TË FLASIN VEPRAT!

Aug 30 • Meditimi i ditës

30gusht 2015 – e diela 22-të gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Zot i dashur, më ndihmo që të hapem krejtësisht me ty
sepse tani po i lë anash të gjitha brengat e mia.
Mbushi mendimet e mia me paqe, me dashurinë tënde.

 

Liria

 

Trungu i trashë dhe i shtrembëruar i pemës kurrë nuk do të besonte
se mund të bëhet statujë, vepër e mrekullueshme artistike,
dhe kurrë nuk do t`i nënshtrohej daltës së skulptorit,
i cili me gjeninë e tij depërton për të nxjerrë gjithçka mund të bëhet prej këtij trungu (Shën Injaci)
Lus për hirin që të lejoj të formohem me dorën e Krijuesit tim të dashur.

 

Vetëdija

 

Si po e përjetoj/ndiej sot veten?
Si jam duke u sjellë me Hyjin? Me të tjerët?
A ekziston diçka që duhet të jem mirënjohës/e? Atëherë do të them: faleminderit.
Ekziston diçka që do të duhej të më vinte keq? Atëherë do të them: më fal.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri në mënyrë që të bisedosh me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 7,1-8.14-15.21-23

 

1 Rreth Jezusit u bashkuan farisenjtë dhe disa skribë që kishin ardhur nga Jerusalemi. 2 Ata vunë re se disa prej nxënësve të tij po hanin bukë me duar “të papastra” – d.m.th. të palara.

3 Tashti farisenjtë dhe mbarë hebrenjtë nuk hanë bukë pa i larë duart deri në bërryl për arsye të zakoneve të të parëve. 4 As kur kthehen nga tregu nuk hanë gjë pa u larë më parë. Janë edhe shumë gjëra të tjera që i mbajnë për shkak të traditës: larje gotash, katrovash e enësh remi (tryezash).

5 Prandaj farisenjtë dhe skribët e pyetën Jezusin:

“Pse nxënësit e tu nuk i mbajnë traditat e të parëve, por hanë bukë me duar “të papastra”?”

6 Ai u përgjigj:

“Mirë parafoli për ju, o shtiracakë, Isaia, kur shkroi:

‘Ky popull më nderon me buzë,

kurse zemra e tyre është larg meje.

7 I kotë është kulti që më bëjnë,

kur mësojnë gjasme mësimin e Hyjit

‑ rregulloret që i qitën njerëzit.’

8 Ju lini pas dore urdhërimin e Hyjit e mbani traditat e njerëzve.”

14 Atëherë e thirri përsëri popullin rreth vetes dhe i tha:

“Më dëgjoni të gjithë dhe mbani mend! 15 S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriut ‑ ajo e bën të papastër.

21 sepse prej brendisë ‑ prej zemrës së njeriut rrjedhin: mendimet e këqija, llojet e ndryshme të fëlligështisë, vjedhjet, vrasjet, 22 kurorë‑ thyerjet, dëshira e tepruar e pasurisë, mashtrimet, shfrenia, smira, blasfemitë, krenaria, marrëzia. 23 Të gjitha këto të këqija dalin nga brenda dhe e bëjnë njeriun të papastër.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezusi shpesh na jep zemërqë të veprojmë sipas fjalëve të tij. Nuk është e mjaftueshme për ta nderuar atë vetëm me buzë.

– Dikush mund të argumentojë me fjalë, por veprat flasin për veten e tyre. Fjala është mbjellë thellë në mua, dhe lus me fjalët e Apostullit Jakob që të jem zbatues i fjalës dhe jo dëgjues harraq. Në qoftë se jam ai që e mbaj fjalën, e zbatoj atë, do të jem i/e lum/e nëve primtarinë time.

 

Bashkëbisedimi

 

Cilat ndjenja zgjohen në mua

kur lus dhe meditoj Fjalën e Zotit?

E paramendoj Jezusin ndenjur apo ulur pranë meje

dhe ia hapi zemrën.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj o Zot për çdo nxitje që ma dhurove gjatë këtyre momenteve të kaluara vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »