KUSH ËSHTË PËR TY JEZUSI?

Sep 11 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXIV gjatë vitit (B)

Lexim i parë (Is 50,5)

Lexim prej Librit të Isaisë profet

Zoti Hyj ma hapi veshin, s’kundërshtova, nuk u zmbrapsa. Shpinën ua solla atyre që më rrihnin, mollëzat e mia atyre që ma shkulnin mjekrën: fytyrën time nuk e largova nga të sharat e pështymat. Zoti Hyj është ndihmëtari im, këndej edhe s’jam i tronditur, prandaj fytyrën time e bëra të fortë si stralli, pse e di se s’do të mbetem i turpëruar. Afër e kam atë që ma jep të drejtën, kush guxon të shtyhet në gjyq me mua?  Le të dalim përballë njëri-tjetrit! Kush është kundërshtari im? Le të më dalë përballë! Ja, Zoti Hyj është ndihmëtari im, kush është ai që do të më dënojë? Të gjithë ata do të brishtohen si petku, tenja do t’i brejë!                                  

Fjala e Zotit

  

Psalmi 115

Ref. Do të eci në praninë e Zotit

————————————————

E dua Zotin sepse e dëgjon

zërin e lutjes sime;

sepse mbi mua e pruri veshin e vet

atë ditë që e thirra në ndihmë.

————————————————

Më kishin rrethuar leqet e vdekjes,

më kishin shtrënguar leqet e nëntokës,

më ndrydhën trishtime e dhembje.

Emrin e Zotit e thirra në ndihmë:

“Deh, o Zot, ma shpëto jetën!”

———————————————–

I mirë e i drejtë është Zoti,

Hyji ynë është vetë mirësia!

Zoti është mbrojtësi i të vegjëlve:

isha ngushtë e Ai më shpëtoi!

————————————————

Ai ma shpëtoi jetën prej vdekjes,

sytë e mi prej lotve,

këmbët e mia prej rënies.

Do të eci në praninë e Zotit

në tokën e të gjallëve.

————————————————-

 

Leximi dytë (Jak 2,14-18)

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Ç’dobi, o vëllezërit e mi, nëse ndokush thotë se ka fe, në qoftë se nuk i ka veprat? A thua mund ta shpëtojë vetëm feja? Në qoftë se ndonjë vëlla ose ndonjë motër janë të zhveshur ose pa ushqimin e përditshëm, dhe ndokush prej jush u thotë: “Shkoni në paqe! Nxehuni dhe ngijuni!”, por nuk u jepni çka u nevojitet për trup, ç’dobi?! Kështu edhe feja: në qoftë se nuk i ka veprat, është e vdekur në vetvete. Por ndokush mund të thotë: “Ti ke fenë, kurse unë kam veprat.” Ma trego ti fenë tënde pa vepra, kurse unë do ta tregoj prej veprave të mia fenë.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Mos e thashtë Zoti të mburrem me tjetër send, përveç me kryqin e Zotit tone Jezu Krishtit, nëpër të cilin për mua bota u kryqëzua e unë për botën.

Aleluja!

 

+ Ungjilli (Mk 8,27-35) 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” Ata i përgjigjën: “Disa thonë se Gjon Pagëzuesi, do tjerë Elia, do tjerë prapë se je njëri ndër profetë.” Atëherë i pyeti ata: “Po ju, kush thoni se jam?” “Ti je Mesia!” – i përgjigj Pjetri. Ai u urdhëroi rreptësisht të mos i tregojnë askujt këtë gjë për të. Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. Jezusi u soll shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk i ke ndërmend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”. Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha: “Nëse ndokush do të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.”         

Fjala e Zotit

  

POROSIA 

Në leximin e parë, profeti nuk dëgjohet, por përbuzet, vuan dhe është i persekutuar. Por, prapëseprapë ai nuk hesht: mëson, qorton dhe shpreson në Zotin. Kështu do të ndodhë edhe me Krishtin, Birin e Hyjit, i cili do të pësoi mundime për mbarë njëzimin, e krahas asaj, shumë njerëz do të jenë larg dhe nuk do të përvetësojnë as mësimet e tija e as rrugën të cilën na e tregoi Ai.

Leximin e dytë nga Shën Jakobi apostull, e kuptojmë nën prizmin e fesë. Feja është dhuratë e Hyjit, pa merita tona, është hir që duhet jetuar. Feja pa vepra është e vdekur, thotë Shën Jakobi, prandaj të pyesim çfarë është feja jonë? A është një fe tradicionale, apo një fe personale? Feja personale është jeta me Zotin, komunikimi i përhershëm me Të, lutja dhe përshpirtëria që bëjmë për të mirën tonë. Dëshmia e fesë ndodhë kur kemi vepra të mira, prandaj pyesim çfarë janë veprat dhe sjelljet tona? Sepse Shën Jakobi na qorton e na thotë feja pa vepra është e   vdekur.

Në Ungjill, Jezusi e bënë një provë për të parë çka mendojnë njerëzit për Të, kush është Ai? Kjo që bënë Jezusi nuk është e paditur për të, ai e din fare mirë çka mendojnë njerëzit për të, por dëshiron të dëgjon nga apostujt, sepse përgjigjja do të jetë më e thellë dhe më shumë vlerë.

Disa thonë se është Gjon Pagëzuesi, profetë apo Elia….kështu mendonin për Jezusin njerëzit, bashkëkohësit e tij, por tani Jezusi dëshiron të dëgjoj kush është Ai për apostujt?

Nder ta, në emër të apostujve u përgjigj Pjetri: Ai thotë: “ti je Mesia, i Shuguruari, Shpëtimtari.” Pjetri përgjigjet nga thellësia e shpirtit dhe nga thellësia e fesë. Jezusi për Pjetrin është i prituri me shekuj, është dhuratë e pastër e Hyjit.

Por, pjesa e dytë e Ungjillit është e pakuptueshme për Pjetrin dhe apostujt tjerë, sepse Krishti paralajmëron mundimin dhe vdekjen. Kjo krijon huti tek apostujt ata nuk mund ta kuptojnë që Jezusi, i cili shëron, ngjall nga të vdekurit, afron kaq shumë njerëz, bënë mrekulli të ndryshme të pësoi për njerëzve t’i nënshtrohet kryqit, mundimit, vdekjes.

Jezusi nuk erdhi që të liroi popullin nga ndonjë robëri e mbretërve të ndryshëm, në këtë rast nga Perandoria Romake, që kishte okupuar Palestinën dhe Izraelin, por erdhi të na shpëtoi nga mëkati, robëria e shpirtit.

Krishti e qorton Pjetrin, i cili dëshiron ta ndaj nga ky vendim që kishte marrë me fjalë shumë të ashpra: mu  hiq sysh he djall…janë fjalë të rënda por prapë të arsyeshme, sepse në logjiken tonë duhet shikuar veprat e Zotit dhe jetën me Zotin, e jo që të orientohemi dhe veprojmë me atë që kërkon trupi dhe teket tona.

Jezusi pastaj prapë i bashkon njerëzit dhe i mëson: “Nëse ndokush dëshiron të vij pas meje, le ta mohoj vetveten, le ta marrë kryqin e vet e të më ndjek”.

Ta ndjekësh Jezusin do të thotë të mos mendosh për veten tënde, por të vihesh në disponim të tij, në shërbim dhe flijim, sepse pa flijim s’ka shëlbim.

Jeta jonë, duhet të jetë në përputhje me atë që na mëson Zoti.

Në një vend të Shkrimit shenjtë, dëgjojmë se si apostulli i thotë Krishtit qe ne lamë çdo gjë e erdhëm pas teje, çka do të fitojmë…..e Krishti numëron shumë gjëra që do të fitojnë, mbi të gjitha jetën që nuk përfundon askurrë, jetën e amshuar.

Të mundohemi të kuptojmë porosinë e leximeve të sotme, të profetëve, që edhe në kushte të vështira, nuk u ndan prej Zotit, por profetizuan në kohë të volitshme dhe të pavolitshme. Të jemi fetar, gjegjësisht besimtar me fjalë dhe me shembull dhe të pranojmë që Jezusi është Mesia, dhe se na duhet të ecim në rrugën në të cilën eci Ai, që një ditë të bëhemi pjesëtarë të Mbretërisë së tij. Amen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE 

T’ i lutemi Zotit, i cili e dërgoi Birin e vet në botë për shpëtimin tonë, por që shpëtimi arrihet nëpërmes kryqit, sikurse na mësoi Ai vet. Të themi së bashku:

Na shëlbo, o Zot!

– Për Kishën tënde, udhëtare në botë, që ta përkrahesh dhe ndihmosh, që duke e ndjekur Krishtin, Autorin e saj, të sjell lajmin e gëzueshëm të shpëtimit të gjithë njerëzve, të lutemi:

– Për Papën tonë Françeskun, ipeshkvin tonë dhe të gjithë ata që janë në shërbim të Ungjillit, që t’ i forcosh në fe dhe t’u ndihmosh të kryejnë me përgjegjësi detyrën që kanë marrë me shugurim dhe përkushtim të plot të jetës, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm, që të mundemi të kuptojmë dhe jetojmë si bijë dhe bija tua, duke e dëshmuar praninë tënde në botë, të lutemi:

– Për të gjithë ata që kanë nevojë më shumë për ndihmën tënde, mos ua mungo këtë ndihmë që të arrijnë shpëtimin, të lutemi:

– Për të gjithë të dashurit tanë që kaluan nga kjo botë bëj që sipas mëshirës sate të gëzojnë jetën e pasosur, të lutemi:

Ty të porositemi o Zot, Hyj që të mbështetur nga mirësia dhe dashuria jote të përparojmë në vepra të mira, që jeton e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »