BIÇIKLETA DYSHE E DASHURISË

Sep 15 • Familja

 

Në shkrimin e mëparshëm (shiko “Dhurata e takimit”), kushtuar familjes, folëm për “vëmendjen” dhe “dhuratën”. Sqaruam se martesa e mirë presupozon bindjen se bashkëshorti është “dhuratë” origjinale, e vetme dhe e papërsëritshme, për t’u trajtuar me kujdes e “vëmendje”, duke e konsideruar njeri të lirë, të ndryshëm nga ne vetë, duke e njohur me dashuri e duke e pranuar ashtu siç është. Sot ia kushtojmë shkrimin jo aq bashkëshortit, por realitetit të ri të krijuar pas takimit të çiftit. Reflektojmë mbi mundësinë që dy të fejuar të vendosin ta jetojnë lidhjen e tyre, pra, të martohen, të hyjnë “në marrëdhënie” të ndërsjella.

 

Kur njerëzit hyjnë “në marrëdhënie”, pra, jetojnë së bashku, bëjnë një hap, që ndryshon krejtësisht nga jeta si të fejuar, ose nga ajo e mëparshme, kur nuk ishin akoma të lidhur me dikë. Ndërveprimi është baza e jetës bashkëshortore e risi absolute në krahasim me më parë. Sa për shembull: kur njeriu jeton vetëm mund t’i lerë gjërat e tij kudo nëpër shtëpi, mund të hajë kur të dojë, mund ta harrojë hapur pastën e dhëmbëve, mund të bëjë lloj-lloj planesh pa pyetur kënd e mund t’i kalojë të dielat sipas dëshirës.

Kur martohesh, duhet ta kesh parasysh edhe tjetrin, të merresh vesh me të e sidomos, të mos shprehësh habi e deri shkandull për faktin se ai i bën disa gjëra ndryshe nga ti. Kur je vetëm në biçikletë ecën siç do ti, por nëse blen një tandem (biçikletë dy vendëse) për dy vetë, natyrisht, duhet të ecësh në harmoni me tjetrin, me të cilin, duhet të merresh vesh me një vështrim, me një fjalë të vetme, me një të lëvizur të dorës. Të dy i japin biçikletës e nëse njëri është më i fortë duhet gjithsesi të presë tjetrin.

Pavarësisht nga imazhi që përdorëm, por edhe me ndihmën e tij, duket qartë se kush dëshiron të martohet nuk mund të mos e kuptojë lidhjen bashkëshortore si thirrje, si vokacion. Të fejuarit duhet të mësojnë si t’i bëjnë gjërat së bashku, pa kujtuar se kjo është diçka që dihet.

Të rimarrim në dorë imazhin e biçikletës dyshe e të bëjmë disa paralelizma.

Dy çiklistët ulen në dy ulëse të ndryshme (janë dy identitete të ndryshme); biçikleta lëviz me forcën e muskujve të tyre (vullneti për të dashur), drejtimi i biçikletës, dhënë nga timoni, është i vetëm (është çifti i kuptuar jo si shumë e thjeshtë e dy vetëve, por si një gjë e vetme); skeleti i biçikletës mund të krahasohet me strukturën që siguron vetë jetën e çiftit (çifti mbetet i bashkuar nëse ndan gjithçka, me kusht që të dijë të komunikojë); dy rrotat mund të konsiderohen si dinamika e dashurisë, e përbërë nga realizmi (ta duash tjetrin në dhimbje e në gëzim, në shëndet e në sëmundje) dhe nga fantazia (sepse duhet fantazi krijuese për t’u dashur çdo ditë, pa u lodhur e pa u mërzitur).

Nga www.radiovativana.va në gjuhën shqipe

Shpërndaje

Comments are closed.

« »