VËSHTRIMI ME RESPEKT I NDRYSHON NJERËZIT

Sep 21 • Meditimi i ditës

21 shtator 2015 – E hënë, Shën Mateu Apostull, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, në thjeshtësi dhe përvujtëri po vij tek ti.

Fjalët e tua më çojnë në paqe në të cilën e kuptoj madhërinë dhe domethënien e pranisë sate.

 

Liria

 

Lehtë është të biesh në grackën e pasurisë së kësaj bote.

Më jep hirin, o Zot, që të mund të jem i/e lirë nga lakmia dhe egoizmi.

Ma përkujto se gjërat më të mira në jetë janë falas – gratis.

Dashuria, buzëqeshja, përkujdesja dhe bashkimi.

 

Vetëdija

 

O Zot, ma ke dhënë natën për pushim dhe fjetje.

Në momentet e mia kur jam zgjuar kurrë mos e harrofsha mirësinë tënde.

Më mëso që bekimin tënd ta ndaj me të tjerët.

 

Fjala

 

Hyji na dëfton veten e vetme anë tëshkrimeve të shenjta.
Lexoje tekstin nga Ungjilli i sotëm disa herë
dhe lejoji vëmendjes tënde të pushojë në disa pjesë të tij.

 

Mt 9, 9-13

 

9Jezusi, si shkoi prej andej, pa një njeri që quhej Maté, ndenjur në doganë. Jezusi i tha: “Eja pas meje!” Ai u ngrit dhe shkoi pas tij.

10 Dhe, kur më vonë, Jezusi u ul në tryezë në shtëpi, ja se ia behën shumë tagrambledhës e mëkatarë e u ulën në tryezë bashkë me Jezusin e me nxënësit e tij. 11 Farisenjtë kur e panë këtë, i pyetën nxënësit e tij:

“Pse mësuesi juaj ha bukë me tagrambledhës e me mëkatarë?”

12Jezusi, kur i dëgjoi, u përgjigj:

“Mjeku nuk u duhet të shëndoshëve, por të sëmurëve! 13 Shkoni e mësoni çka do të thotë: ‘Më pëlqen mëshira e jo flia!’ Sepse unë nuk erdha të ftoj të drejtët, por mëkatarët.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimi Shenjt:

 

– Në kohën e Jezusit tagrambledhësit përbuzeshin si shitësit/përdoruesit e sotëm të drogës apo sunduesit e pamëshirshëm. Duke pasur këtë parasysh lejo që të të mahnitë ajo çfarë ndodh këtu. Mateu e dinte mirë se sa e urrenin Hebrenjtë; edhe ky i urrente ata. Shikoje Jezusin se si vjen së bashku me grupin e rreckosur të tij. Ai ndalet në zyrën doganore, kurse Mateu përgatitet për telashe. Jezusi ia lëshon sytë Mateut–vështrimi i tij është me plot respekt, madje admirim. Ndoshta i shfaq edhe një buzëqeshje mikpritjeje. Pastaji thotë: “Ndiqmë!” Dhe Mateu shkon pas tij.

– Po të na rrëfente sot këtë ngjarje do të mund të na thoshte: “Ndihesha si të isha i fikur përbrenda. Drita tu ndezën. Isha duke bërë një punë të tmerrshme, pastaj ky njeri më ofroi jetën. E dija se isha i lirë për të qëndruar ulur atje, por unë nuk munda ta refuzoja. Tani e di çfarë do të thotë gëzimi i vërtetë!”

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh mëmirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »