MADHËSHTIA E SHËRBIMIT DHE PRANIMIT

Sep 18 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXV gjatë vitit B

  

Leximi parë (Urt 2,12.17-20)

Lexim prej Librit të Urtisë

Thanë të paudhët: “T’i vëmë pritë të drejtit, sepse na pengon dhe u kundërshton veprave tona, sepse na qorton për mëkatet kundër ligjit e na i përplas në sy mungesat e edukatës që kemi marrë. Të shikojmë a janë fjalët e tija të vërteta dhe të shqyrtojmë çfarë mbarimi do të ketë: nëse i drejti është vërtet bir i Hyjit. Ai patjetër do ta ketë kujdes dhe do ta shpëtojë nga duart e kundërshtarëve.  Ta vëmë në sprovë me fyrje e me mundime e ta shohim butësinë e sedrës së tij, ta sprovojmë durimin e tij. Ta dënojmë me vdekje të turpshme: sepse siç thotë ai, shpëtimi do t’i vijë!”

Fjala e Zotit.

  

Psalmi 54

Ref. Ti, o Zot, je mburoja ime.

—————————————————-

Më shpëto, o Hyj, pashë Emrin tënd,

me fuqinë tënde mbroje të drejtën time.

O Hyj, vështroje lutjen time,

prire veshin nga fjalët e gojes sime!

—————————————————-

Sepse krenarët u çuan kundër meje,

mizorët kërkojnë të ma marrin shpirtin:

për Hyjin ata s’kanë kujdes.

—————————————————-

Por, ja, Hyji po më vjen në ndihmë,

shpirtin tim ai po e merr ndore.

E unë me ëndje do të të kushtoj fli,

do ta lavdëroj Emrin tënd, o Zot,

sepse është i mirë.

——————————————————

  

Leximi dytë (Jak 3,16-4.3)

Lexim prej Letrës së Shën Jakobit apostull

Fort të dashur, ku është smira dhe grindja, atje ka pështjellim dhe çdo të keqe. Kurse urtia që vjen prej së larti më se pari është e pastër, pastaj pajtuese, e butë, e përshtatshme, plot mëshirë dhe vepra të mira, e durueshme dhe jo shtiracake. Fryti i drejtësisë mbillet në paqe për ata që punojnë për paqe. Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni, pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Po të bekoj, o Atë, Zotërues i qiellit e i dheut,

që të vegjëlve ua zbulove misteret e Mbretërisë qiellore.

Aleluja!

  

+ Ungjilli (Mk 9,30-37)

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusi dhe nxënësit e tij kaluan nëpër Galile, por nuk donte ta dinte kush, sepse mësonte nxënësit e vet. U thoshte: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet njerëzve e ata do ta vrasin, por kur ta kenë vrarë, ai do të ngjallet pas tri ditësh.” Ata nuk morën vesh këtë fjalë e kishin frikë ta pyesin.  Arritën në Kafarnaum. Si hyri në shtëpi, i pyeti: “Mbi çka biseduat rrugës?” Ata nuk bënë zë, sepse udhës kishin biseduar kush ishte më i madhi. Jezusi u ul, i thirri rreth vetes të Dymbëdhjetët e u tha: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”

Fjala e Zotit

 

POROSIA 

Në leximin e parë, shohim si mendon njeriu i pa fe; mendon keq dhe dëshiron të veprojë keq, nga ai që e ka zemrën e prishur e mëkatare, nuk mund të dal asgjë e mirë. Njeriu i drejtë qorton, mëson dhe dënon të keqen, por ndodhë që të jetë kundërshtuar, i përbuzur, i rrahur apo i vrarë. I tillë ishte shërbëtori i Zotit. Në Besëlidhjen e Vjetër, ky shërbëtor aludon në Jezusin, i cili do të vuaj dhe do të pësoj për ne dhe mëkatet tona.

Leximi dytë i shën Jakut apostull, është një qortim dhe mësim shumë i mirë për ne. Shën Jaku qorton njerëzit e kohës së vet të kthyer nga paganizmi që t’ i lënë traditat e mëparshme dhe të jetojnë jetën e re në Krishtin. Të krishterët, duhet të shquhen me sjellje të mira.

Shën Jaku cekë disa veti negative që kanë bashkëkohësit e tij të kthyer në fe: “Nga vijnë ngatërresat dhe grindjet që vlojnë ndër ju? A thua jo këndej: nga lakmimet tuaja që luftojnë në gjymtyrët tuaja? Dëshironi e nuk keni; vritni e keni smirë, dhe gjë nuk fitoni; griheni e luftoni. Nuk keni, pse nuk luteni. Luteni e nuk fitoni, pse luteni keq që t’i shpenzoni në plotësimin e ëndjeve tuaja.”

Edhe sot, ka njerëz të tillë, që sillen në këtë mënyrë, ka edhe besimtarë, por mirë është të kontrollomë veten dhe të jetojmë ashtu si na mëson Zoti dhe Kisha Nënë.

 

Ungjilli

Biri njeriut do t’u dorëzohet njerëzve, e ata do ta vrasin. Kështu iu thoshte Jezusi nxënësve të vet, por ata nuk e kuptonin, sepse shikonin e mendonin me sy tokësorë dhe mendja e tyre ishte në pozita dhe privilegje.

Ata, rrugës kishin biseduar për këto gjëra, por Krishti jep një mësim të ri. Ai, kërkon përvujtëri, kërkon nënshtrim vullnetit të Hyjit: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i mbrami i të gjithëve dhe shërbëtori i të gjithëve.” Pastaj mori një fëmijë të vogël, e vuri në midis të tyre, e mori ngrykë dhe u tha: “Kush e pranon një vogëlush si ky në Emrin tim, më pranon mua; e kush më pranon mua, nuk më pranon mua, por atë që më dërgoi mua.”

Njeriu e ka në shpirt dëshirën për të qenë i pari, për të arrit qëllime të caktuara në jetë. Është në gjendje të bëj çmos për të pasur e për t’ u ngritur, bile edhe duke shkelë e poshtëruar te tjerët, duke shpif e duke shantazhuar. Shumë lufta për pushtet kanë përfunduar me gjakderdhje dhe vrasje.

Kështu është, kur njeriu nuk mendon me logjiken e shëndosh për të kuptuar jetën si dhuratë të Zotit dhe jetën në shërbim.

Askush nuk jeton dy jeta në tokë. Jeta, është një që fillon këtu e përfundon në përqafimin e Zotit, nëse jetojmë me kujdes dhe jemi të vëmendshëm.

Jezu Krishti na është shembull dhe mësim. Ai erdhi që mos të jetë i shërbyer por që të shërbej dhe jetën ta jap për ne.

Ky nënshtrim vullnetit të Hyjit e bëri të madhërishëm dhe Mësues për të gjitha kohërat sepse dashuria ngadhënjen dhe njeriu nëpërmes flijimit del i madh para Zotit.

Mësimi që na tregon Jezusi sot nuk është i lehtë për ta kuptuar në boten e sotme të hedonizmit dhe materializmit, por është e pranueshme, sepse në thjeshtësi dhe përvujtëri arrijmë më tepër, duke e pasur model Krishtin që u përvujtëria dhe u flijua për ne.

Fëmija që e cekë Jezusi është plotësisht i lumtur dhe pa preokupime, dhe mund të jetë mësues edhe për ne që të të kuptojmë zemrën e tij të mirë dhe të thjesht.

Kështu në këtë stil të jetës jemi më afër Zotit, më afër njëri tjetrit.

Tregohet një legjendë sesi Moisiu e dëgjoi një fëmijë që ishte bari i deleve duke u lutur kështu para Zotit: “O Hyj nëse me dëftohesh, do të të jap pa pagesë mish dhe qumësht. Nëse ke dele do t’ i ruaj edhe nuk do të kërkoj asgjë të më paguash. Do t’i kreh flokët tu, e do t’ i pastroj rrobat,  dhe do të puth me shumë dëshirë dorën tënde.” Kur e përfundoi lutjen Moisiu, i zemëruar, i bërtiti që të ndalonte të lutej ashtu sepse kjo është fyerje për Zotin, nuk është lutje.

Natën, Moisiu ëndërroi, dhe Zoti i tha: pse veprove ashtu kundër atij bariu, me pëlqeu lutja e tij edhe pse ishte naive, ishte e sinqertë dhe e përvujtë. Me pëlqeu shumë si e tha, më shumë se shumë lutje të të rriturve, sepse i dinë të gjitha, por me jetë nuk e vërtetojnë atë që luten.

Jemi, bashkohemi rreth sofrës së Krishtit. Ne e dimë që Zoti është besnik në premtimet e veta dhe vetëm mosbesimi ynë bënë të pyesim: “të shohim a janë të vërteta fjalët e tija”, leximi parë. Dikur shërbëtori i përvuajtur është Zotëria i ringjallur. Ringjallja e tij është dëshmi dhe e vërtetë, është siguri për fenë që kemi. Nga ky burim edhe ne nxjerrim fuqi dhe dashuri ndaj Atij që sot është i pari, është Alfa dhe Omega, i Atij që gjatë jetës ishte shërbëtor dhe i përvujtë, ishte i fundit, shërbyes i të gjithëve.

Le të na ndihmoj Krishti që të jemi të përvujtë dhe të sinqertë e në këto dy shtylla të ndërtojmë jetën tonë në bashkësi të shenjtërve. Amen.

Lutjet e besimtarëve

Vëllezër e motra, Jezusi na mëson që të jemi të përvujtë dhe të sinqertë, të jemi sikurse fëmijët që të mundemi në Krishtin të lartësohemi.

Të themi së bashku:

Na jep o Zot shpirtin e përvujtërisë dhe shërbimit!

– O Zot Jezu ti na thërret që të ndjekim ty Shërbëtor i përvujtë dhe besnik, ndihmoje Kishën tënde në krye me papën, ipeshkvin dhe të gjithë meshtarët që të jenë në shërbim të grigjës që Ti ua ke besuar, të lutemi:

– Ti na fton që të jemi sikurse fëmijët, na jep shpirtin tënd që të ndihemi fëmijë të Atit tënd dhe Atit tonë, të jetojmë në bashkëpunim me Ty dhe nëse mes veti, të lutemi:

– Bota e sotme është plot e përplot me përplasje të interesave të ndryshme, karrierës dhe dhunës, të keqpërdorimit të pozitave të njerëzve, bëj që Shpirt yt i mirë, t’ i frymëzoj dhe ndriçoj që të punojnë dhe veprojnë për një botë më njerëzore, të lutemi:

– Për të gjithë ata që jetojnë nën peshën e mëkatit dhe të sëmundjeve të ndryshme, për të gjithë ata që kanë humbur dinjitetin njerëzor, për pleq e plaka, fëmijë e të rinj, bashkëshort dhe përgjegjës në detyra të ndryshme, qëndro pranë tyre dhe forcojë në fe, shpresë dhe dashuri, të lutemi:

– Për të gjithë ata që kaluan nga kjo jetë sidomos për shpirtra që janë të harruar dhe për të dashurit tanë, pranoj o Jezus në Mbretërinë tënde të gëzimit dhe paqes, të lutemi:

 

O Zot Jezu Krishti na ndihmo që të kuptojmë rëndësinë e jetës në përvujtëri dhe shërbim, që sipas shembullit tënd të mundemi edhe ne të veprojmë dhe jetojmë për të miren e shpirti tonë dhe një ditë të gëzojmë me Ty në amshim, që jeton  e mbretëron në shekuj të shekujve. Amen.

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »