NËNË TEREZA: FIGURA MË FISNIKE E POPULLIT TONË

Sep 9 • Kisha në Kosovë

Festa e të Lumes Nënë Tereza në Katedralen e Prishtinës

 

Teksti: Linda Gjokaj

Fotografitë: Besim Ndau dhe Lekë Laçi

 

Në katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë, me 5 shtator u kremtua festa e humanistes së madhe shqiptare, e Lumja Nënë Tereza.  Besimtarët e krishterë, si dhe vizitorë të shumtë, ishin të pranishëm  në treditëshin e  organizuar nga Ipeshkvia e Kosovës, për nder të figurës së nobelistes shqiptare. Ndërsa kjo festë, u kurorëzua me përurimin e himnit të Nënë Terezës, që ishte një përmbyllje e jashtëzakonshme përkujtimit të jetës dhe veprave të shenjtëreshës shqiptare.

Gjatë këtyre ditëve, pati organizime të shumta, kudo të shoqëruara me frymën e humanizmit dhe bamirësisë, në mënyrë që gjithçka t’i përafrohej sa më tepër figurës dhe qëllimit që kishte Nënë Tereza për botën.

Me 2 shtator, në Katedralen “Nënë Tereza” në Prishtinë ishte mesha e shenjtë e udhëhequr nga Don Rrok Gjonlleshaj, famullitarë i Prishtinës. Pas meshe, u hap ekspozita me fotografitë e Shoqatës Humanitare Bamirëse “Nënë Tereza.” Ky manifestim artistik, ishte një rrugëtim bamirës 25 vjeçar i kësaj organizate me fotot e së cilës kudo reflektohej buzëqeshja dhe dashuria e më të varfërve, ashtu siç dëshironte t’i shihte gjithmonë Nënë Tereza.

Me 3 shtator ishte mesha e shenjtë, e udhëhequr nga drejtori i Shkollës Don Bosco në Prishtinë, Don Izidor Llukiq, që me përshpirtëri dhe uratë nderohej Nëna e madhe me zemër të madhe për njerëzimin.

Me 4 shtator, meshën e udhëhoqi biografi i njohur i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, kurse pas meshe, rreth orës 19:00 besimtarët dhe njerëzit vullnetmirë shkuan për të ndezur qirinj te shtatorja e Nënë Terezës në sheshin me të njëjtin emër.

Me 5 shtator, dita e festës së Nënë Terezës, u mbajt mesha kryesore-solemne, e cila mblodhi të rinj të reja nga e gjithë Kosova të ardhur për të nderuar Nënën tonë me përmasa hyjnore. Gjatë meshës, u lexua himni i Shën Palit që predikon fuqinë e jashtëzakonshme të dashurisë, virtyt ky që përcolli Nënë Terezën gjatë gjithë jetës së saj. Si dëshmi që ajo jetoi për t’i bërë të lumtur të tjerët në një nga letrat e saj ajo shkroi: “Sikur ta dini sa shumë dua ta ndez zjarrin e dashurisë e të paqes në gjithë botën”, prandaj kudo që ajo është e pranishme, nuk mund të mungojë Shën Pali, i cili sipas saj, ishte shembull i pashoq i unifikimit të qenies njerëzore me Krishtin.

Të shoqëruar gjithnjë nga madhështia e veprave të saja, mesha vazhdoi me predikimin e Ipeshkvit  Dodë Gjergji, i cili, paraqiti  një rrugëtim të jetës së dinjitetshme të shenjtëreshës. Predikimi i  Imzot Gjergjit ishte një gërshetim i fesë së Nënës Terezë dhe dashurisë që ajo pati për popullin tonë. Tashmë është shumë e qartë, se, teksa flitet për këtë Nënë të mbarë njerëzimit, në asnjë moment nuk mund të anashkalohen edhe motivet kombëtare që mbartë me vete kjo figurë kaq e lartësuar. Duke qenë një shembull i rrallë i historisë së njerëzimit, humaniteti i Nënës Terezë do të mbetet sot e përgjithmonë aktualitet që kërkon zemra të mëdha, për të përmbushur qëllimet e saja të pashembullta, prandaj edhe mesazhi i Dodë Gjergjit ishte një thirrje për të pranishmit që të ndjekin hapat e kësaj shenjtëreshe.

Nënë Tereza, edhe vet e tha se dëshironte të ishte “Apostull e Haresë”, prandaj për të nderuar edhe më tej shenjtëreshën shqiptare, pikërisht në ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë, një tekst i shkruar nga ajo, u shndërrua në melodi të këndshme. Himni i Nënës Terezë, u përurua nën tingujt e kompozitorit Lorenc Antoni, solistes shqiptare me famë botërore Inva Mula, dhe Filarmonisë së Kosovës, Filharmonisë së Shqipërisë dhe asaj të Maqedonisë.

Himni, ndonëse është një mesazh lamtumirës i Nënës Terezë, në thelb, është një lumturi e pakrahasueshme e shpirtit të saj prej shërbëtoreje për më të varfëritë e Indisë. Kjo ceremoni madhështore, solli në katedralen e Prishtinës figura nga skena politike e kulturore, prijës fetarë e shumë qytetarë të tjerë, kështu duke dëshmuar që harmoninë e paqen e kemi trashëguar nga vetë Nënë Tereza.

Imzot Dodë Gjergji, në fjalën përshëndetëse në koncert tha se ky është një moment i jashtëzakonshëm i unifikimit të shqiptarëve: “Është punë e madhe që jemi bashkuar si komb, pushtetarë e klerikë, artistë e dashamirë të kulturës, të famshëm dhe të thjeshtë, të krishterë e mysliman, ateist e agnostik, ta këndojmë këtë himn Nënë Terezës”- tha ai.

Ashtu siç e ka pasur për zemër Nënë Tereza të gjithë popullin shqiptar, kisha katolike gjithnjë po bën përpjekje të trashëgojë traditën e saj, jo vetëm përmes përkujtimit të figurës së saj të madhërishme, por edhe në aktivitete dhe manifestime të ndryshme.

 

1

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11

12

13

14

1

2

3

4

5

6

7

8

9

10

11

12

13

14

15

16

17

18

19

20

21

22

Shpërndaje

Comments are closed.

« »