, ta kemi Nënën Tereze, e cila na paraqiti denjësisht dhe na mbrojti mrekullisht para mbarë botës. Ndërtimi i katedrales së saj në Prishtinë është ngjare e madhe dhe e rëndësishme kulturore… Ti Nënën Tereze e mbanë të gjallë në mendjen dhe zemrën e çdo shqiptari. Gjergj Kastrioti dhe Nëna Tereze janë dy simbole dhe porosi të pavdekshme për ne. I pari, për trimëri, burrëri, diplomaci, e dyta, për mirësi, bujari, dashuri ndaj botës së mjeruar”.

Mark Krasniqi çmonte dhe nderonte rolin dhe shërbimin e Kishës Katolike gjatë historisë dhe së tashmes, sidomos të ndjerin Imzot Nikë Prelën, përkrahjen e tij në Pajtime të Gjaqeve, në SHHB të Kosovës “Nëna Tereze”, në krijimin e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, në paraqitjen dhe mbrojtjen e popullit tonë të pafajshëm dhe të rrezikuar. “Kjo ishte tradita e Kishës dhe klerit katolik gjatë shekujve. Klerikët tanë kanë qenë patriotë, trima, flijimtarë. Ata shkruan dhe mbrojtën gjuhën, traditën, kulturën, më të çmueshmen dhe të lavdishmen tonë” komentonte ai.

Prof. Mark Krasniqi ishte një “enciklopedist” modern, merrej me shumë lëmi dhe fushëveprime. Ai pas vetes na ka lënë më se 35 botime të llojeve të ndryshme, shkencore, letrare, publicistike.

     Ndër veprat shkencore të rëndësishme mund t’i veçojmë disa:

– Gjurmë e gjurmime, studime etnografike, 1979;

– Nga gurra e traditës, studime etnografike, 1987;

– Rrënjët tona etnike, 2001;

– Besa në traditën shqiptare, 2011.

     Tekste shkollore:

– Gjeografia e Jugosllavisë, 1975;

– Gjeografia ekonomike, 1985.

     Tekste publicistike:

– Qëndrime dhe reagime, 4 vëllime, 1995:

– Kosova sot, 1992;

– Përpjekje për Kosovën, 2001;

– Kujtime e përjetime, shënime biografike, 2012.

     Tekste letrare:

– Përralla e gjyshit, 1953;

– Drita e parë, 1956;

– Posta e porositur, 1959;

– Postieri i maleve, 1984;

– Vjersha të zgjedhura për fëmijë, 1995.

Pas kësaj paraqitjeje të thjeshtë, të shkurtë dhe të varfër, më lejoni, që ta përfundoj me ndonjë anekdotë nga jeta dhe bashkëpunimi ynë shumëvjeçar. Gjatë qëndrimit tonë në Romë, së bashku me Dr. Ibrahim Rugovën dhe anëtarët tjerë të delegacionit tonë në vitin 1991 , ishim në kupolën e “Shën Pjetrit”, pika më e lartë dhe më e bukur e Romës. Në ngritjen nëpër shkallë të shumta dhe të ngushta, u ndal pak, dhe tha: “Nimo Zot e Shejti Shën Kollë!”.

 Dr. Ibrahim Rugova iu përgjigj: “Tash po të bie në mend ta kërkosh ndihmën e Zotit dhe të Shën Kollit, kur po të ndalet frymëmarrja. Ku ishe më parë?”.

Në takim me kryetarin e demokristianëve në nivelin botëror, Flaminio Piccoli, prof. Mark Krasnqi e mori fjalën dhe më tha mua që ta përktheja, gjë që e bëra me shumë kënaqësi. Marku ndër të tjera tha: “Më lehtë është të flasim për atë çka s’na bëjnë sundimtarët, serbët. Ata ende nuk na kanë ndaluar vetëm frymëmarrjen… Ne s’kemi asnjë të drejtë përpos “vuajtjes”.

Në takim me kardinalin Fiorenzo Angelini, përgjegjës i Kishës Katolike për Shëndetësi, Mark Krasniqi, ndër të tjera dëshmoi: “Eminencë, tek ne në Kosovë s’kemi të drejtë më as të lindin fëmijët, as të vdesin pleqët… Gjendja është vërtet dramatike”. Kardinali Angelini, si në hoka, për të krijuar pak “atmosferë”, tha: “E para është shumë e keqe, pengimi i lindjes së fëmijëve. E dyta, qenka shumë e mirë, pengimi i vdekjes së pleqve…”.

Nga takimi ynë i fundit, 4 orë para kalimit në amshim, në mua gufonin shumë kujtime, përjetime, përvoja. Për mua prof. Mark Krasniqi ishte dhe mbetet një njeri që tërë jetën e shkriu për Popullin Shqiptar, për kulturën dhe qytetërimin tonë të lashtë dhe të tashëm, me besim dhe angazhim që Populli të vetëdijesohet, përcaktohet, orientohet sa ma mirë kah vlerat dhe virtytet e mirëfillta shqiptaro-evropiane.

Paraqitja e tij publike herën e fundit në Prishtinë ishte më 24 qershor 2015, me rastin  e Akademisë së 25 vjetorit të Pajtimit të Gjaqeve. Foli me ndjenja dhe bindje të thellë për bashkimin kombëtar shqiptar, si zgjidhje përfundimtare e çështjes shqiptare.

Unë ndër të tjera i thashë: “Nëse pleqëria është siç je ti, atëherë s’kam frikë prej saj”. Më shikoj ëmbël dhe më tha: “Ndihem mirë dhe jam mirë. Kurrë s’kam qenë i sëmurë. Ky është fati im dhe jeta im deri me sot”.

Pushoftë në paqe! E gëzoftë “shëndetin” e amshuar!

Prishtinë, 28 gusht 2015

Shpërndaje

Comments are closed.

« »