DHURATA E TAKIMIT

Sep 11 • Familja

Të gjithë e dinë se martesa, përveç disa përjashtimeve, dështon për arsye të gabimeve njerëzore. E të gjithë e dinë se gabimet njerëzore lindin nga mungesa e vëmendjes. Fjala “vëmendje”, në fjalor përkufizohet “ta kthesh mendjen drejt diçkaje”. Pyetja e sotme është: “Nga duhet ta kthejnë mendjen dy njerëz që duan të martohen e nuk duan të bëjnë gabime?”.

Pra, kujt e cilave gjëra duhet t’i kushtojnë vëmendje? Duket si diçka krejtësisht e qartë, por jo gjithnjë kuptohet se fillimisht, dy të fejuar duhet të mendojnë si ka lindur dashuria e tyre. Vëmendja e tyre duhet të përqendrohet në çastin e në dinamikën e “takimit” të tyre. Ç’ndodhi në të vërtetë në atë takim?

Nëse shqyrtojmë takimin ndërmjet një burri e një gruaje, vërejmë pa e shtrydhur shumë trurin, se mund ta quajmë më së miri “dhuratë”, një dhuratë që e mbush gati si me magji vetminë e njërit, apo të tjetrit. E njëjta gjë do t’i ketë ndodhur edhe Adamit, kur mori Evën si dhuratë. Në atë çast e kuptoi “identitetin” dhe “misionin” e vet. Burri e gruaja lindin të pavarur e të vetëm, por orientohen natyrshëm drejt takimit. Sa herë e kemi ëndërruar këtë takim si adoleshentë! E kur vjen koha e duhur, ja edhe dhurata falas, që na lejon ta shprehim aftësinë tonë për të dashur.

Rastësia, që e favorizon atë takim, është “providenciale”, është “origjinale” për secilin prej çifteve. E kjo na thotë shumë gjëra për fantazinë e Zotit të dashurisë. Duke e bërë tonën e duke e ushqyer përditë vetëdijen se e gjithë jeta e mëvonshme rrjedh pikërisht nga ajo “dhuratë” e papritur, mësojmë edhe si të sillemi për ta vazhduar pa probleme aventurën bashkëshortore.

Kjo sjellje duhet krahasuar me gjithçka ndjejmë në çastin kur marrim një dhuratë, sidomos kur nuk e presim atë: habi e gëzim, së bashku me dëshirën pa fund për të falënderuar. E jo vetëm kaq. Ai, që e merr dhuratën, bën ç’është e mundur për të mos e humbur, për ta ruajtur të paprekur, për t’ia paraqitur miqve e kështu me radhë… Pra, kush merr një dhuratë jeton përherë në përmasën e falënderimit plot gëzim. Falënderim për dhuratën, që “ekziston”, por sidomos, falënderim për dashurinë që e ka bërë “të ekzistojë”, këtu e tani.

Teksi nga: www.radiovaticana.va, shqip

Shpërndaje

Comments are closed.

« »