HESHTJA

Aug 30 • Këndvështrime

Nga Kardinal Carlo Maria Martini

Heshtja që më pëlqen, është heshtja që dëgjon, që pranon, që gjallëron. Në fakt, nëse Hyji na ka dërguar Fjalën e vet, në fillim të çdo udhëtimi të njeriut duhet të jetë heshtja.
Për njeriun e sotshëm, që ka larguar Zotin nga mendimet e veta, për fat të keq, heshtja është shenjë tmerruese e boshllëkut apo zbrazëtirës. Prandaj, njeriu i ikën heshtjes, duke preferuar më mirë çdo lloj zhurme, sado e rëndë që të jetë; çdo fjalë,  sado e kotë që të jetë, çdo bisedë e çdo muhabet, sado të pakuptimta që të jenë. Njeriu i sotëm preferon tërë këto gjëra më parë sesa heshtjen.
Shumë herë gabojmë pikërisht për faktin se flasim shumë dhe flasim keq, dhe pikërisht për këtë mendoj se, heshtja është një vlerë shumë e rëndësishme që duhet gjetur, që duhet zbuluar nga ana e të gjithëve: burrave dhe grave të botës perëndimore.

Heshtja ime është dëgjim i Zotit i cili flet nëpërmjet Shkrimit të shenjtë dhe përmes dritëzave të vogla, intuitave dhe frymëzimeve të vogla që më ndihmojnë ta kuptoj më mirë vetveten, domethënien e ngjarjeve, duke më lejuar të ballafaqoj edhe situatat më dramatike, momentet e rrezikshme dhe të vështira të jetës, duke ri-gjetur për çdo ditë guximin për të ecur përpara.
Pa heshtjen, ndjehem i copëtuar nga shumëllojshmëritë e gjërave që më bien në krye, e që do të dëshironin të më manipulojnë. Prandaj, kam nevojë për heshtje në sa dëgjim të Zotit, ashtu siç kam nevojë për ajrin frymëmarrës.

Pikërisht për këtë, që nga vitet kur isha në Romë, por edhe më parë, gjithmonë kam gjetur dhe gjej edhe sot e kësaj dite për çdo ditë disa orë heshtje absolute. Në këtë kohë heshtjeje, mendimi im kalon nëpër lutje, që merr të gjitha format e bashkëbisedimit dhe dëgjimit. 

(Marrë nga libri i Kardinalit: Cambiare il cuore. Përktheu: Don Anton Uka)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »