MESHTARËT, BARINJ SIPAS MODELIT TË KRISHTIT

Sep 15 • Kisha në Kosovë

Ushtrimet shpirtërore të meshtarëve në Shenjtëroren e Letnicës

Letnicë, 9 – 11 shtator 2015: Tri ditët e shtatorit ishin zgjedhur për tërheqje shpirtërore për meshtarët nga Kosova dhe Shqipëria, që të mund të kushtohen në lutje dhe meditim pranë Shenjtërores së Zojës së Letnicës. Sivjet ushtrimet e parvjetshme ishin të organizuar bashkërisht me meshtarët nga Shqipëria, që treguan një shpirt bashkimi dhe bashkëndarje vëllazërore të Kishës.

Meshtarët njëherë në vit janë të obliguar të tërhiqen për disa ditë, në lutje, meditimit dhe pëshpirtëri. Janë ditë të posaçme për jetën e çdo meshtari, pse ai takohet me Zotin dhe me vetveten,  reflekton për jetën e tij personale dhe jetën e tij baritore, shpirtërisht rinohet për ecje të re, për të vazhduar punën dhe veprën e besuar në vreshtin e Zotërisë, sipas kërkesës dhe vullnetit të Tij.

Sivjet udhëheqës i ushtrimeve shpirtërore ishte P. Paulo Baldiano, karmelitan, që tash një vit e gjysmë jeton me dy bashkëvëllezër në Nënshat të Shqipërisë.

Temat që u trajtuan gjatë këtyre tri ditëve ishin pjesë të përzgjedhura nga Ungjilli i Gjonit.

Në ditën e parë të tërheqjes u medituan dy tema. E para ishte: Jezusi, Bariu i mirë, me theks të veçantë duke e marrë Jezusin si bariun model, për të mësuar nga Ai si duhet të veprojë bariu, i cili e ka në kujdes grigjën, pra meshtari ndjekës i Jezusit bari. Jezusi është ai Bari që dëgjohet zëri i tij nga delet që i kullot dhe Ai që jetën e vetë e jep për dele.

Tema e dytë ishte Darka e fundit e Jezusit, në të cilën Jezusi ka treguar gjestin e dashurisë. Jezusi shërben, u lanë këmbët apostujve si shenjë përvujtërie dhe dashurie në shërbim të tjetrit; vepër kjo që na e mëson të jemi në shërbim të plotë ndaj vëllezërve dhe motrave.

Në ditën e dytë ishin zgjedhur për meditim dhe shqyrtim teksti nga Gjn 14,1-31, duke dashur të thotë që mos të shqetësohet zemra e apostujve, sepse ai shkon për të përgatitë vendin dhe të gjithë do t‘ i marrë tek vetja. Kjo do të thotë, që me ngjallje, Krishti bashkon besimtarët në një Kishë të vetme dhe të gjithë janë të njëjtë dhe me të drejta të barabarta në kishë, të gjithë janë bijë dhe bijat e Hyjit. Jezusi është Udha: e vetmja që na drejton, nëpër të cilën ecim dhe të cilën e ndjekim. Jezusi është e Vërteta: njerëzit veprojnë për gjëra që mendojnë se janë të vërteta dhe këto gjëra herëdokur treten. I vërtetë është Zoti, i cili na fton ta ndjekim, sepse Ai nuk na dëshpëron, Ai na do. Jezusi na dëfton Hyjin në personin e vet. Unë dhe Ati jemi një, na thotë Ai. Jezusi është Jeta: në Te e gjejmë jetën që nuk mbaron, jetën në plotësi, dhe vetëm nga Ai mund ta kemi atë. Nëse nuk do të jemi të bashkuar me të, nuk kemi për ta pasur jetën.

Në ligjëratën apo meditimin e katërt u meditua shëmbëlltyra e hardhisë dhe shermendit. Është një shëmbëlltyrë që Jezusi e huazon nga tradita e lashtë e Besëlidhjes së Vjetër, ku Izraeli shihet si një vresht, që, sipas profetit, nuk solli fryte dhe qe shkatërruar prej të zotit të vreshtit. (khs. Is 15,5). Kurse tani Jezusi thotë se Ai është Hardhia e vërtetë, dhe se nuk mund të jepni fryt prej vetvetes, por mund të jepni këtë fryt nëse mbeteni të bashkuar me mua. Pa Krishtin nuk mund bëjmë asgjë, prandaj nuk guxojmë të bimë në tundim për të menduar se mundemi vetë të punojmë, të veprojmë dhe të korrim sukses. Ne punojmë dhe veprojmë në emër të Krishtit dhe me ndihmën e tij i kryejmë të gjitha punët. Prandaj, jeta jonë mund të vlerësohet në saje të veprave të dashurisë, sepse Jezusi na ka dashur i pari dhe ne duhet t‘i përgjigjemi me të njëjtën dashuri.

Ligjërata e pestë  kishte për bazë tekstin nga Gjn 21,1-22 dhe nga krerët e parë të librit të Veprave të Apostujve, ku paraqitet jeta e Kishës së parë pas Ngjalljes së Jezusit. Janë dëftimet e Jezusit të ringjallur para apostujve. Dëftimi i tretë kishte ndodhur në detin e Gjenezaretit. Deti për Izraelitet ishte vend i rrezikshëm, vend i shpirtrave të ndytë, ishte simbol i kaosit, që gjithnjë ngjallte frikë. Por, pikërisht këtu, Krishti bën një mrekulli të rëndësishme për jetën e nxënësve dhe të gjithë kishës. Jezusi takohet me apostujt pas një dështimi të tyre në peshkim. Pasi nuk kishin zënë asnjë peshk, Jezusi ju thotë të hedhin rrjetat përsëri në anën tjetër. Nxënësit me kërkesën e tij, edhe pse dyshonin, i hodhën. Çka ndodhi? Ata mbetën të habitur për numrin e madh të peshqve në rrjetat e tyre. Rrjetat e nxënësve dhe të meshtarëve, pa Jezusin, mbesin të zbrazëta, mbesin përherë bosh. Me Jezusin jemi peshkatarë të zotë, të suksesshëm.

Kështu është edhe jeta jonë, ne ndodhemi si në një det të trazuar dhe të rrezikshëm. Ne kemi nevojë që Zoti të na nxjerr nga ky det, për të jetuar në liri të plotë, të na drejtojë aty ku do të takojmë plotësi, do të fitojmë kuptimin e jetës sonë. Vetëm duke e dëgjuar Jezusin do të dimë të hedhim rrjetat në anën e duhur.

Po nga kjo periudhë e jetë së kishës, u përmend pjesa e Shkrimit të shenjtë, kur Jezusi pyet Pjetrin tre herë a me do. Nëse merret fjala origjinale e ungjillit në gjuhën greke, përkthimi do të ishte: a je ti miku im. Pasi tri herë që Jezusi e përsëritë të njëjtën pyetje dhe dëgjohen përgjigjet pohuese të Pjetrit, atëherë Jezusi i thotë se edhe unë jam miku yt, pra miqësohet me të dhe fillon bashkëpunimi i thellë.

Pjetri ndihej fajtor që e ka mohuar Jezusin në çastet më të vështira të jetës së Mësuesit, dhe atij u deshtë kohë që të pajtohet dhe të jetë i gatshëm për ta pranuar përsëri Krishtin, për Zot e mik të vetin.

Ngjan të kemi edhe ne këso momentesh. Edhe ne duhet të përjetojmë diçka në jetë, që pastaj të rehabilitohemi dhe të jemi më të kujdesshëm, më të fortë, më besnik e të vazhdojnë bashkëpunimin e thellë me Jezusin.

Gjatë këtyre ditëve të begatisë shpirtërore, ishim 27 meshtarë, dhjetë nga Shqipëria dhe shtatëmbëdhjetë nga Kosova, në krye me ipeshkvin tonë Imzot Dodë Gjergjin.

Ishte një ambient i ngrohte vëllazëror, pranë Zojës Cernagore, e cila si Nanë e mirë na gisht e na inkurajon ta dëgjojmë Birin e saj, Jezusin, që të mund të kryejmë sa me më devotshmëri misionin e shenjtë që na është besuar.

U lutem, medituam dhe u kthyem me gëzim nëpër famulli për të vazhduar punën me Zotin në vreshtin e tij, që janë besimtarëve tanë.

(Don Marjan Demaj)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »