MISIONARJA E DASHURISË

Sep 16 • Recension

(Lutfi ALIA, Agnese Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza , Shtëpia botuese “ERIK”, Tiranë, 2015, f. 255)

Shkruan: Don Lush GJERGJI

Edhe një libër për të Lumen Nënën Tereze? A nuk është shkruar dhe botuar mjaft për të në botë, deri diku edhe në botën shqiptare? Çfarë kuptimi, domethënie, porosie mund të ketë ende Nëna Terezë, që deri me sot nuk është cekur, shqyrtuar dhe studiuar?

Këto dhe pyetje të ngjajshme pata unë para afro një viti, kur Dr. Lufti Alia mi dërgoi  pjesët e para të dorëshkrimit të tij kushtuar Nënës Tereze. Dhe kohë pas kohe shtohej vëllimi i këtij studimi, por edhe cilësia, thellësia dhe brendia e trajtimit, deri te rrumbullakësimi i veprës që e quajti “Agnes Gonxhe Bojaxhiu – Nënë Tereza”.

Cilat janë pikat apo shtyllat kryesore të këtij botim? Libri hapet dhe vijon rrjedhshëm me një “crescendo” të mrekullueshëm,  një mozaik të larmishëm, të begatshëm dhe përmbajtësor, me një strukturë që të “ngacmon”,  të sfidon dhe vetëdijëson për kuptim e jetës së saj plot flijime, dhurime, mbi të gjitha e “qendisur” me fe dhe dashuri. Gjatë leximit shtrohet gjithnjë një pyetje e pashmangshme: unë – ti – ne, kush jemi, ku jemi, çka kërkojmë dhe dëshirojmë, përse dhe si jetojmë dhe veprojmë?

Zbërthimi burimor dhe mjaft i qëlluar i Dr. Lutfi Alijës ka këtë strukturë dhe përmbajtje:

  • Prolog për Nënën e Dashurisë
  • Përkushtimi me dashuri në shërbim të njerëzve;
  • Lumturimi i Nënë Terezës;
  • Vizitova vendin tim të dashur Shqipërinë dhe takova popullin tim;
  • Përse e kritikojnë Nënë Terezën dhe Misionaret e Dashurisë;
  • Sekretet e Nënë Terezës;
  • Nënë Tereza mes Kryqit dhe Atdheut;
  • Bibliografia.

Gjatë leximit, shpesh edhe meditimit të këtij dorëshkrimi, kam zbuluar një “Kronist” të saktë dhe të përpikët, i cili me Nënën Tereze ka pasur takime, bisedime, bashkëpunime, bashkëpërballime, bashkëplanifikime, dhe tash nëpërmjet këtij botimi edhe ne na bënë disi pjesëmarrës, për të qenë më të mirë, më të dashur, më të kujdesshëm, më njerëzorë, më shqiptarë…

Interpretimi i Nënës Tereze, sipas Dr. Lutfi Aijës, është në dy përcaktime dhe orjentime bazike: në dashuri, që zbërthen, dëshmohet dhe konkretizohet në shërbim të paparë në histori në të mirë dhe në dobi të “të varfërve ndër më të varfër”, apo siç thoshte Nëna Tereze, “të atyre që s’kanë më as pamje njerëzore dhe në të cilët unë e njoh, dua dhe shërbej Vëllaun – Njeri, edhe më tepër Zotin – Dashuri, vetë Jezu Krishtin”.

Shërbimi me Dashuri dhe për Dashuri e kishte “përshpejtuar” procesin e Lumturimit të Nënës Tereze, që sipas  lejes, dëshirës dhe urdhërit të Papës Gjon Pali II, tashmë të shenjtëruar,  ishte “modeli i përsosur i jetës së krishterë në ditët tona”.

Kapitulli mbi vizitat e Nënës Tereze në Shqipëri, planifikimi dhe hapja e kuvendeve të motrave “Misionare të Dashurisë”, na dhuron shumë hollësi, freski, përjetime, përmallime, lotë të gëzimit dhe të shpresës për popullin Shqiptar. Nëna Tereze ishte “Dallendyshja” e parë dhe ogurmirë e “pranëverës së lirisë dhe demokracisë”, pas dekadave të errta dhe të ngrira në acarin e dhunës, urrejtjes, dënimeve, pushkatimeve dhe copëtimeve të trupit dhe të shpirtit tonë. Nëna Tereze ishte në Shqipëri, si dhe në çdo vend tjetër të botës, për të dëshmuar dhe dhuruar Dashuri, që sipas saj është kuptimi i vetëm i jetës dhe siguria e amshimit të lumtur. “Pa dashuri dhe flijim jeta s’ka kuptim”, thoshte ajo, dhe vijonte: “Vetëm Dashuria do ta shpëtojë botën, pra, edhe Shqipërinë tonë”.

Një pjesë e rëndësishme i kushtohet kritikave të Nënës Tereze dhe Misionareve të Dashurisë, me pretendime dhe sulme të pabazuara, qëllimkeqe, të trilluara,  apsurde, shpesh edhe të “projektuara” nga mendjet e liga dhe zemrat e ngurtësuara, që jo vetëm nuk e pranojnë “Nënën e Dashurisë”, por mundohen ta diskreditojnë dhe zvogëlojnë atë, sepse siç duket, ajo i ka prekur dhe shqetësuar “ndërgjegjet” e fjetura dhe përcaktimet ateiste dhe nihiliste të tyre. Fatbardhësisht Nëna Tereze kurrë nuk është marrë me këto kritika, por ajo ka vazhduar rrugën e saj jetësore në flijim, shërbim të të gjithëve, duke dëshmuar se jeta dhe vepra e saj ka dy burime dhe drejtime: Zotin – Dashuri dhe Vëllaun – Njeri.

Në kapitullin kushtuar sekreteve të Nënës Tereze zbërthehet feja, si pikënisje e jetës dhe veprimit të saj, si dhe të çdo të krishtëri, dhe dashuria, që na fton dhe aftëson që t’i “përngjajmë” sa më shumë Jezusit në vuajtje, për të qenë së bashku me Të edhe në lavdi dhe lumturi. Nëna Tereze pati dy dëshira jetësore: t’iu përngjante të varfërve ndër me të varfër me kushtin rregulltar të varfrisë, që të jetë ajo dhe motrat e saj si ata në gjithçka, ushqim, veshmbathje, banim… Dhe këtë e bëri ajo me guxim të madh dhe me përcaktim ungjillor mahnitës duke thënë kështu: “Rreziku më i madh për ne dhe motrat tona është pasurimi”.

Çfarë filozofie dhe teologjie! Çfarë dëshmie! Më vonë ajo e kishte shtuar edhe një qëllim tjetër, që ta përjetonte “dramën e ateistëve”, të atyre që nuk besojnë në Zotin, s’kanë dhuratën e fesë. Këtë ia mundësoi dhe dhuroi Zoti nëpërmjet “heshtjes dhe errësisë”, misticizmit të krishterë, që e përcolli gati gjatë tërë jetës. Mirëpo Nëna Tereze kurrë nuk është dorëzuar para sfidave, kryqeve, vuajtjeve, por ajo gjithnjë iu ka dorëzuar Zotit, nëpëmjet fesë – kërkim, shpresës – veprim,  dashurisë – flijim dhe dhurim.

Në kapitullin mbi Kryqin dhe Atdheun si dhe shtypin shqiptar dhe botërore, mund të gjejmë shumë thesare, perla, përmbajtje dhe frymëzime për çdo njeri dhe kohë, mbi të gjitha për ne që jemi nën ndikimimin dhe  rrezikimin e matrializmit të egër, të hedonizmit të shfrenuar, të egoizmit të theksuar, të nihilizmit shpirtëror dhe moral, të relativizmit që sulmon çdo vlerë dhe virtyt njerëzor dhe të krishterë.

Në Nënën Tereze populli Shqiptar ka gjetur një model të jetës së kushtuar dhe motivuar, të flijimit dhe dhurimit, të vëllazërisë gjithëshqiptare, të dialogut ndërfetar dhe ekumenik, me një fjalë një Nëna, e cila pas shekujve, na afron dhe bashkon si bij dhe bija, vëllazër dhe motra, njerëz qëllim dhe vullnet mirë, që duam të shkojmë gjurmave të traditës sonë iliro-shqiptare të bujarisë, zemërgjerësisë, vëllazërisë, përkushtimit dhe bashkimit në dallime.

Nëna Tereze tashmë nga Qielli na merr për dore të gjithëve duke na frymëzuar që të ecim gjurmave të Paqes dhe Pajtimit, të Jetës dhe Shërbimit, të Dashurisë dhe Lumturisë. Ndërmjetësia e saj te Zoti është e madhe dhe e fuqishme. Afërsia dhe amësia e saj për ne është e nevojshme, dobieshme dhe domosdoshme. Dashuria e saj për ne, dhe e jona për Të, është siguri dhe garanci për një të tashme dhe të ardhme sa më të lumtur. Ajo lutet dhe ndërmjetsëon për ne gjithnjë. Ne gjurmave të saja duam të shkojmë, që Nënën tonë të përbashkët ta imitojmë dhe jetësojmë!

 (Teksti është botuar si parathënie e librit)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »