ÇFARË THJESHTOHET NGA PROCESI I PAVLEFSHMËRISË SË MARTESAVE?

Sep 9 • Kisha në botë

Nga Gjergj Meta

 

Dje Papa Françesku ka publikuar në organet e shtypit të Selisë së Shenjtë (www.vatican.va) dhe në Osservattore Romano dokumentin në formën e Motu proprio me titull Mitis iudex dominus Iesus, me anë të të cilit ai vë dorë në librin VII të Kodit të së Drejtës Kanonike, pikërisht në Pjesën III, Titulli I, Kapitulli I, rreth çështjeve të deklarimit të pavlefshmërisë së martesës (kann. 1671-1691).

Lënda e këtyre kapitujve ndryshohet pothuajse thelbësisht, në mënyrë të veçantë duke pasur parasysh disa aspekte. Qysh në nisje të letrës Apostolike Papa Françesku na paraqet nënshtratin ekleziologjik në të cilin është mbështetur letra e pikërisht ai i kujdesit të barinjve të Kishave të veçanta për Kishën që u është besuar (khs. LG, 27). Pikërisht ipeshkvijve dioqezan, e nëpërmjet tyre gjyqtarëve në kishat e veçanta, u jepen më shumë kompetenca në lëndën e proceseve të pavlefshmërisë së martesave. Është në kuptimin e plotë të fjalës një dokument baritor që do të duhej ta lexonin edhe meshtarët e famullitarët që nuk janë ekspertë në fushën kanonike.

Thjeshtimi i proceduravedhënia e më shumë kompetencave vendimarrëse ipeshkvijve dhe shmangia e vonesave të kota për këto procese kanë qenë në sfond të motivimit të Papës për këtë letër. Gjendemi përballë një reforme historike sa i përket lëndës së martesës në ligjin e Kishës, e cila është e treta në radhën e saj pas Benediktit XIV dhe Papës Piu X.

Mund të themi se ky dokument pritej nga shumë anë. Në radhë të parë nga vetë personat që kanë probleme me martesat e tyre dhe duan të dinë të vërtetën e një martese të dështuar, së dyti nga gjyqtarët që janë protagonistët e këtyre proceseve. Por edhe nga ipeshkvijtë e barinjtë e shumtë që jetojnë çdo ditë me vështirësitë dhe problemet e personave që kanë probleme me martesën e tyre. Po ashtu edhe Sinodi i Jashtëzakonshëm i vitit të kaluar e Instrumentum Laboris i këtij Sinodi, që po vjen, kanë kërkuar me forcë rishikimin e normave për procesin e pavlefshmërisë së martesave.

Po ashtu edhe në përgjigjet e pyetësorit të dërguara nga Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë është kërkuar një gjë e tillë e cila ka dalë shpeshherë edhe nga diskutimet në Tribunalin e Konferencës Ipeshkvore, e po ashtu në takime të ndryshme e sidomos kërkesat gjithnjë e në rritje në realitetin shqiptar, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë e në Mal të Zi.

Çfarë në thelb nuk ndryshon e çfarë ndryshon me këtë dokument në lidhje me lëndën e proceseve për deklarimin e pavlefshmërisë së martesës?

Po të ndjekim rrjedhën e dokumentit shikojmë se dy gjëra nuk ndryshojnë.

Së pari është pazgjidhshmëria e martesës. Ajo nuk vihet në diskutim. Martesa mbetet një sakrament e për këtë arsye është e pazgjidhshme. Pra thjeshtimi i proceduarave ka të bëjë me ato raste kur konstatohet pavlefshmëria e lidhjes sakramentore. Në fakt në dokument Papa thotë: “…kam vendosur të vë dorë në reformën e proceseve të pavlefshmërisë së martesës … duke qëndruar i pandryshuar parimi i pazgjidhshmërisë së martesës”. Atëherë këtu nuk bëhet fjalë që të zhvlerësohet institucioni i martesës që mbetet një sakrament dhe i pazgjidhshëm, por të shikohet mundësia që aty ku konstatohet pavlefshmëria e martesës ajo të deklarohet pa kaluar në shumë ndeshtrasha juridike. Çka tjetër nuk ndryshon është rruga gjyqësore e trajtimit të kësaj lënde. Do të jetë gjithmonë një kolegj gjyqtarësh (ose një gjyqtar i vetëm (unicus iudex) në rastet e veçanta) që do të gjykojë çështjen pasi të jenë ndjekur të gjitha procedurat. Nuk është i mundshëm procesi administrativ për këto çështje.

Atëherë çka ndryshon dhe thjeshton këto procedura janë gjërat e mëposhtme. Sipas normës aktuale, që një vendim gjykate për deklarimin e pavlefshmërisë së martesës të bëhet ekzekutiv duhet patjetër të jenë dy vendime pozitive, të dy gjykatave të ndryshme. Pas vendimit të shkallës së parë procesi kalonte ex-officio në apel i cili për ta bërë vendimin ekzekutiv duhet të jepte një vendim tjetër pohues, përndryshe ai mbetej i paekzekutuar dhe mund të apelohej në Tribunalin e Rota Romana-s. Ishte kjo një normë e 300 viteve më parë qysh në kohën e Benediktit XIV për të shmangur abuzimet me ndarjen e martesës. Sikurse bën të qartë Prof. Paolo Moneta, një nga anëtarët e komisionit të reformës, ishte një normë e padobishme (Avevnire online, 09.08.2015). Papa Françeksu e ndryshon këtë normë e tanimë me normën e re: “vendimi i cili ka shpallur herën e parë pavlefshmërinë e martesës … bëhet ekzekutiv”. Pra tanimë nuk ka nevojë për dy vendime pohuese, pasi mjafton shkalla e parë dhe vendimi bëhet ekzekutiv. Kjo përveç në rastet kur o njëra palë ose mbrojtësi i lidhjes, ose promotor iustitiae bën apelim të vendimit.

Një risi tjetër e rëndësishme është edhe fakti se ipeshkvit dioqezan i kujtohet detyra e tij si gjyqtar, që rëndom është deleguar te gjyqtarët (Kan 135 § 3; kan 1419 § 1). Mbetet gjithmonë ipeshkvi gjyqtari në një dioqezë. Është pjesë e munus-it të tij baritor dhe reforma e re e bën ipeshkvin protagonist në gjykim për këto raste. Para ipeshkvit mund të bëhet procesi me i shkrutur (procesus brevior), i cili mund të verifikohet në rastet kur “kërkesa vjen nga të dyja palët ose së paku me pëlqimin edhe të tjetrës palë dhe ekzistojnë rrethana faktesh apo personash, të mbështetura nga dëshmi o dokumente që nuk kërkojnë një investigim apo hetim  të detajuar dhe shfaqin hapur pavlefshmërinë. Edhe ky është një thjeshtim për ato raste ku vlefshmëria konstatohet në mënyrë të qartë e sidomos kur ka një siguri morale nga ana e ipeshkvit. Megjithatë në rastet kur ipeshkvi e shikon se mungon ndonjëra prej rrethanave të mësipërme atëherë ia rijep çështjen një kolegji gjykues që të kalojë në procesin e tij normal. Është interesante të konstatohet se në kan 1687 § 3 thuhet se vendimi i ipeshkvit mund të apelohet te Metropoliti, ose nëse e vendos metropoliti te ipeshkvi më i vjetër i Metropolisë, ose gjithsesi e gjithmonë mbetet e drejta e apelimit te Rota Romana. (Për ta ilustruar mund të thuhet që nëse fjala vjen ipeshkvi i Rrëshenit merr një vendim për një çështje martesore, mund të bëhet apel te selia e Metropolitit në Tiranë, por nëse vendimin e ka marrë Metropoliti i Tiranës atëherë çështja në apel shkon te njëri nga dy ipeshkvijtë kush të jetë më i vjetri). Një normë e re kjo shumë e rëndësishme.

Përtej këtyre detajeve teknike mund të themi se Papa Françesku, duke vepruar përpara se të mblidhej Sinodi i ardhshëm i Zakonshëm i ipeshkvijve, ka dhënë një shenjë konkretësie të afërsisë së tij me personat që kanë probleme martesore. Jam i sigurt se do të jetë një dokument që do të krijojë ndoshta diskutim brenda Kishës, por që përmban një kujdes baritor të jashtëzakonshëm të Papës për besimtarët që vuajnë për shkak të martesave të tyre të dështuara. Po ashtu tanimë ipeshkvijtë kanë një përgjegjësi të madhe, e cila sipas mendimit tim shkon në dy kahe. Së pari është përgjegjësia për të martuarit të ndarë e së dyti përgjegjësia e ngritjes dhe pajisjes me strukturat e nevojshme pastoralo-juridike që do të merren me këto çështje.

E kam ndjerë edhe vetë nganjëherë peshën e telefonatave të personave që kanë dëshirë të dinë për të vërtetën e martesës së tyre e që për shumë arsye u është vonuar drejtësia. Sikurse thotë një shprehje latine iustitia dilata iustitia negata (drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar).

Qysh në fillim të dokumentit citohen fjalët e fundit të Kodit të së Drejtës Kanonike, që thotë se duhet të kihet parasysh gjithmonë e mira e shpirtrave që është edhe ligji i epërm i Kishës (Salus animarum suprema lex). Megjithatë duhet thënë se ky është vetëm një aspekt, njëra anë e medaljes. Shpresojmë që Sinodi i ardhshëm i Ipeshkvijve rreth Familjes do të sjellë risi të reja sidomos në praktikën baritore të Kishave tona.

Në analizën e risive për momentin mjaftojnë këto. Sigurisht ka ende kohë deri me datë 8 dhjetor 2015, kur të hyjë në fuqi që të bëhen komente edhe më të detajuara. Shpresoj që bashkë me mua edhe kolegët e mi kanonistë në Shqipëri e në Kosovë të hapim një debat e sidomos të punojmë në aplikimin e këtyre normave.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »