TA DUASH ARMIKUN – PSE UNË?

Sep 10 • Meditimi i ditës

10 shtator 2015 – e enjte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Hyji është me mua. Madje më shumë: Hyji është në mua, ai bën që unë të ekzistoj.

Një moment do të pushoj në praninë jetëdhënëse të Hyjit

në trupin, mendjen, zemrën time, në tërë jetën time.

 

Liria

 

Në realizimin e lirisë së brendshme më së shpeshti më bllokon prirja ime

që lejoj të robërohem nga frika dhe duke pritur atë se çka do të nevojitej apo duhej të isha.

Reagimet e mia të zakonshme më pengojnë që t`i kërkoj fusha të ndryshme të zhvillimit dhe rritjes sime.

Do të lus për një ndjenjë më të madhe të lirisë së brendshme

dhe që të mund të arrij diçka të re nga ajo çka Hyji kërkon prej meje.

 

Vetëdija

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çfarë ndjej realisht.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam përnjëmend.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 6, 27-38

 

27 “Por po ju them juve që më dëgjoni:

‘Duajini armiqtë tuaj,

bëjuni mirë atyre që ju urrejnë,

28 bekojini ata që ju mallkojnë, lutuni për ata që dijekeqas ju mundojnë’.

29 Atij që të bie njërës faqe, ktheja edhe tjetrën! Atij që ta rrëmben pallton, mos ia ndal as këmishën! 30 Secilit që lyp prej teje, jepi, e atij që merr gjënë tënde, mos i kërko ta kthejë!

31 Si dëshironi t’ju bëjnë juve njerëzit, ashtu bëjuni edhe ju atyre!

32 Nëse i doni vetëm ata që ju duan, çfarë merite të veçantë pritni? Sepse edhe mëkatarët i duan dashamirët e vet. 33 Edhe nëse, [pra] u bëni mirë vetëm atyre që ju bëjnë mirë, çfarë merite të veçantë pritni? Aq bëjnë edhe mëkatarët. 34 E në qoftë se u huazoni vetëm atyre, prej të cilëve shpresoni se do t’ju kthejnë, ç’shpërblim do të keni? Edhe mëkatarët u huajojnë mëkatarëve, por që t’u kthehet aq sa dhanë.

35 Por ju duajini armiqtë tuaj, bëni mirë e huazoni pa pritur se do t’ju kthejnë gjë. Kështu do të jetë i madh shpërblimi juaj dhe do të jeni bijtë e të Tejetlartit Zot, sepse ai ua do të mirën edhe mosmirënjohësve e të këqijve.

36 Bëhuni edhe ju të mëshirshëm sikurse (edhe) Ati juaj është i mëshirshëm.”

37 “Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni! Mos dënoni e nuk do të dënoheni! Falni e do të gjeni falje! 38 Jepni e do t’ju jepet: masë e mirë, e dendur, e tundur, me grumbull do t’ju jepet

nën sqetullën tuaj: sepse me atë masë që të matni, do t’ju matet edhe juve në kthim.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Jezus, ti sërish e rrotullon të menduarit tonë. Dashuria ndaj armiqve është në kundërshtim me natyrën e njeriut, por kjo është pikërisht ajo që ti kërkon prej nesh.

– O Zot, unë jam, siç thua ti, “mëkatar”, – kur të tjerët më lëndojnë e mbyll zemrën time para tyre dhe i ndëshkoj siç di më së miri. Tani po kërkon prej meje t`i pranoj armiqtë në zemrën time dhe të kem mëshirë për ta.

– O Zot, po të lus, ma ndrysho zemrën ose kurrë nuk do të bëhem “biri Tejetlartit.” Bëj që ta kaloj kohën duke menduar se sa i mëshirshëm je ndaj meje edhe kur jam”mosmirënjohës dhe i mbrapshtë.” Kjo do të më ndalë para se të filloj t`i gjykoj dhe dënoj “armiqtë” e mi.

 

Bashkëbisedimi

 

Fjalët nuk po më vijnë lehtë, o Zot.

Shiko në zemrën time dhe shih se sa shumë e dëshiroj paqen.

Më ruaj, o Zot. E di që gjithmonë je pranë meje.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »