PËR ÇFARË DUHET TË MERRENI VESH NË MARTESË

Sep 17 • Familja

 

Ka realitete, për të cilat është tejet e rëndësishme të dihet se ç’mendon partneri yt, sepse mbi to ndërtohet jeta dhe dashuria. Për shembull, duhet ta pyesim sinqerisht njëri-tjetrin si e kuptojmë jetën. Për disa, jetesa ka shijen e qartë të përgjigjes ndaj thirrjes së Zotit e mund të kthehet në një lloj “misioni ekzistencial”. Nëse njëri prej të dyve nuk e vlerëson jetën si “mision”, ose nuk e pranon këtë ide, është mirë të mbahet parasysh në vendimet e mëvonshme.

Pastaj, vjen konsiderata, që kemi për martesën. Shumë martesa kanë zona të errëta, që nuk janë të përbashkëta për të dy bashkëshortët. Ata duken si dy individë të ndryshëm, që ecin në dy rrugë paralele… Nëse nga njëri prej të dyve, martesa konsiderohet si një lloj “prove rezistence”, me mundësinë e ndarjes e të divorcit në rast se nuk “reziston” më, është e qartë se nga ky botëkuptim lindin një sërë problematikash, për të mos u lënë mënjanë.

Një faktor i tretë i rëndësishëm është mirëkuptimi përsa u përket fëmijëve. Çdo martesë përmban në vetvete mundësinë për të lindur fëmijë. Nëse, gjatë bisedës me partnerin për këtë argument, vini re se nuk ka dëshirë të flasë për fëmijët apo irritohet e përpiqet t’i ikë debatit, mendohuni seriozisht me kë po martoheni. Nëse njëri nga bashkëshortët i dëshiron fëmijët e tjetri jo, problemi është më se serioz.

Jo gjithnjë flitet për këtë, por një problem tjetër është qëndrimi ndaj fesë. Bashkëshortët mund të jenë edhe të feve të ndryshme, kjo nuk e pengon dashurinë bashkëshortore. Por, mund të kthehet në problem të rëndë, nëse njëri përpiqet të mbizotërojë mbi tjetrin, pa e respektuar e, madje, e detyron të kthehet në fenë e vet.

Gjithnjë duhet kujtuar se martesa është bashkim jete e dashurie, që ka për qëllim të mirën e bashkëshortëve, lindjen e fëmijëve dhe edukimin e tyre. Është një “pakt”, që përsërit dhe e bën aktuale besëlidhjen e Zotit me popullin e vet, aleancën e Krishtit me Kishën e vet.

Nga www.radiovaticana.va

Shpërndaje

Comments are closed.

« »