PËRSE HESHT ZOTI?

Sep 14 • Këndvështrime

Me rastin e festës së Lartësimi të Kryqit të Shenjtë

Një legjendë e vjetër norvegjeze flet për një njeri me emrin Haakon, i cili gjithmonë lutej dhe e meditonte figurën e Krishtit të kryqëzuar. Kryqi me Krishtin e kryqëzuar para të cilit ai lutej ishte shumë i vjetër dhe njerëzit vinin para tij  për t`u lutur me shumë besim, dhe shumë vetë i luteshin Krishtit t`ua bënte ndonjë mrekulli.

Një ditë Haakon, murg (vetmitar) donte t`i kërkonte Jezusit një të mirë. I shtyrë nga ndjenja e bujarisë, mirësisë dhe dashurisë u gjunjëzua para kryqit dhe tha: “Zot, dua të vuaj dhe të vdes për Ty. Më lejo ta marr vendin Tënd. Unë dua … të bëhem Ti në kryq.” Dhe duke ia ngulur sytë po e priste përgjigjen. Atëherë Zoti e hapi gojën dhe foli. Fjalët e tij po zbrisnin nga qielli, si një pëshpëritje, por edhe si një paralajmërim: “Shërbëtori im besnik, unë do ta plotësoj dëshirën tënde, mirëpo vetëm me një kusht.” – “Cili është ai, Zotëri? A është diçka e vështirë? Unë jam i gatshëm ta përmbushi me ndihmën tënde, o Zot!” – tha murgu i vjetër. “Dëgjomë mirë: Çfarëdo ndodhtë dhe pa marrë para sysh çka sheh, ti gjithmonë duhesh të qëndrosh në heshtje.” Haakon-iu përgjigj: “Po të premtoj, Zoti im!” Dhe pastaj ata i ndërruan vendet. Askush s`vërente asgjë, askush s`e njihet murgun me gozhda të mbërthyer në kryq.

Dhe një kohë të gjatë ai e mbajti marrëveshjen dhe kurrë askujt s`i foli asnjë fjalë. Por një ditë erdhi një pasanik, dhe pas lutjes e harroi portofolin (kuletën) e tij te kryqi. Haakon-ie pa këtë por nuk bëzajti. Ai s`tha asgjë edhe atëherë kur arriti aty pas dy orëve një i varfër, që e gjeti portofolin e pasanikut edhe e mbajti për vete. Ai nuk lëshoi asnjë fjalë edhe kur menjëherë pas kësaj te kryqi u gjunjëzua një djalosh duke u lutur për bekim para se të nisej për një udhëtim të gjatë. Në atë moment erdhi pasaniku në kërkim të portofolit që e kishte humbur. Duke mos e gjetur atë, i shkoi ndërmend se mos ia kishte marrë djaloshi.

Pasaniku me zemërim filloi t`i bërtiste djaloshit: “Ma jep portofolin që ma vodhe!” Djaloshi iu përgjigj duke u çuditur: “Unë s`kam vjedhur ndonjë portofol!” Pasaniku ia ktheu, “Edhe po gënjen, shpejt të ma kthesh!” Djaloshi ia përsëriste duke i thënë: “Unë po të them, prej askujt s`kam marrë ndonjë qese apo çantë.” Pastaj pasaniku filloi ta godiste i tërbuar. Në atë moment jehoi një zë ifortë: “Ndalni!” Pasaniku i ngriti sytë përpjetë dhe pa figurën që i foli, ishte ky Haakon-i që s`u durua pa folur, por u përgjigj nga kryqi për ta mbrojtur djaloshin dhe duke e qortuar pasanikun për akuzat e rreme. Pasaniku mbeti i shtangur dhe menjëherë u largua, së shpejti shkoi me nxitim edhe djaloshi për shkak se i duhej të udhëtonte. Kur pranë kryqit s`mbeti më askush, iu afrua Krishti shërbëtorit të vet, dhe i tha: “Zbrit nga kryqi, s`je i denjë ta mbash vendin tim. Nuk e mbajte premtimin dhe s`u durove pa folur.”

“Zotëri – i tha Haakon-i – si do të mund ta lejoja një padrejtësi të tillë?”

Jezusi ishte përsëri në vendin e vet të zakonshëm në kryq, kurse murgu qëndronte përbri kryqit. Pastaj Zoti vazhdoi të flasë: “Ti s`e dije që për pasanikun ishte mirë që ta humbiste portofolin e vet, për shkak se ai kishte të holla me ndihmën e të cilave ai kishte ndërmend ta shkelte kurorën duke mëkatuar me një vajzë të re. I varfri, në të kundërtën, bëri mirë që i mbajti të hollat, sepse po jetonte në një varfëri të skajshme. Për djaloshin do të ishte më mirë po ta kishte rrahur pasaniku, sepse atëherë s`do të shkonte në udhëtim. Ja shiko, ai është i vdekur tani, vdiq pak minuta më parë në një anije që u përmbyt. Ti të gjitha këto s`i dije, POR UNË PO. Kjo është arsyeja pse Unë hesht.” Pasi i tha këto, Zoti përsëri filloi të heshtte.

Ne shpesh pyesim veten: Pse nuk po iu përgjigjet Zoti lutjeve tona … Pse Zoti s`po bëzan? Pse po hesht? Shumë prej nesh do të donin që Ai të na përgjigjej në përputhje me dëshirat dhe fantazitë tona … por rruga e Zotit është më ndryshe. Ai e di të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen (Hebrenjve 13,8). Zoti na përgjigjet në heshtje … ne duhet të jemi të gatshëm ta dëgjojmë dhe të presim përgjigjen e Tij.

Autori i panjohur 

(Përktheu: P. Shtjefën Dodes SJ)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »