JEZUSI, DHURUES I DRITËS

Sep 6 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXIII gjatë vitit (B)

Leximi parë (Is 35,4-7)

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Thoni atyre që i ka lëshuar zemra: “Mbahuni! Frikë mos kini! Ja, Hyji juaj! Erdhi hakmarrja! Ia behi shpagimi i Hyjit! Vetë do të vijë e do t’ju shëlbojë!” Atëherë sytë do t’u çelen të verbërve, veshët e të shurdhërve do të dëgjojnë; atëherë i shqepti do të kërcejë si dreri, gjuha e të pagojit do të shpërthejë në hare, se në shkretëtirë do të burojnë ujërat, përrenjtë do të rrjedhin nëpër shkreti. Toka e shkrumbuar liqen do të bëhet, vendi i thatë burime! Në strofuj ku strukej çakalli, do të rritet kallam e xunkth.   

Fjala e Zotit

 

Psalmi 146

Ref. Lavdëroje, shpirti im, Zotin.

———————————————————–

Zoti e mban besnikërinë për amshim,

u jep të drejtën të nëpërkëmburve,

u jep ushqim të uriturve.

Zoti i çliron robërit.

————————————————————

Zoti u jep dritën e syve të verbërve,

Zoti i ndreq të kërrusurit,

Zoti i do të drejtët,

Zoti i mbron ardhacakët.

———————————————————–

U ndihmon bonjakëve e të vejave,

ndërsa mëkatarëve ua pështjellon udhët.

Zoti do të mbretërojë për jetë,

Hyji yt, o Sion, nga breznia në brezni

————————————————————-

 

Leximi dytë ( Jak 2,1-5)                        

Lexim prej Letrës së shën Jakobit apostull 

Vëllezër të mi, mos e përzini fenë e Zotit tonë Jezu Krishtit të madhërueshëm me krahambajtje! Sepse, po bëri e hyri në mbledhjen tuaj një njeri me unazë ari, i veshur në mënyrë të shkëlqyeshme e, po hyri një skamnor me petka të vjetruara, e ju e rrethoni me nderime atë që është i veshur bukur dhe i thoni: “Urdhëro! Ti ulu këtu lirisht!”, ndërsa skamnorit i thoni: “Rri atje, në këmbë!” ose: “Ulu këtu, poshtë, te këmbët e stolit tim!”, a nuk gjykuat ju në vetvete me krahambajtje dhe a nuk u bëtë gjykatës që gjykojnë për së mbrapshti?  Dëgjoni, vëllezër të mi të dashur! A nuk i zgjodhi Hyji ata që për sy të botës janë skamnorë për t’i bërë të pasur në fe dhe trashëgimtarë të Mbretërisë që ua ka premtuar atyre që e duan?

Fjala e Zotit

Aleluja!

Gjithçka bëri mirë!

Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!

Aleluja!

+ Ungjilli (Mk 7,31-37) 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut 

Jezusi doli prapë nga krahina e Tirit, e nëpër Sidon, erdhi drejt detit të Galilesë në krahinat e Dekapolit. Ia sollën një shurdhaman që mezi fliste dhe iu lutën ta vërë dorën mbi të. Ai e ndau prej popullit veçmas, ia shtiu gishtërinjtë e vet në veshë, me pështymë të vet ia preku gjuhën, i drejtoi sytë kah qielli, psherëtiu dhe i tha: “Effatha” – që do të thotë: “Çelu!” E menjëherë iu çelën veshët e iu zgjidh pengesa e gjuhës dhe foli rrjedhshëm.

Jezusi u urdhëroi të mos i tregojnë askujt. Por, sa më tepër që ai ua ndalonte, ata aq më tepër e shpallnin. Të mrekulluar mbi çdo masë thoshin: “Gjithçka bëri mirë! Ky po bën të dëgjojnë të shurdhët e të flasin memecët!”

Fjala e Zotit

 

POROSIA 

Leximi parë: me pak rreshta, por me histori të pasur, na paraqet profeti gjendjen aktuale të popullit të zgjedhur, i cili për shkak të kryeneçësisë së vet dhe mashtrimeve të profetëve të rrejshëm largohet nga rruga e Hyjit që i kishte shpëtuar dhe ndihmuar gjatë gjithë historisë. Ndër të gjitha intervenimet që ka bërë Zoti Hyj për ta, është lirimi nga robëria egjiptiane.

Tani, populli, për të dytën herë është i robëruar në Babiloni, por shpresa nuk vdesë. Profeti, në emër të Zotit paralajmëron lirimin dhe kthimin në qytetin e shenjtë, krenarinë e popullit hebrej, Jerusalem.

Kjo ishte një porosi shpëtimi. Prandaj, kërkohet kthimi dhe pendimi për mëkate.                                                  

Leximi dytë: Shën Jaku apostull qorton për një dashuri dhe nderim që duhet pasur njeriu ndaj të gjithëve, të vegjëlve e të mëdhenjve, të pasurve dhe të varfërve.

Sikurse në atë kohë edhe sot nga njëherë njeriu është ai, i cili nderon, respekton dhe lidhet me njerëz të pasur dhe që kanë pozitë. Ndërsa i varfëri gjithmonë mbetet i rendit të dytë apo skllav në shoqëri i pa dëshiruar, i përjashtuar, i lënë pas dore, i nëpërkëmbur.

Jezusi erdhi për të gjithë, për të varfër e për të pasur, erdhi që të dëshmoj dhe tregoi një rrugë të re, rrugë të dashurisë dhe nderimit, rrugë të paqes dhe mirëkuptimi në mes të gjithë njerëzve. Prandaj, të gjithë jemi të barabartë para Atij që u mundua, vdiq dhe u ngjall për ne.

Ungjilli:

Të verbëtit, të shurdhët dhe memecet janë fjalë që shpesh herë dëgjohen në Ungjill. Këto fjalë që i dëgjojmë nuk kanë gjithmonë kuptim të një sëmundjes fizike, por edhe të asaj shpirtërore.

Njeriu i sëmurë në shpirt është i verbër, i shurdhër dhe memec.

Është ai që nuk sheh lavdinë e Hyjit, nuk e dëgjon fjalën e tij dhe nuk mund t’ ua kumton të tjerëve.

Kush jemi ne dhe çfarë jemi?

Ne që kemi pranuar pagëzimin a thua nuk kemi premtuar që do të jetojmë si dëshmitar të mirë të fesë që kemi marrë?

Feja pa vepra është e vekur! Çfarë janë veprat tona?

Jezusi sot në Ungjill vepron jo vetëm me fjalë por edhe me të prekur. Ai shenjti shenjtëron njeriun, ringjall dhe shëron.

Po, Jezusi është mjeku hyjnor, që shëron nga mëkatet që na bëjnë të verbër, të shurdhër, memec.

Për të gjithë ne pra ka shpresë për një jetë më të mirë. Kjo shpresë është Jezusi që na do dhe na thërret të ndjekim shkollën e tij. Të ndjekim mësimet e tija, që të realizohet dëshira e shpëtimit dhe shëlbimit tonë për çka edhe jemi të thirrur.

Sepse jemi njerëz kalimtar, jemi shtegtar dhe në këtë shtegtim nuk mund të kalojmë mirë pa Jezusin si Rrugë, e Vërtetë dhe Jetë.

Tregohet një ngjarje se si një djalosh një mbrëmje trokiti në dyer të famullitarit dhe e luti që të shkoj në një shtëpi për një të sëmurë. Meshtari u përgatitë dhe shkoi në shtëpinë e caktuar hyri brenda dhe aty takoi një njeri që kishte një revole në dorë. I revoltuar i tha meshtarit çka doni?

Meshtari i përgjigji një djalosh me erdhi dhe me tha që të vijë për një të sëmurë në shtëpinë tuaj. Jo tha njeriu nuk jam i sëmurë  dhe nuk kam nevojë për ju. Por meshtari duke e parë me revole në dorë ia mori mendja se ky njeri ka ndërmend të bëj diçka keq dhe ia spjegoi si dukej djaloshi që e thirri. Atëherë njeriut iu kujtua, e tha: ky ishte biri im që me vdiq para pesë viteve, po ashtu edhe gruaja para disa kohe. Nuk kisha më shpresë për jetë, nuk desha më të jetoi, desha të vras veten. Ardhja e meshtarit e bindi të vazhdoj të jetoj dhe ky njeri u rrëfy, u kungua dhe u bë një nder besimtarët më të mirë në famulli. Hiri i Hyjit veproi në të, në Krishtin e gjeti kuptimin e jetës dhe u shërua nga verbëria që ishte.

O Zot Jezus, hapi sytë tanë që të shohim lavdinë tënde, hapi veshët tanë që të dëgjojmë zërin tënd të ëmbël për kthim dhe pendim, hape gojen tonë që të dëshmojmë me fjalë dhe me vepra. Amen!

 

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër e motra, t’ ia drejtojmë lutjet tona Zotit duke kërkuar që të na jep fuqi për të na shndërruar në përngjasimin e Birit të vet Jezusit, të themi së bashku:

Na dëgjo nëpër Birin tënd, o Atë!

– Për Kishën tënde të udhëhequr nga barinjtë: që të jetë besnike në dërgim duke ua kumtuar shpëtimin të gjithë njerëzve, të lutemi:

– Për të gjithë udhëheqësit e popujve: që të jenë të ndershëm dhe të angazhohen për të mirën e atyre që i kanë në kujdes, të lutemi:

– Për njerëzit me nevoja të veçanta: që të kenë ndihmën e përshtatshme për një jetë me të lehtë dhe me të sigurt, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm: që të jemi të aftë për të dëgjuar. për të kuptuar dhe për të dëshmuar lavdinë që na e zbuloi Jezu Krishti Zot, të lutemi:

– Për të gjithë të vdekurit tanë: që të gëzojnë dritën e jetës së pasosur, të lutemi:

O Hyj, Ti në Birin tënd na tregove dashurinë e mëshirshme dhe nëpër të na ripërtërite në bashkësinë e jetës: mos na e mungo kurrë kujdesin atërorë, por na ndihmo që nëpër Shpirtin shenjtë me fjalë dhe vepra të tregojmë dhe dëshmojmë praninë tënde në botë.Që jeton e  mbretëron në shekuj të shekujve. Amen!

 

Pëgatiti:Dom Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »