ANKTHI – VRASËS I HESHTUR I SHËNDETIT

Sep 1 • Opinion

Nga m. Franciska  (Suzana)Lekaj

Çfarë është ankthi?

Koncepti i ankthit është i vështirë për t’u përkufizuar, por sipas studimeve, ankthi është një ndjenjë mërzie, tensioni, frike, dhe shqetësimi për të ardhmen. Ai ka një lidhje të ngushtë  me frikën dhe në thelb ka frikën e papërcaktuar. Ankthi dhe frika janë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën dhe ende nuk është aq i qartë dallimi që ekziston midis tyre. Psikologu Sigmund Frojd ishte ai që, për herë të parë, u përpoq të gjente dallimin  midis tyre. Sipas tij, ankthi lidhet me një gjendje psikologjike që nuk shoqërohet me vëmendje të veçantë ndaj objektit frikësues, ndërsa tek frika, vëmendja është tërësisht e përqendruar tek ky objekt.

Objekti i frikës, është real dhe përgjithësisht i njohur prej vetë personit, ndërsa origjina e ankthit në përgjithësi është e paqartë dhe pothuajse e papërcaktuar prej tij. Personat që përjetojnë ankth, nuk kanë një ide të qartë për shkakun real të ankthit. Ata  përfshihen nga ndjenja absurde. Në të shumtën e herëve, personat për të përshkruar gjendjen e ankthit përdorin fjali si:  kam një “lëmsh” në stomak, kam një boshllëk, kam një ndjenjë që nuk di ta them se çfarë është … etj. Këto të fundit, janë disa nga fjalitë që personat shprehin gjatë gjendjes së ankthit.

Ankthi është një ndjenjë e vështirë për t’u përshkruar me fjalë, është i vështirë të kuptohet edhe nga vetë individi e aq më pak kuptohet nga personat e tjerë, e për këtë mund të emërtohet  vrasës i heshtur, sepse personi e ka te vështirë të tregojë gjendjen që përjeton në realitet. Ai ndjen një ngarkesë e shqetësim brenda vetes e nuk gjen fjalë të përshtatshme për të përshkruar këtë  gjendje. Për këtë arsye, është mirë  dhe e nevojshme, personi që përjeton ankth të konsultohet me një psikolog, psikiatër e me  persona që janë kompetentë. Mirëpo, edhe pse ankthi nuk është një çrregullim që duket shumë nga jashtë, është po ai që e vështirëson punën, pengon për të parë anët pozitive të gjërave, dhe që e kufizon veprimin e personit.

Të kesh ankth, nuk është diçka nga e cila njeriu duhet të ketë turp, sepse ai nuk është diçka që dikush dëshiron ta përjetojë. Askush nuk është imun ndaj tij, pak më shpesh apo pak më rrallë, e përjetonë këtë gjendje, një gjendje ankthi, edhe personat e pasur, e famshëm,  e pashëm dhe të zgjuar. Ndaj, është shumë e rëndësishme që individi ta pranojë faktin se është duke përjetuar një gjendje ankthi, pasi ai mund të trajtohet. Sa më shpejt të trajtohet, një person me çrregullime të ankthit, aq më shumë ka gjasa për t’u përmirësuar.

Ankthi është një rrëmbyes i vëmendjes, ai mund të na shpërqendrojë nga gjërat që ne vlerësojmë më tepër dhe është një kufizues i jetës sonë. Është i mundimshëm dhe e bën individin të ndjehet i dërrmuar. Një individ që vuan nga gjendja e ankthit mund të ndjejë sikur e tërë jeta e tij është e rrethuar nga një shtëllungë elektrizuese. Ankthi përcaktohet si një tmerr pa emër, pa formë dhe misterioz. Mund të jetë shprehje domethënëse e konflikteve të personalitet.

Shenjat më karakteristik të ankthit

Shenjat më karakteristike të ankthit, nga shumë studiues,  janë ndarë në katër grupe, të cilat janë: shenjat fizike, emocionale, konjitive (njohjes) dhe të sjelljes.

Shenjat fizike

Duke pasur parasysh, që ankthi nuk është vetëm psikologjik por shkaktohet e shoqërohet edhe me reagime fiziologjike, mund të themi se njihen si shenja fizike të ankthit; djersitja veçanërisht e shputave të duarve, e ballit dhe e pjesës së poshtme të krahëve. Shtimi i ritmit të frymëmarrjes, shpejtimi i rrahjeve të pulsit ose ndjesia sikur zemra po del nga vendi, mosmbushje mirë me frymë, vështirësi për t’u gëlltitur ose ndjesi mbytjeje, dhimbje gjoksi, dhimbje dhe fryrje barku, marramendje, nevojë e shpeshtë për të shkuar në tualet, dhimbje koke, dobësi, dridhërima ose afshe të nxehta, tendosje të muskujve, vështirësi në fjetje, zbehje në fytyrë.

Shenjat emocionale

Siç u tha mësipërm, frika është ndjesia kryesore  që shoqërohet me ankthin. Kur ajo fillon, merr formën e një orteku bore. Frikërat e zakonshme që shoqërohen me ankthin janë: frika e humbjes së kontrollit, frika se mos çmendet, frika se mos vdes papritur, frika mos refuzohem nga të tjerët, frika nga e ardhmja etj. Emocionet e tjera që shoqërohen me ankthin përfshijnë, ndjesinë e nervozizmit, irritimin, dhe individi shoqërohet me ndjesinë sikur është jashtë vetes. Ndjenjat janë shumë të vakta dhe të turbullta.

Shenjat konjitive

Shumë gabime të ndryshme të të menduarit zakonisht shoqërojnë çrregullimet e ankthit. Më të zakonshmet janë; të menduarit herë pas here rreth situatave të frikshme, fokusimi i tepërt në detaje të vogla duke mos parë tablonë e përgjithshme, vështirësi në përqendrim, dyshime në aftësi, prirje për të ekzagjeruar problemet etj.

Shenjat e sjelljes

Tek shenjat e sjelljes përfshihen; shmangia e situatave që në të kaluarën  na kanë bërë të ndjehemi në ankth, mpirje emocionale, refuzim për të provuar përvoja të reja, të qenit i paaftë për të kryer disa detyra normale të jetës së përditshme për shkak të frikës ose ankthit, përdorimi i drogave ose alkoolit në përpjekje për të përballuar ankthin.

Individët që vuajnë nga ankthi, kërkojnë siguri të plotë dhe të vazhdueshme për çfarëdo gjëje që ndodhë. Studiuesit theksojnë, se kur individi përjeton ankth, ai priret të shmangë punën me të tjerët për të ruajtur vetëvlerësimin, pasi prania e të tjerëve dëmton vetë imazhin.Veç kësaj, ankthi është parë jo vetëm si një shqetësim, por edhe si një kërcënim i madh për shëndetin e njeriut. Pasi ai në vetvete është një reaksion përballë rrezikut dhe se përmes tij del në pah dëshira e individit për mbijetesë.

Ankthi është rrjedhojë e eksperiencave të shkuara, gjithashtu mund të shfaqet prej situatave, por mund të jetë edhe si tipar i personalitetit. Gjithashtu, konsiderohet edhe si emocion me pasoja të qenësishme motivacionale.

Çrregullimet e ankthit janë të trajtueshme, prandaj mos ngurroni e mos kini frikë, të kërkoni ndihmë tek personat kompetentë. Sa më herët të fillojë trajtimi, aq më mirë është për individin.

 

REFERENCA

JONI E. JOHNSTON, Psy.D (2006) The Complete Idiot’s guide to Controlling Anxiety

TERRY F. PETTIJOHN (1996) Psikologji, Tiranë

ORHANI. Z. (2003) Psikologjia emocioneve, Tiranë

LALA. S. (2013) Psikopatologji, Tiranë

Shpërndaje

Comments are closed.

« »