SHPIRTI I ASIZIT ZBRET NË TIRANË

Sep 10 • Kisha në botë

Ideja e Shën Gjon Palit II ishte profetike. Ishin këto fjalët që mund t’i dëgjoje këto ditë në Tiranë,  në kryeqytetin e Shqipërisë, vendi i takimit ndërkombëtar “Paqja është gjithmonë e mundshme – Religjionet dhe kulturat në dialog” i organizuar nga Sant’Egidio.

Ideja e Papa Gjon Palit II që kishte zënë fill në vitin 1986, duke i mbledhur të gjithë krerët e religjioneve të botës në Asizi të Italisë, në qytetin e varfanjakut Shën Françeskut, për tu lutur për paqe, sot e vazhdon komuniteti i Sant’Egidios, një lëvizje kjo postkonciliare katolike që angazhohet për promovimin e paqes, duke dialoguar mes religjioneve dhe kulturave, politikës, ekonomisë e fushave të tjera të implikuara.

Shpirti i Asizit ka krijuar një shtegtim që ka përshkuar botën duke takuar burra dhe gra, që së bashku të bëjnë të mundur paqen në botë.

Ky Shpirt i Asizit sivjet ka zbritur në Tiranë për t’i takuar krerët e botës së besimit. Për tri ditë, 6-8 shtator 2015, Tirana ishte qyteti i besimeve të botës, ku mund të shihje pluralitetin e besimeve, ngjyra, gjuhë, tradita… të ndryshme të të gjitha kontinenteve. Mund të thuhet se Tirana u shndërrua në shpirtin e Asizit.

Motoja e takimit “Paqja është gjithmonë e mundshme” tregon se, siç thotë edhe Papa Françesku në letrën dërguar pjesëmarrësve, paqja është e mundshme sepse “themelin e ka në Zotin”, një e vërtetë që duhet gjithnjë të pohohet e të dëshmohet me ngultë po e deshëm jetësimin e paqes, e posaçërisht sot, kur në shumë pjesë të botës dominojnë dhuna dhe luftërat, emigrimet dhe vdekjet e njerëzve të pafajshëm, si pësojnë  edhe për shkak, përveç tjerash, dhe besimin.

A është e mundur paqja? Nëse do ta donim të gjithë, ajo do të bëhet e mundur. Takimi i sivjet këmbëngulte në këtë premisë; mos të lodhemi duke e ndërtuar paqen së bashku. Sepse ajo nuk do të jetë vetëm një moment deklaratash e mitingjesh, por një proces i përhershëm i angazhimit të të gjithëve, fetarë e jo fetarë, burrështetesh e qytetar, media e shkolla.

Takimi ndërkombëtarë nuk ishte vetëm një takim luteje, por shumë më tepër; një takim shqyrtimesh të kohës së sotme, që përmes paneleve (27 gjithsej) janë rrahur tema të ndryshme fetare, sociale, politike, gjeopolitike, ekonomike, identitare e kulturore.

Pas një viti të vizitës apostolike të Papa Françeskut, i cili e paraqiti Shqipërinë si vendin e bashkëjetesës dhe të harmisë fetare,  Sant’Egidio me bashkëpunim të komuniteteve fetare në Shqipëri dhe Shtetit Shqiptar pohuan përsëri se Shqipëria dhe populli shqiptarë e jeton bashkëjetesën fetare, porse ajo duhet gjithnjë më tepër të punojë për ta ruajur e ushqyer respektin e ndërsjelltë në situata të reja të jetës fetare, duke e respektuar lirinë dhe ndërgjegjen e personave për të besuar.

Ditën e fundit të këtij takimi, është lëshuar një apel për paqe i nënshkruar nga të gjithë krerët e bashkësive fetare botërore, të cilin po e japim të plotë në vazhdim:

APELI I PAQES

Në ftesën e Komunitetit S. Egidio, të Kishës Ortodokse Autoqefale dhe të Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë, ne, njerëz me besime të ndryshme, u mblodhëm në Tiranë, kryeqyteti i një vendi simbolik, përsa i përket bashkëjetesës mes feve, pasi përjetoi përvojën e prepotencës të së keqes, që pati përjashtuar Hyjin dhe lirinë nga jeta e popullit shqiptar.

Falënderojmë autoritetet dhe popullin shqiptar për mikpritjen e shkëlqyer gjatë këtyre ditëve.

Sot bota ndryshon me shpejtësi të madhe dhe ndoshta nuk kemi ditur t’i japim frymëzim të duhur rritjes dhe shndërrimit të botës. Bota jonë rrezikon të mos e kuptojë më kufirin e saj; ndihet e gjithëpushtetshme, ndërkohë që po rriten pushtete pa emër, të cilat luajnë me fatin e popujve.

I dimë mirë vuajtjet që lindin prej idhujtarisë së pushtetit dhe parasë, prej korrupsionit, prej largimit nga Hyji në emër të unit, prej harxhimit të pafre dhe paqëndrueshmërisë ambientale, prej sundimit të njeriut mbi njeriun, prej të çmendur të krijimit të një bote pa praninë e tjetrit, prej dhimbjes së luftërave pambarim, ngjitëse, jashtë kontrollit.

70 vjet pas hedhjes së bombës bërthamore dhe pas Luftës II Botërore, njerëzimi sikur ka harruar që lufta është një aventurë pa kthim. Po! Luftërat sikur janë bërë diçka normale dhe shumë njerëz sikur tërhiqen nga magjepsja e tmerrshme e dhunës. Fuqia e së keqes prek sot miliona fëmijë, gra, pleq, familje; krijon luftëtar të kapur pas një logjike të dhunës dhe të marrëzisë. Dhjetëra miliona refugjatë dynden në Azi, në kufij me Europën, si dhe në zona të tjera të botës.

Shekulli ynë XXI ndodhet në udhëkryq, mes nënshtrimit dhe një të ardhmeje plotë shpresë, mes indiferencës dhe solidaritetit. Duhet të globalizojmë solidaritetin, duhet të hapim dyert e zemrës sonë, duhet t’i hapim dyert e vendeve ton, pasi nuk ka as mure as tela me gjemba që mund të ndalin nevojën e jetës dhe garancinë e një të ardhmeje për fëmijët tanë. Besimeve po u themi: le ta ndihmojmë botën të gjejë një përgjigje njerëzore ndaj luftërave, ndaj shpërnguljeve që po ndodhin në shkallë botërore, ndaj krizës mjedisore, ndaj varfërisë në përmasa të mëdha dhe për kuptimin që shumë njerëz kërkojnë në jetën e tyre.

Si liderë të besimeve dhe kulturave të ndryshme ndjejmë imperativin moral që ta ndihmojmë botën të mos vetëshkatërrohet, të mos mbys ndjenjat njerëzore.

Qeveritarëve u themi: lufta nuk fitohet me luftë; ky është gabim trashanik! Lufta gjithmonë të ikën nga duart. Mos kini iluzione të kota! Lufta bën çnjerëzore popuj të tërë. Le të fillojmë nga dialogu, i cili është art i madhe dhe ilaç i pazëvendësueshëm për pajtimin e popujve.

Besimeve tona u kujtojmë: lufta nuk është kurrë e shenjtë, eliminimi dhe shtypja e tjetrit në emër të Zotit është gjithmonë blasfemi. Eleminimi dhe shtypja e tjetrit dhe e historisë së tij, duke e përdorur emrin e Zotit është tmerr.

Le të rritet një lëvizje popujsh për paqen dhe për rezistencën ndaj terrorizmit dhe dhunës. Shpirti i Asizit le të na udhëheqë të bëhemi më të guximshëm në kërkim të paqes dhe në sendërtim të shoqërive, në të cilat bashkëjetesa mes njerëzve të ndryshëm të jetë paqësore dhe pozitive.

Paqja rrjedh prej Hyjit: le t’i lutemi Atij, pra, dhuratën e pandashme të paqes. Kjo është gjuha e së ardhmes. Le të mësojmë përsëri, të gjithë, gjuhën e dialogut dhe të paqes.

Paqja është gjithmonë e mundshme. Prandaj, duhet ta ndërtojmë atë së bashku, të gjithë, besimtarë dhe jo besimtarë. Le ta ndërtojmë paqen! Me ndihmën e Zotit do ta shndërrojmë këtë kohë në një kohë paqeje. Sepse asgjë nuk është e pamundur për Zotin.

Në Tiranë, më 8 shtator 2015

(vijojnë nënshkrimet e krerëve fetarë të botës)

Përgatiti: Revista “DRITA”

0

1

2

3

4

5

6

Shpërndaje

Comments are closed.

« »