(SH)NDËRRIM VIZIONESH

Sep 13 • Meditimi i ditës

13 shtator 2015 – e diela 24 gjatë vitit (B), MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

 Prania e Hyjit

 

“Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur prej barrës së rënd dhe unë do t`ju çlodh“.

Ja ku jam, o Zot.

Kam ardhë ta kërkoj praninë tënde.

Shumë e dëshiroj fuqinë tënde shëruese.

 

 Liria

 

Po të donte Hyji të më thoshte diçka, a do të mund ta dëgjoja?
Po të dëshironte të më jepte zemër dhe të më sfidonte, a do të mund ta vëreja këtë?
Lus për hirin e çlirimit nga brengat personale
dhe çiltërinë se çka dëshiron Zoti të më komunikojë.

  

Ndërgjegjësimi

 

Si po e ndiej veten përnjëmend? I/e pa brengosur? I/e turbulluar?
Ndoshta jam i/e qetë, i/e lumtur pse ekzistoj.
Por ndoshta i/e frustruar, i/e brengosur dhe i/e zemëruar.
E pranoj atë çka ndiej përnjëmend.
Sepse Hyji më do pikërisht të tillë siç jam realisht.

 

Fjala

 

O Zot, je bërë njeri për të biseduar me mua;

Ke ecur dhe ke punuar mbi këtë tokë; ke duruar vapën dhe të ftohtët.

Kohën e kalove në tokë duke u përkujdesur për njerëz.

Ke shëruar të sëmurë, ke ngjallur të vdekur; dhe ajo më e rëndësishmja – më ke shpëtuar nga vdekja.

 

Mk 8, 27-35

 

27Jezusi u nis me nxënësit e vet drejt fshatrave të Cezaresë së Filipit. Udhës i pyeti nxënësit e vet:

“Çka thonë njerëzit, kush jam unë?”

28 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa të tjerë Elia, disa të tjerë prapë se je njëri ndër profetët.”

29 Atëherë i pyeti ata:

“Po ju, kush thoni se jam?”

“Ti je Mesia!” ‑ iu përgjigj Pjetri.

30 Ai u urdhëroi rreptësisht të mos ia tregonin askujt këtë gjë për të.

31 Atëherë filloi t’u shpjegojë se Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë; se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh. 32 Ua tha këto krejt haptas. Atëherë Pjetri e ndau në një anë e zuri ta qortojë. 33Jezusi u soll, shikoi nxënësit e vet dhe i bërtiti Pjetrit: “M’u hiq sysh, he djall, se nuk ke ndër mend punët e Hyjit, por punët e njerëzve!”

34 Atëherë grishi popullin bashkë me nxënësit e vet dhe u tha:

“Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, le t’i bjerë mohit vetvetes, ta marrë kryqin e vet e të më ndjekë. 35 Sepse, ai që do ta shpëtojë jetën e vet, do ta bjerrë, përkundrazi, ai që do ta bjerrë jetën e vet për mua e për Ungjill, do ta shpëtojë.

 

Ç`dëshiron të më thuash, o Zot?

 

Disa mendime mbi tekstin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Ky moment vendimtar mbyll gjysmën e parë të Ungjillit të Markut. Jezusi nuk është Mesia që feston, por ai që vuan. Shikuar nga jashtë Pjetri saktë e njeh identitetin e Jezusit, por është i kufizuar nga vizioni i vet tokësor. Pjetri kërkon mënyrën që fjalët dhe jetën e Jezusit t`ia përshtat vetes dhe të menduarit njerëzor. E kupton se në jetën e Jezusit nuk ka vend për kompromis.

– O Zot, pyetja që i është bërë nxënësve është duke jehuar shekuj me radhë, edhe tani po dëgjoj se si po më shtrohet mua. Forcoji lidhjet mes nesh që lidhja e jonë të ndikojë në jetën time. Më mbaj afër teje ndërsa i mbledh kryqet dhe barrët që vijnë nga fakti se jam nxënësi yt.

 

Bashkëbisedimi

 

A jam duke i vërejtur reagimet e mia gjatë kohës kur lus në bazë të Shkrimit Shenjt?

A është ajo për mua sfidë, ngushëllim apo më shtynë të largohem?

Ndërsa e paramendoj Jezusin se është ulur apo qëndron pranë meje,

me mirëbesim, si mikut tim më të mirë, i flas për ndjenjat e mia.

 

Përfundimi

 

Po të falënderoj, o Zot, që munda t`i kaloj këto pak momente vetëm me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.

Si ka qenë në fillim ashtu tash

E përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »