ZOTI I SURPRIZAVE
3 shtator 2015 – E enjte, Shën Gregori i Madh, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme
Prania e Hyjit
Tash të gjitha mendimet po i drejtoj kah ti, o Zot.
Po i lë anash të gjitha brengat dhe angazhimet e mia
dhe po kërkoj pushim dhe këndellje në afërsinë tënde.
Liria
Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet
që ndoshta më mundojnë në këtë moment.
Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.
Vetëdija
Në praninë e Hyjit që më do
e vështroj gjithë atë që më ka ndodhur në këtë ditë që po kalon,
prej këtij momenti në mënyrë retrospektive, hap për hap.
E kujtoj të gjitha ato gjëra që kanë qenë të mira dhe të bukura, dhe për këtë falënderoj.
I vërej edhe hijet, gabimet dhe pyes se çka më flasin; lus për shërim, guxim, falje.
Fjala
Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.
Lexoj avash
dhe vërej fjalinë apo ngjarjen që më flet diçka.
Lk 5, 1-11
1 Jezusi një ditë ishte në bregun e liqenit të Gjenezaretit e, ndërsa populli po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Hyjit, 2 pa dy lundra buzë bregut të liqenit: peshkatarët kishin dalë e po lanin rrjetat. 3 Hyri në njërën prej atyre lundrave ‑ në atë që ishte e Simonit‑ dhe iu lut ta largonte pakëz prej tokës. U ul e, prej lundrës, mësonte turmën.
4 Kur pushoi së foluri, i tha Simonit:
“Grahi në ujë të thellë e hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
5 Simoni i tha:
“Mësues, gjithë natën u përpoqëm e nuk zumë asgjë; por pasi po thua ti, do t’i hedh rrjetat.”
6 Si bënë kështu, zunë një sasi të madhe peshqish ‑ gati po u shqyheshin rrjetat. 7 Atëherë u dhanë shenjë shokëve në lundrën tjetër të vinin e t’u ndihmonin. Ata erdhën dhe i mbushën të dy lundrat aq sa gati u fundosën.
8 Kur pa SimonPjetri, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha:
“Largohu prej meje, Zotëri, se jam njeri mëkatar!”
9 Vërtet, për arsye të peshkut që zunë, mbeti shtang prej habisë ai dhe të gjithë të tjerët që ishin me të; 10 gjithashtu edhe Jakobi e Gjoni, bijtë e Zebedeut, bashkëgjuetarë të Simonit. Jezusi i tha Simonit:
“Mos ki frikë! Tani e tutje do të zësh njerëz.”
11 Ata, si i sollën lundrat në breg, lanë gjithçka e shkuan pas tij.
Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?
Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:
– Kjo mrekulli zbulon fuqinë dhe bujarinë e Hyjit. Jezusi e dinte se çfarë do t`i pëlqente Simonit, i cili kurrë nuk do ta harrojë këtë peshkim!
– Hiri i Hyjit na vjen sipas masës që i përshtatet rrethanave tona të jetës. A mund ta kujtoj ndonjë ngjarje kur përpjekjet e mia për të bërë mirë janë shpërblyer përtej pritjeve të mia?
– A e kam njohur ndonjëherë Hyjin që ka vepruar nëpërmjet meje? Apo ndoshta e kisha zakon për të thënë: “Kjo është e pamundur; kjo nuk mund të bëhet” dhe kështu e kam bllokuar veprimin e Hyjit? I lejoj Hyjit që të jetë Hyj që më bën surpriza.
Bashkëbisedimi
Jezus i dashur, po ta çeli zemrën.
Mund të të them gjithçka më mundon.
E di që kujdesesh për gjithçka i përket jetës sime.
Më mëso që të jetoj në dijeni se ti kujdesesh sot për mua,
se do të kujdesesh edhe të gjitha ditët e jetës sime.
Përfundimi
Të falënderoj o Zot që i kalova këto pak momente me ty.
Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen
« RELIGJIONI I FRIKËS JEZUSI NA AFTËSON T`U GËZOHEMI RISIVE »