SHËN MARIA, “SHKALLA” E TË KRISHTERËVE PËR QIELL

Sep 9 • Kisha në Kosovë

Dje, më 8 shtator, në Famullinë e Becit (Komuna e Gjakovës), u kremtua festa e lindjes së Shën Marisë Virgjës. Meshën e shenjtë, para qindra besimtarëve, e udhëhoqi Don Shan Zefi, vikar ipeshkvor, në bashkëmeshim me disa meshtarë të dekanatit.

“Në këtë kishë të Zojës së Bekuar ne takohemi me Nënën tonë qiellore. Këtu takohen ata që besojnë dhe shpresojnë në Zotin dhe Nënën e tij”, u potencoi Don Shani, duke treguar arsyen e bashkimit në këtë kremtim.

Duke e potencuar thjeshtësinë e jetë së Shën Marisë Virgjër dhe dukjet e saja gjatë historisë së Kishës, predikatari shtoj se Zoja e bekuar nuk shfaqet, dëftohet në metropole plotë zhurmë, por në shpella dhe koshëza të vogla, na shfaqet në thjeshtësi dhe jep mesazhe të mëdha dhe të forta për kthim, pendim dhe jetë në vlera shpirtërore.

Për fat të keq – vazhdoi Don Shani – shumë njerëz nuk gjejnë as rrugë as kohë për tu takuar në këto festa që japin jetë dhe ndihmojnë ja jetojmë jetën tonë në hirin e Zotit.

Papa Benedikti XVI, me një rast pati thënë: “Zoja e Bekuar është dera e krishterimit, por edhe banesa e Hyjit. Zoja e Bekuar është shkallë që ngritët në qiell.” Në kryqe të përditshme të jetës, njeriu bashkë me Zojen e Bekuar, arrit shkallë-shkallë në qiell dhe ky është ngushëllim për ne.

Maria Virgjër pati qenë e pëlqyer prej Hyjit që nga amshimi, e ruajti nga mëkati që të jetë banesa e të Amshuarit, prandaj ne duhet të kemi besim dhe të kemi shpresë si bijtë dhe bija e saj. Kjo e tregon se dashuria e Zotit ndaj nesh ka qenë dhe është e pakusht, dhurim hyjnor që tregohet edhe përmes Marisë.  Zoti na ka dhënë gjithçka prandaj edhe ne duhet t‘ i japim Zotit diçka, të pranojmë, sikurse Zoja e Bekuar, të bëhet vullneti i Tij në jetën tonë.

Në fund Don Kolë Zefi, famullitari i kësaj kishe, falënderoi Don Shanin për meshën dhe fjalët e nxitëse që na i dhurojë për këtë festë të dashur për besimtarët. Falënderoj gjithashtu edhe  meshtarët që bashkëkremtuan, motrat e nderit për praninë e tyre dhe të gjithë besimtarët e pranishëm. Dita e festave të famullive është përherë një rast i volitshëm takimi dhe urate, qëndrimi të përbashkët, ashtu si e dëshiron edhe vetë Hyjit, që të jemi të bashkuar në gëzime, në festa e të dëshmojmë bashkimin kishtar të rrethuar rreth Shën Marisë Virgjër, ashtu si apostujt në fillimet e Kishës. (M.D.)

1

2

3

4

5

6

7

8

9

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »