MIKPRITJE DHE DIALOG

Sep 19 • Editorial

Nga Don Fatmir Koliqi

Kaluam muaj plotë emocione të përziera; nga njëra anë ndjemë dhimbje therëse për pamje rrëqethëse të njerëzve, në gjendje të papara deri më tash përmes ekraneve TV dhe social network, e nga ana tjetër dëgjonim deklarata të mjerueshme fitoreje për arritjet e tmerrshme për të nënshtruar njerëz të katandisur deri në nënçmim, përdhosje dhe vdekje. Na u shfaqen dy bota, dy botëkuptime dhe dy pikëshikime, që koha e masmediave dhe teknologjisë së avancuar na “dhuroi” shpejtë.

Një fotografi e fëmijës të vdekur buzë detit (e kudondodhur në media) mjaftoi për të ndryshuar pikëpamjen dhe bindjen e vjetër, përballë tjetrit (të afërmit) që vuan, për atë që, i gjendur në buzë të mjerimit dhe në dënesje për vdekje, pranë pragut, e kërkon ndihmën tonë. U dashtë vetëm një fotografi eksplicite rrëqethëse e një të pafajshmi dhe të pafuqishmi për të zgjuar ndërgjegjen e fjetur të njerëzimit, për të parë të zhveshur tërësinë e mjerimit dhe të çnjerëzimit, që po ushtrohet, tash sa vite, në një pjesë të “shtëpisë sonë të përbashkët” (Papa Françesku). Ata veshë të shurdhur dhe ato zemra të ngurta të Bashkësisë Ndërkombëtare a thua i preku fare ajo që po ju ndodhte para pragut të shtëpisë së tyre? Janë ata veshët “n’lesh” që nuk dëgjojnë dhe zemrat “e vjamosuna” që nuk ndjejnë, të denoncuara nga profetët e Besëlidhjes së Vjetër, të cilët ngritnin zërin para qeveritarëve e mbretërve, popullit dhe personit njeri, për të ndërruar mentalitet, për të bërë një kthim rrënjësor (metanoia)  – në raport me tjetrin, vetveten dhe Zotin.

Këtu nuk dua të ndalem në analizë të ndërlikuar të situatave konkrete në Siri, as në Irak, apo diku tjetër në Lindjen e Mesme e kudo tjetër në botë, ku po sfidohet humaniteti i botës sonë, por, ajo për të cilën do të doja të shkruaja, ka të bëjë me botëkuptimin e mikpritjes, që po merret shumë nëpër gojë krejt sipërfaqësisht. E në fakt, nga mikpritja po shpaloset një vizion kulturor dhe shpirtëror i tërë. Tek e fundit, nga vizionet tona ekzistenciale pasojnë aktet konkrete.

Nënë Tereza, pati thënë në një rast, se nuk kishte kohë t’i gjykonte të tjerët, të fliste për padrejtësitë, qëndrimet dhe thashethemet e të tjerëve, sepse do të humbiste kohën për t’i dashur ata. Është një shkëputje brilante, plotë përvojë shpirtërore, e një personi që ka jetuar tërë jetën në marrë-dhënie, në mikpritje dhe dialog me atë që kanë pasur nevojë.   

Shembulli i Nënë Terezës na tregon se jeta pa marr-dhënie, pa raport ndërnjerëzor, është jetë e varfër dhe inerte. Jeta pa relacione shndërrohet në ishull të pa shpresë, ku mungon takimi dhe dhurimi, ku jeta është e kuptuar si egoizëm dhe vetëkënaqësi deri në skajshmëri, ku autoreferencialiteti i egër e përjashton tjetrin dhe, përfundimisht, ku krijohet një botë për vetvete e në vetvete e mbyllur.  

E pra, mikpritja nuk mund të kuptohet thjeshtë vetëm si një pritje dhe pranim. Ajo është më shumë se kaq: është një (ndër)thurje raportesh në dialog, është bashkëndarje e përvojës të jetës, një bashkëndarje me tjetrin, si unë, në ecjen e jetës.

Ne, shqiptarët, mikpritjen e kemi shprehur me një fjali ekzistenciale, që gërsheton tri përmasa që e realizojnë takimin relacional, një mikpritje në dialog: “për mysafirin bukë, kripë e zemër”. Të themi shkurtimisht: buka është simboli i jetës; kripaështë shija dhe qëndrueshmëria e jetës dhe zemra është raporti dhe dialogu i sinqertë që buron nga qendra e personit, pasi zemra sipas botës biblike ka kuptimin e qendrës së personit, aty ku ai realizon vendimet dhe prej nga orienton komunikimin e tij në katër dimensione: me vetveten, me tjetrin, me natyrën dhe me Zotin. Këto fjalë të ndërlidhura mes veti tu e krijue një fjali karshi tjetrit, shprehin një botëkuptim, një kulturë, një shpirt. Jo vetëm se ato janë fjalë, për më tepër, ato janë gjeste konkrete për ta jetësuar këtë triadë antropologjike, që e ka karakterizuar shpirtin mikpritës të shqiptarit.

Kjo, më tej, nënkupton thellësisht një vizion, një modus vivendi, e jo vetën një pasazh apo pjesëz të jetës. Është një ethos albaniensis (etikë, botëkuptim shqiptar karshi tjetrit), një distinktiv pozitiv dhe promovues i njerëzisë sonë. Nuk duhet të kuptohet si një krenari e kotë, mbulesë e një krenarie anakronike, por si përbërës shpirtëror dhe kulturor individual dhe bashkësior edhe sot, nëse do të donim ta “ri-banonim” apo t’i jepnim jetë  modernizmit bashkëkohor të shoqërisë sonë.   

Gjestet e bashkësive të krishtera për të afërmin, për të pastrehun, për “të huajin”, që i po shohim këto ditë në kontinentin tonë, janë gjeste baritore kishtare, që kanë burimin tek Fjala e shkruar dhe e mishëruar. Jezusi, kur qe i mikpritur prej Lazrit, Martes dhe Marisë, Zakeut e tjerëve, atë takim e shndërronte në dialog përmes gjesteve që preknin palcën e njerëzores dhe aty më thellësinë e marrë-dhënies ofronte dhe dhuronte të hyjnueshmen prekje. Kjo traditë është plotë kuptim, është një ecje që vazhdon të mbetet pjesë e rëndësishme e jetës së krishterë, madje ndër më autentiket e dëshmisë konkrete dhe pranisë së Zotit në bashkësinë përkatëse.  

Të takosh tjetrin është një lidhje e re, një dialog për të mësuar nga tjetri, për tu pasuruar prej tjetrit, por edhe për të dhuruar vlerat që i ke, ato gjeste të njerëzisë që do të krijojnë ecje të përbashkët me ata që kanë hyrë nën “kulmin tënd” (kulmi i kuptuar si topos antropologjik i t’jetumit). Këtu krijohen relacionet dhe këtu jetësohet njerëzia dialogjike e domosdoshme për ta kundruar vetveten, pa mashtrime, pa iluzione, por me takim real që përmban lëndime e sakrifica.

Mikpritja sot po shfaqet si një provë dhe sfidë e humanitetit modern europian dhe të krishterë, dhe kjo sfidë, pjesë e së cilës nuk guxojmë të mos jemi edhe ne, do të jetësohet përmes dialogut, si domosdoshmëri e perceptimit të një bote që (po)ndryshon. Pikërisht këtu, sipas mendimit tim, bota perëndimore kërkon të shtjerr dyshimet e mundshme, nëse do të mund të realizohet takimi dhe dialogu me tjetrin, atë mikpritje që, jo rrallë, po e kritikojnë në kontinent, por pa kuptuar background-in e vërtetë.

Unë do të përkrah kurajën që nuk do të duhej të kemi frikë prej ndryshimeve, edhe kur ato kanë brenda dyshime reale, sepse, pa pranuar sfidën për ndryshime, nuk ka rritje, as ecje të përbashkët, e as pasurim të raporteve njerëzore, përmes të cilëve arrihet kulmi i zhvillimit njerëzor integral.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »