ZOTI ËSHTË I DURUESHËM MERRITJEN TONË

Sep 19 • Meditimi i ditës

19 shtator 2015 – e shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

Gjëja që përpiqem të bëj këtu është që kohën ta lë më një anë
dhe të përqendrohem në jetën time, atë fizike – në kohë, dhe atë shpirtërore.
Mundohem ta paramendoj Jezusin si është ulur pranë meje
dhe bisedoj me të mbi të gjitha çka është duke më ndodhur në jetë.
Mundohem ta kuptoj që në mundësi të panumërta
Jezusi hyn në rrethanat e përditshme të jetës sime.
E pra, jeta kalon shpejt dhe shumë gjëra ndodhin.
Ngarkesa dhe obligime të ndryshme shpesh herë e shmangin këtë vetëdije për praninë e Hyjit në jetën time të përditshme. Jam i/e vetëdijshëm/e për këtë, dhe dëshiroj të bëjë diçka.
Sa për tash, provoj të qëndroj i/e qetë dhe i/e hapur se çka dëshiron të më thotë prania e Tij.

 

Liria

 

Do të mundohem që së paku shkurt t`i harroj të gjitha brengat dhe problemet

që ndoshta më mundojnë në këtë moment.

Të gjitha brengat e mia i vendos në duart e Zotit – së paku disa minuta deri sa të zgjatë kjo lutje.

 

Vetëdija

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të identifikoj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar kujdesin ndaj meje.

 

Fjala

 

Lute Shpirtin Shenjt që të të ndriçojë dhe të ta hapë mendjen dhe zemrën që të mund ta dëgjosh Zotin se si po të flet në Fjalën e tij.

 

Lk 8, 4-15

 

4 Si u tubua turmë e madhe e popullit, që erdhën nga qytete të ndryshme tek ai, Jezusi foli në shëmbëlltyrë:

5 “Doli mbjellësi për të hedhur farën. E, ndërsa po hidhte farën, disa kokrra ranë pranë udhës: u shkelën dhe i hëngrën zogjtë e qiellit. 6 Disa të tjera ranë në gurishte; mbinë, por u thanë, sepse nuk kishte lagështinë. 7 Disa ranë në ferra; ferrat, duke u rritur bashkë me to, ua morën frymën. 8 Kurse disa të tjera ranë në tokë të mirë; mbinë e dhanë fryt njëqind fish.”

Kur i tha këto fjalë, theksoi:

“Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!”

9 Nxënësit e tij e pyetën çka do të thotë ajo shëmbëlltyrë. 10 Ai iu përgjigj:

“Ju e keni dhuratë dijen e mistereve të Mbretërisë së Hyjit, kurse të tjerëve u paraqitet vetëm në shëmbëlltyra, që:

‘Të shikojnë e të mos shohin,

të dëgjojnë e të mos kuptojnë. ’

11 “Ky është vështrimi i shëmbëlltyrës së mbjellësit:

Fara është fjala e Hyjit. 12 Ato ‘pranë udhës’, janë ata që e dëgjojnë fjalën, por pastaj u vjen djalli dhe ua nxjerr nga zemra fjalën, që të mos besojnë e të mos shëlbohen. 13 Ato ‘në gurishte’, janë ata që, kur e dëgjojnë Fjalën e pranojnë me gëzim, porse nuk kanë rrënjë: për disa kohë besojnë, por kur vjen koha e tundimit, e lënë fenë. 14 Ato ‘në ferra’, janë ata që e dëgjuan, por ende në udhë, ua zënë frymën kujdeset tokësore, pasuritë dhe kënaqësitë e jetës e nuk japin fryte të pjekura. 15 Ato ‘në tokë të mirë’, janë ata që e dëgjojnë Fjalën dhe e ruajnë në zemër të mirë e bujare dhe japin fryt me qëndrueshmëri.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 – Jezusi përdor parabola (shëmbëlltyra) për të ndryshuar mënyrën tonë se si i shohim gjërat, si e kuptojmë. Frytëzimi i farës është i përcaktuar nga cilësia e tokës në të cilën ajo bie. Në mënyrë të ngjashme, frytëzimi i Fjalës së Hyjit është i përcaktuar nga hapja e zemrës së personit i cili e pranon atë. Ne e kemi ritmin tonë të rritjes. Zoti është i durueshëm me këtë rritje tonë.

– O Zot, dhuromë një zemër prej mishi që ta pranoj fjalën tënde të shenjtë. Bëj që çdo ditë të mund ta kaloj duke dëgjuar këngën e farës që e ke mbjellë në zemrën time. Le të më transformojë edhe më shumë në imazhin, shembullin e Birit tënd.

 
Bashkëbisedimi

 

Komunikimi nënkupton bisedimin dhe dëgjimin.

Kur bisedoj me Jezusin, duhet të jem i/e gatshëm/e edhe të dëgjoj gjithçka ai dëshiron të më thotë.

Do ta paramendoj butësinë dhe mirësinë në sytë e Jezusit dhe buzëqeshjen plot dashuri gjatë kohës ndërsa më vështron.

Mund të jem krejt i sinqertë me Jezusin kur ia besoj të gjitha brengat dhe gëzimet e mia.

Ia hapi zemrën kur i flas për frikën dhe dyshimet e mia.

Do ta lus që të më ndihmojë që plotësisht të mund të mbështetem në kujdesin e tij,

i/e vetëdijshëm/e se ai gjithmonë di ç`është më së miri për mua.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »