FJALIMI I IMZOT DODË GJERGJIT NË HAPJEN E EKSPOZITËS SË FOTOGRAFIVE TË SH.H.B. “NËNË TEREZA” ME RASTIN E 25 VJETORIT TË THEMELIMIT

Sep 7 • Kisha në Kosovë

Katedralja Nënë Tereza, Prishtinë 2015

 

Miq të respektuar,

Vëllezër e Motra!

 

Këtë vit përkujtojmë 25 vjetorin e themelimit të Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza”, këndej është mirë të falënderojmë Zotin për këtë vepër të madhe që Hyji e bëri me ne dhe për ne. Duke u frymëzuar nga shembulli i Gonxhes sonë, në atë kohë, para 25 viteve, burra e gra, të rijnë dhe të reja, profesionistë dhe punëtorë, hapën zemrën dhe kuletën, për të përballuar urrejtjen e shtetit ndaj qytetarëve të vetë, i cili mendonte se duke ju mohuar bukën, shërbimet dhe punën, do t’i nënshtronte më lehtë .

Kisha e falënderon Zotin, që nëpërmjet të bijve dhe bijave të veta i prini kësaj rezistence bamirësie.

Tani pas 25 viteve shërbimi, pune dhe sakrifice, dëshirojmë t’i lutemi Hyjit, me ndërmjetësinë e Nënë Terezës, për të gjithë ata që kontribuan, për të gjithë ata që përfituan dhe për të gjithë ata që punuan, sidomos gjatë dekadës së parë të veprimtarisë së saj. Puna e përbashkët në bamirësi ndihmojë njerëzit tanë që të mos i nënshtroheshin regjimit për kafshatën e gojës.

Një mirënjohje e veçantë i shkon sot, Ipeshkvit tonë fort të dashur Imzot Nikë Prelës, i cili e pranojë këtë mision të Kishës, drejtuesit e kësaj vepre Don Lush Gjergjit dhe të ndjerit Jakë Mitës, dhe shumë veprimtarëve e veprimtareve të tjerë, që janë në mesin tonë ose që i janë bashkuar të Lumes Nënë Terezës në qiell.

Urojë që kjo ekspozitë të freskojë kujtesën tonë dhe të lë sadopak gjurmë në memorien e të rinjve tanë.

Sot, sikur dihet, Shoqata “Nënë Tereza”,  s’e ka më rrolin e një lëvizjeje bamirëse për qëndresë popullore. Ajo tani i bashkohet shoqatave joqeveritare simotra që së bashku me të tjerët vazhdon të japë kontributin e vetë modest në fushën e humanizmit e të bamirësisë.

Kisha i prini kësaj lëvizjeje, por megjithatë,  vepra humanitare e kësaj shoqate mbetet, trashëgimi e humanizmit të përbashkët e të gjithë qytetarëve të Kosovës, katolik e mysliman, shqiptarë e jo shqiptarë.

Zoti e bekoftë sakrificën e secilit prej jush!

Shpërndaje

Comments are closed.

« »