NËNË TEREZA: GRUA E TEJKOHSHME

Sep 4 • Editorial

Nga Don Fatmir KOLIQI

Nënë Tereza “njihet” nga të gjithë, ndërsa personi i saj ka marrë përmasa botërore. Me emrin e shenjtëreshës, thjeshtësisë, dashurisë, të njerëzisë në dimensione të shumta, ajo është shndërruar në ikonë të kohës sonë. Megjithatë, kjo grua, “patulakja gjigante”, është gjithnjë person që të tërheq e të grish për t’u marrë me të. Arsyeja qëndron te e përhershmja: pasuria që ofron jeta dhe personi i saj. Gjithnjë, para 5 shtatorit, festës liturgjike të asaj, kjo tërheqje bëhet edhe më e fortë: shndërrohet në grishje për ta ritakuar atë dhe për të mësuar nga ajo.

5 shtatori, është dita e lindjes për përjetësi: për amshim, si dhe festa e jonë për Nënën. Pjesë-marrja në këtë festë nuk duhet të jetë vetëm ditë pushimi e relaksimi fizik, mirëpo para së gjithash, një ditë e shenjtë në kuptimin e plotë të fjalës, ditë ripërtëritjeje shpirtërore, për ta përjetuar e mishëruar atë që Nëna e ka jetuar me mendje e me zemër, me vepra e me gjeste, gjatë jetës së saj tokësore. Me një fjalë: për të frymuar shpirtin terezian.

5 shtatori, është edhe një ditë ndërkombëtare e bamirësisë e shpallur nga Kombet e Bashkuara dhe inspirim për këtë ishte pikërisht Nëna jonë Tereze. Ne, populli i saj, e përjetojmë këtë ditë feste për ta bërë ditën tonë të dashurisë dhe të bamirësisë: ditë për vlerat tona që i kanë dhanë shpirt qenies sonë ndër vite.

5 shtatori, duhet të jetë një ditë feste për ta njohur Nënën, për ta takuar Nënë Terezën dhe për t’u inspiruar prej personit të saj. Të njohësh, në kuptimin biblik-të krishterë, është e barasvlershme me të pranosh, të identifikohesh, të përthithësh shpirtin veprues të saj. Kjo, jo vetëm se është një bijë e krishterimit tonë të lashtë, por sepse ajo është vlerë e tejkohshme për çdonjërin prej nesh. Ajo, është figura e një bote që njerëzimi e ëndërron. Sepse ajo është gurrë e pashtershme që shuan etjen shpirtërore në çdo kohë. Ajo, përfaqëson vlerat për të cilat do të ndjejmë etje dhe uri të përhershme. Së fundmi, pikërisht sepse personi i saj është derdhje e ngjeshur e një bote të pathënë, të ngujuar ndër vite, e pa shfaqur tek vëllezërit dhe motrat tanë, për shkak të “këmishëve të ngushta e frymëzënëse.”

5 shtatori, në Kosovë, pashmangshmërisht lidhet me tempullin e saj që po ndërtohet në tokën e Pjetrit të zhvarrosur. Katedralja kushtuar personit të saj të shenjtë, duhet të jetë Katedër e Mësimit; vendmësim i dashurisë tek ata që dashuria u ka munguar e u mungon akoma. Katedër e Nënës së urtë, plotë dashuri dhe mëshirë. Katedër për bijtë e saj që i do pamasë, me atë dashuri që e ka mbrumur jetën e saj. Katedër prej së cilës, do të mësojnë pasardhësit e saj të uritur për dijen e shpirtit, përvujtërisë, solidaritetit dhe dashurisë në vepër.

5 shtatori, është festë për gruan e tejkohshme.           

Na mëso Nënë jonë Tereze, ta duami njëri-tjetrin me atë fuqi që ti i deshe të mënjanuarit, të lënët, të përjashtuarit… të padashurit. Ne kemi nevojë për përvojën dhe fuqinë shpirtërore tendën, sepse s’mund të rrojmë pa e dashur të afërmin tonë, vëllanë dhe motrën, me të cilët ndajmë jetën e përditshme.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »