TË FTUAR NË SHËRBIMIN QË SHËRBEN JO NË SHËRBIMIN QË SHËRBEHET

Sep 22 • Kisha në botë

Homelia e Papa Françeskut në Sheshin e Revolucionit në Havana – Kuba. E diele, 20 shtator 2015

Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele na prezanton Jezusin në sa u bënë dishepujve të vet një pyetje e cila duket e pavend, e pasjellshme. Jezusi i pyeti: “Mbi çka ishin duke biseduar rrugës?” (Mk 9,33) Cilat janë aspiratat tuaja? “Ata (dishepujt) – pohon Ungjilli – heshtnin. Udhës kishin biseduar se kush prej tyre ishte më i madhi” (Mk 9,34). Dishepujt kishin turp t’i tregonin Jezusit se për çka kishin folur. Në dishepujt e djeshëm, si edhe në ne sot, mund ta gjejmë të njëjtën temë të diskutimit: “Kush është më i rëndësishëm?”

Jezusi nuk insiston me pyetjen e tij, nuk i detyron t’i tregojnë se për çka flisnin rrugës; e megjithatë pyetja mbetët, jo vetëm në mendje, por edhe në zemër të dishepujve.

“Kush është më i rëndësishëm?”. Një pyetje kjo që do të na shoqërojë për tërë jetën e në të cilën do të thirremi të përgjigjemi në faza të ndryshme të ekzistencës. Nuk mund t’i ikim kësaj pyetje, pse ajo është e skalitur në zemër. E kam dëgjuar mase një herë në takime familjare ku u bëhej pyetja bijve: “ Kënd e doni më shumë, babain apo nënën?”.  Është si të pyesësh: kush është më i rëndësishëm për ju? Kjo pyetje a thua është vërtet vetëm një lojë e thjeshtë për fëmijë? Historia e njerëzimit ka qenë e shënuar nga mënyra e përgjigjes ndaj kësaj pyetjeje.

Jezusi nuk i frikohet pyetjeve të njerëzve; nuk ka frikë nga njerëzimi, as nga pikëpyetjet e ndryshme që ai bënë. Përkundrazi, Ai i njeh “ thellësitë” e zemrës njerëzore, e si pedagog i mirë është gjithmonë i gatshëm të na shoqërojë në jetë. Besnik ndaj stilit të vet, Ai jap një përgjigje të aftë për të propozuar një sfidë të re, duke tejkaluar  “përgjigjet që priteshin” apo atë që në dukje ishte tashmë e ditur, e vendosur. Besnik ndaj stilit të vet, Jezusi vë gjithmonë në zbatim logjikën e dashurisë. Një logjikë e aftë të jetohet e mishërohet nga të gjithë, sepse vlen e është për të gjithë.

Larg nga çdo lloj elitarizmi, horizonti i Jezusit nuk është për pak njerëz të privilegjuar e të aftë të arrijnë në “njohurinë e dëshiruar” apo në nivele të larta e të dalluara të spiritualitetit. Horizonti i Jezusit është gjithmonë një propozim për jetën e përditshme, edhe këtu, në ishullin “tonë”; është një propozim që bënë gjithmonë në mënyrë që jeta e përditshme të ketë shijen e amshimit.

Kush është më i rëndësishëm? Jezusi është i thjesht në përgjigjen e tij: “Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” (Mk 9,35). Kush dëshiron të jetë i madh, t’u shërbej të tjerëve, e jo të shërbehet me të tjerët!

Këtu qëndron paradoksi i Jezusit. Dishepujt diskutonin mbi atë se kush do të duhej të zinte vendin (postin) më të rëndësishëm, mbi atë se kush do të ishte privilegjuar, mbi atë se kush do të kishte qenë mbi ligjin e përbashkët, mbi rregullat e përgjithshme, për ta vënë vetveten në pah me dëshirën e superioritetit mbi të tjerët. Kush do të ishte ngjitur sa më shpejt për të pushtuar vendet që do t’i kishin dhënë disa avantazhe.

Jezusi e përmbys logjikën e tyre duke u thënë thjesht atyre se jeta e vërtetë jetohet në angazhimin konkret me dhe ndaj të afërmit.

Thirrja për të shërbyer paraqet disa tipare ndaj të cilave duhet të jemi të vëmendshëm. Të shërbesh domethënë, në pjesën më të madhe, të kujdesesh për brishtësinë, mbi elementet e brishta të jetës. Të kujdesesh për ata që janë të brishtë në familjet tona, në shoqërinë tonë, në popullin tonë. Janë fytyrat e njerëzve që vuajnë, të atyre që janë të pambrojtur e të salvuar, të cilët Jezusi propozon t’i shikojmë e na thërret t’i duam në mënyrë konkrete. T’i duam me një dashuri që konkretizohet në nisma e përcaktime. Dashuri që shfaqet në detyra të ndryshme, të cilat si qytetarë jemi të thirrur t’i zhvillojmë, t’i kryejmë. Njerëz në mish e kocka me jetën e tyre, me historitë e tyre e në mënyrë të posaçme në brishtësinë e tyre, këta janë ata të cilët Jezusi na fton t’i mbrojmë, të asistojmë, t’u shërbejmë. Sepse të jesh i krishterë do të thotë t’i shërbesh dinjitetit të vëllezërve, të luftosh për dinjitetin e vëllezërve e të jetosh për dinjitetin e vëllezërve. Për këtë arsye, i krishteri është gjithmonë i ftuar t’i vë mënjë anë nevojat personale, pritjet, dëshirat e veta të gjithpushtetësisë përballë vështrimit konkret të njerëzve më të brishtë e më nevojtarë.

Ekziston një “shërbim” që shërben; mirëpo duhet të ruhemi prej një shërbimi tjetër, nga tundimi i “shërbimit” që “po” shërbehet. Ekziston një formë e ushtrimit të shërbimit që ka si interes përfitimin “tim”, në emër të  përfitimit “tonë”. Ky shërbim i le gjithmonë jashtë nevojën “tënde”, duke krijuar një dinamikë të përjashtimit.

Të gjithë jemi të ftuar nga vokacioni i krishterë në shërbimin që shërben e të ndihmojnë njëri-tjetrin në mënyrë të anasjelltë për mos ra në tundimet e “shërbimit që shërbehet”, të shërbimit që përfiton. Të gjithë jeni të thirrur, të nxitur nga Jezusi për t’u kujdesur për njëri-tjetrin me dashuri e në saje të dashurisë. E këtë pa shikuar pranë nesh për të pa se çka bënë apo nuk bënë i afërmi im. Jezusi na thotë: “ Kush dëshiron të jetë i pari, le të jetë i mbrami i të gjithëve e shërbëtori i të gjithëve” (Mk 9,35). Nuk thotë: “Nëse i afërmi yt dëshiron të jetë i pari, le të shërben”. Duket të kemi kujdes e të ruhemi nga vështrimi që gjykon e të ndihmojmë njëri-tjetrin të besojmë në vështrimin që transformon, për çka na thërret Jezusi. Në jetën tonë duhet ta vendosim në qendër vëllain, të afërmin, atë që vuan e që ka nevojë për ndihmën, shërbimin e dashurinë tonë.

Populli i shenjtë besnik i Zotit që jeton në Kubë është një popull që e do festën, miqësinë, gjërat e bukura. Është një popull që ecën, që këndon e lëvdon. Është një popull që ka plagë, si çdo popull tjetër,  por di të jetë me krahë hapur, të ecën udhës me shpresë, sepse vokacioni i tij është madhështia. Sot ju ftoj të kujdeseni për këtë vokacion, të kujdeseni për këto dhurata që Zoti u ka fal, por në mënyrë të veçantë dua të ju ftoj të kujdeseni e t’ia shërbeni vëllezërve më të brishtë, brishtësisë së tyre. Mos i leni anash për shkak të projekteve që ju joshin, e në realitet çinteresohen për fytyrën e atij që është pranë. Ne e dimë, jemi dëshmitarë të “forcës së pakrahasueshme” të ringjalljes që “prodhon në çdo vend fara të kësaj bote të re” (Evangelii gaudium, 276.278).

Mos ta harrojmë Lajmin e Mirë (Ungjillin e sotëm: madhështia e një populli, e një kombi, madhështia e një njeriu bazohet gjithmonë mbi shërbimin që mund të ofrojë për vëllezërit e vet më të brishtë e nevojtarë.

Në këtë e kemi dhe këtu e gjemë frytin e njerëzimit të vërtetë. “Kush nuk jeton për të shërbyer, nuk i shërben jetës”.

Nga www.radiovaticana.va

Shpërndaje

Comments are closed.

« »