TRASHËGIMIA NË LABIRINT

Sep 22 • Kulturë

Kujtim për personalitetin e madh të kulturës dhe folklorit shqiptar, Anton Çetta, në 20 vjetorin e kalimit në amshim

Shkruan: Resmije Kryeziu

Një ndër preokupimet kryesore të Anton Çettës ka qenë mbledhja dhe ruajtja e folklorit, trashëgimisë së popullit shqiptar, e cila shekuj me radhë e ka mbrojtur atë prej asimilimit dhe zhbërjes nga pushtuesit fizikë dhe shpirtërorë.

Sot, njëzet vjet nga vdekja e tij, po e përkujtojmë këtë personalitet të madh të kulturës sonë në përgjithësi, e të folkloristikës në veçanti.

Heshtja e gjatë për një figurë kombëtare, siç ishte Anton Çetta, mund të arsyetohet, deri-diku, me ndryshimet e mëdha shoqërore që ndodhën gjatë këtyre viteve në Kosovë. Kalimi nga sistemi robërues dhe komunist në sistemin plural, përmes luftës çlirimtare, prodhoi vakume sa institucionale aq edhe vakume në vlerësime të periudhave dhe personaliteteve.

Këto vakume u karakterizuan me një varg kundërthëniesh serioze, si në planin e jashtëm, me ndikimin e ndërkombëtarëve, ashtu edhe në atë të brendshmin, me procesin e pakapërcyeshëm në këso rrethana- procesin të transicionit.

Pavarësia e Kosovës nuk mund të fuqizohet po qe se nuk themelohen kritere për cilësimin dhe vlerësimin e periudhave dhe personaliteteve që këtyre periudhave historike e kulturore ua dhanë vulën e tyre krijuese. Parakusht themeltar për një vlerësim të paanshëm është kuptimi i drejtë i lirë dhe mënyra si do të duhej të sillemi kur liria, kurrë më shumë se tani është në vullnetin tonë.

Të pamësuar me lirinë, e cila u arrit me sakrifica të mëdha të popullit dhe me mbështetjen e forcave demokratike nga bota e lirë dhe e qytetëruar, sikur u gjetëm para një dileme: si të sillemi në rrethana të reja? Si t’i kuptojmë ato? Grekët antikë thonë se vetëm ai që sillet mes të lirëve, është i lirë. Edhe sa kohë na duhet të kuptojmë se jemi të lirë, që në asnjë çast të mos iu mohojmë vlerat e atyre që kishin vlera, edhe para nesh, edhe, edhe sa kohë na duhet ta flakim mendësinë, sa praparendëse, aq është shkatërruese, se e mira është vetë ajo që ne e sollëm, se vetëm me vlerat tona duhet të maten vlerat e së kaluarës? Kjo liri ku vlerësohet vetëm ajo që ne e sollëm bie ndesh edhe me parimet e përjetshme të kuptimit të lirisë: jam i lirë aq sa nuk e cenoj lirinë e tjetrit. Kështu e ka konsideruar lirinë Revolucioni Borgjez Francez ( 1878), që shpalli për herë të parë të drejtat dhe liritë e njeriut.

Për ta ndihmuar rrjedhën e transicionit mendor, aq të nevojshëm për adaptim në rrethana të reja, qëparë lypset shndërrimi i të menduarit. Hapi i parë është flakja e mendësisë patriarkale. Kërkimi i së vërtetës përmes ndeshjeve të mendimeve, sjell frymë të shëndetshme në kërkim të shtigjeve të reja drejt vetënjohjes dhe vetëvlerësimit të vërtetë. Ky vetëdijesim kulturor na ndihmon t’i kuptojmë më mirë nevojat për krijimin e raporteve të reja që hapin shtigje për kontakte me të tjerë, në kërkim të rivlerësimeve të sakta të vetës sonë, hapi tjetër do të duhej të ushte vetënjohja dhe flakja e bindjes së çdo  gjë fillon me brezin tonë.

Civilizimet evropiane arritën këtu ku janë sot duke i ruajtur me fanatizëm vlerat e tyre trashëgimore. Mendimi i tyre politik dhe shkencor u rrit duke u bazuar në vlerat e trashëgimisë së tyre mbi të cilat ata e ndërtuan rendin e sotëm ekzistues.

Specialisti i njohur i shkencave politike, ligjërues në të gjitha universitetet më prestigjioze të Amerikës, Samuel P. Huntington, në veprën Përplasja e qytetërimeve dhe ribërja e rendit botëror, thotë: “Nga fundi i viteve 1980 bota komuniste u shemb dhe sistemi ndërkombëtar i Luftës së ftohtë i kaloi historisë. Në botën pas Luftës së ftohët dallimet më të rëndësishme ndërmjet popujve nuk janë ideologjike, politike ose ekonomike. Ato janë kulturore. Popujt dhe shtetet po përpiqen t’i përgjigjën pyetjes më themelore, me të cilën mund të ballafaqohen njerëzit: Kush jemi ne? Dhe ata po i përgjigjen kësaj pyetje në mënyrë tradicionale, me të cilën i janë përgjigjur njerëzit duke ju drejtuar gjërave që kanë më shumë vlerë për ta. Njerëzit e përcaktojnë veten nga pikëpamja e paraardhësve, besimit, gjuhës , historisë, vlerave, zakoneve dhe institucioneve. Ata njëjtësohen me grupe kulturore: fiset, grupet etnike, bashkësitë fetare, kombet dhe, në nivelin më të gjerë, me qytetërimet. Njerëzit e përdorin politikën jo thjesht për të përmbushur interesat e tyre, por edhe për te përcaktuar identitetin e tyre. Ne mund ta dimë se kush jemi, vetëm kur e dimë se kush nuk jemi dhe shpesh vetëm kur e dimë se kundër kujt jemi”.

Ne, duke qenë larg këtyre parametrave, në vend që të mësojmë nga të diturit, jo rrallëherë e mohojmë këtë rrjedhë të të menduarit duke harruar se brenda natës nuk arrihet dija, ashtu siç nuk mund të bëhet ndërrimi i elitave me dekret politik. Kjo mënyrë e të menduarit na varfëron, prandaj sa më parë që ta kuptojmë se ne qëndrojmë mbi vlera që kanë ekzistuar edhe me parë, na bën më të fuqishëm.

Sa kemi arritur ta kuptojmë këtë? Pa dashur të paragjykoj do të shpalos faktet që flasin me mirë se cilido konstatim individual.

Vetënjohja do të duhej të niste jo më rrënim, por me rivlerësim të vlerave nga e kaluara. Ky ndryshim i pikëvlersimeve, sipas parametrave shkencorë, do të duhej t’i përfshinte të gjitha sferat e aktiviteteve  mendore, që nga shkollat e deri të Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Analizat e këtyre planprogrameve zbulojnë se, edhe sot kur synojmë të jemi pjesë e botë demokratike, nxënësit tanë ende mësojnë sipas planprogrameve të kohë së komunizmit. Nëse këtyre programeve, përjashtuese të vlerave të pamohueshme historike nga e kaluara, u shtrohen vlerat e kohës së sotme, pa iu nënshtruar matjeve shkencore, atëherë janë të natyrshme devijimet e mundshme, të cilat, pa dyshim, se do të pasojnë në të menduarit dhe të vlerësuarit e brezave që do të vijnë. Kjo formë selektive e nxënies lë pasoja të rënda që, me kalim të kohës, vështirë se riparohen, kështu që edukimi me boshllëqe nuk prodhon vlerësime të drejta. Gustav le Bon, në veprën Psikologjia e popujve dhe turmave, duke ju referuar nxënies dhe edukimit konstaton: “Të mësuarit nuk është të edukuar. Mjafton pak vjet për ta mësuar një barbarë, por ndonjëherë duhet  shekuj për ta edukuar atë.”

Gjuha, tipari themelor i kombit

Në mjetet e informimit, në tekstet shkollore, në botimet e ndryshme norma e gjuhës standarde nuk funksionon si duhet. Arsyet janë të ndryshme: disa gabime e shmangie nga norma bëhen për shkak të moskujdesit tonë për ta zotëruar si duhet atë, disa shtrembërime bëhen edhe si pasojë e qëndrimit të disa individëve që nuk e pranojnë gjuhën standarde. Nga ata që nuk e pranojnë gjuhën standarde disa janë më të heshtur e disa më të zëshëm. Më të zëshmit, tash sa kohë kanë krijuar edhe shtëpi botuese dhe botojnë edhe libra në dialektin gegë, seri veprash të njohura. Këtu nuk bëhet fjalë për vepra të shkruara në gegërishte, nga autorë që më nuk janë gjallë, por që është edhe më keq, behën përkthime të biografive dhe të ideve të kolosëve të kulturës botërore, që janë të shkruara me një stil popullor, që lexohen lehtë nga të gjitha shtresat e lexuesve dhe që kjo përzgjedhje ka për qëllim që në mënyrë të pahetueshme ta infektoj lexuesin e pambrojtur, me një mundësi shkatërruese: kur gjuha e rrugës, e cila mund të jetë e dobishme si gjuhë e personazheve të caktuara, imponohet dhe përmes përkthimit synohet të shndërrohet në standard gjuhësor, rreziqet për lexuesin janë të paparashikueshme.

Rënia e nderimit për gjuhën mos të thotë edhe rënie e nderimit për kategoritë themelore që përbëjnë qenësinë tonë?

Kush e mbron gjuhën tonë? Popujt e qytetëruar kanë krijuar shoqata për ruajtjen e pastërtisë së gjuhës amtare e cila e përparon lartësinë dhe shkencën. Në Firence është krijuar më 1582 Accademia della Crusca, e cila ka pasur qëllim që ta pastrojë gjuhën nga krundet “krusma”, themeluesit kanë qenë fisnikë të arsimuar, shkencëtar dhe poetë. Në Francë me përpjekjet e poetëve të Plejadës, më 1635, më vonë është themeluar Akademia franceze, detyra e parë  e saj ka qenë botimi i fjalorit të gjuhës frënge. Në Gjermani, gjatë shekullit të 17, janë krijuar disa akademi sipas shembullit të Akademisë së Firences: në Vajmar, Strasburg, Hamburg, Libek, Nurnberg. Sot në Francë, në kuadër të Qeverisë franceze, funksionon Departamenti për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës frënge.

Nëse ne nuk kemi mbrojtës institucional, me fuqi të ndalimit të devijimit, ku gjuha është vlerë e gjallë që duhet ruajtur siç ruhet jeta, ne nuk mund ta cilësojmë veten si popull që di t’i ruajë vlerat e trashëgimisë, atëherë do të duhej të gjithë të luftonim që të mos bëhemi shkatërrues të saj. Nëse ne nuk kemi Akademi për mbrojtje dhe zhvillim të gjuhës ishte dashur që Akademia ekzistuese e Shkencave dhe e Arteve, në kuadër të aktiviteteve të saj, ta merrte rolin edhe të mbrojtësit institucional  të gjuhës, dhe në mënyrë të përkushtuar, me normën ligjore, ta mbronte normën gjuhësore. 

 

Historia e popullit shqiptar dhe historia e letërsisë shqipe

Pas afër dy dekadash nga rënia e komunizmit e deri sot nuk u shkruan as historia e popullit shqiptare as historia e letërsisë shqipe, edhe pse distanca kohore është mjaftueshme, edhe pse këndej dhe andej kufirit i kemi dy akademi të shkencave dhe të arteve, dy institute albanologjike, dy katedra të gjuhës dhe letërsisë shqipe, me kuadër shkencor të përgatitur. Historitë tona i shkruan dy të huaj: Noel Malkolmi, Historia e shkurtër e Kosovës, me 2001 dhe Robert Elsie, Historia e letërsisë shqipe, më 1993.

Nëse pranohet teza se historia e Kosovës, qoftë e shkurtër qoftë e gjatë, dallon nga historia shqiptare, atëherë fajin më të madh e kemi ne, jo të huajt që ishin kreatorë të kësaj ndarjeje. Historia e popullit shqiptar, ashtu siç është shkruar, nuk i përgjigjet denjësisht emrit që mban. Mospërfillja e figurave të shquara të historisë sonë, trajtimi i periudhave historike dhe bartësve të tyre në mënyrë selektive lë mundësi që këtë qasje shkatërrimtare ta ndjekin edhe historianet e huaj, qofshin ata profesionist apo amatorë. Dëshmi për këtë është trajtimi i figurës me të ndritshme të historisë sonë, Skënderbeut, i cili në vend se të studiohej si një vizionar dhe mbrojtjes i Evropës nga invazioni osman, ai trajtohet nga austriaku Shmit si barabar inatçor që e ndjek gjakësin familjar. Mungesa e një banke të përgjithshme të informatave rezulton me gabime që personalitetet e historisë sonë të cilësohen jo sipas të vërtetave, por sipas preferencave ideologjike, rajonale. Tërësisht joshkencore. Anashkalim i kësaj pjese të trashëgimisë sonë historike, bëhet çështje për diskutim, qoftë personalitetit të caktuar nga historia, qoftë situatave ku vihet në pikëpyetje edhe prejardhja e shqiptarëve në pjesë të ashtuquajtura periferike të atdheut. Arsyetimet për këto mangësi nuk kanë vlerë. Fajin e kemi ne, se derisa presim që të tjerët të na ravijëzojnë të kaluarën dhe të ardhmen, nuk është për t’u çuditur se ne do të mbesim vetëm spektatorë të thjeshtë.

Varrezat

Përkufizimi i varrezave në kujtesën njerëzore lidhet me vendin ku ruhet shpirti i të parëve tanë. Ky përkufizim i referohet kuptimit metaforik të jetës dhe ruajtjes së gjurmëve fizike të saj. Kjo metaforë nuk u shërben të vdekurve por të gjallëve. Për këtë arsye varrezat ruhen si dëshmi e ekzistencës së shpirtit që jeton në breza. Të atilla ato japin forcë brezave të ardhshëm. Në fjalorin e simboleve të A. Chevalier, A. Gheerbrant, që nga varrezat e rëndomta deri te piramidat të gjitha synojnë vertikalen, do të thotë, komunikimin me qiellin, gjithësinë, përjetësinë. Pikërisht për këtë popujt synojnë këtë përjetësi, i ruajnë varrezat për të pasur një mbështetje të fuqishme se pikërisht të gjallët duke u mbështetur në brezat pararendës mund të ecin përpara. Të hequrit dorë nga përkujdesja për to, do të thotë të hequrit dorë nga koha në të cilën jetojmë.

Si është gjendja e varrezave tona? A tregohet kujdes për to? Në disa qytete ato janë të rrethuara me tela, ndërsa në shumë fshatra nuk ka pothuajse asnjë kujdes, bagëtia kullosin lirshëm në to. Është shqetësues edhe fati i varreve të rënëve në luftën e fundit, të cilët gjinden anekënd Kosovës: kush në arë të vet, kush në oborr të shtëpisë, kush në livadh skaj rrugës. Ashtu, të shpërndarë, të gjithë duken më të vetmuar se vet vdekja. Tashmë, pas një dekade, të gjithë ata, do të duhej të rivarroseshin në varrezat e dëshmorëve dhe të gjithë, të preheshin në tokën e atdheut, nën një lapidar të lartë, simbol të sakrificës dhe jetës së dhënë për liri. Për një shtet të civilizuar kjo gjë do të ishte vetëm një akt moral i nënkuptuar.

Cila është qasja jonë ndaj trashëgimisë arkeologjike?

Jo vetëm në kohën e komunizmit, kur nuk ishim në gjendje ta mbronim trashëgimin tonë arkeologjike, sikur që ndodhi në vitin 1978-1979 në vendin e quajtur “gradina” u mbulua lokaliteti antik, për t’u ndërtuar fabrika e baterive industriale. Apo më vonë, diku në vitet 90-96, kur në Ulpainë u hap një kanal i ujësjellësit, për të quar ujin në Llapna Sellë, u dëmtuan pjesë arkitektonike të lokalitetit antik.

Për fat të keq, kjo gjë ka ndodhur edhe pas luftës, kur e terë Kosova është shndërruar në një punishte të madhe dhe kur dihet se rreth 90% e lokaliteteve arkeologjike të Kosovës duhet të hulumtohen. Në kohën kur ne ishte dashur ta mbronim këtë trashëgimi, ndodh e kundërta dhe lokalitetet arkeologjike vazhdojnë të shkatërrohen pamëshirshëm, siç është rasti me lokalitetin antik të shekujve I-III, në Zllakuqan, kur mbi të ndërtohen dy pishina të mëdha kreative, me ç’rast janë hedhur në pleh monumente epigrafie dhe objekte të tjera.

Në Pejë shiritin për fillimin e ndërtimit të fabrikës së baterive e ka prerë Rade Zviceri, kryetar i atëhershëm i Komunës, ndërsa ne Zllakuqan shiritin e fillimit të punimeve për ndërtimin e dy pishinave e ka prerë një ish-lider i një partie tonë! Që të dy këta, bashkë me shiritin, prenë edhe trashëgimin e çmuar arkeologjike, kujtesën mijëvjeçarëve të kaluar!

Mostrajtimi i figurave

Figurat e rëndësishme të kulturës në tërë botën e qytetëruar trajtohen nga shteti si vlera kombëtare. Atyre iu ndërtohen shtatore, u mbrohet, përveç trashëgimisë kulturore, edhe hapësira ku kanë jetuar dhe vepruar; ruhen mjetet e punës së tyre, biblioteka, makina shkrimi, syza, dylbi, stilolapsa etj. Shtëpitë e tyre bëhen muze, emri i tyre i jepet ndonjë institucioni apo rruge.

Si veprojmë ne me figurat tona të rëndësishme kombëtare?

Mbledhja e folklorit nga Anton Çetta, në kohën kur ne në Kosovë nuk kishim institucione të nivelit shkencor, nuk ishte vetëm një mbledhje e rëndomtë e folklorit, por ishte edhe akt politik të cilin nuk mund ta ndalonte pushteti i asaj kohe që pranonte të drejtat kulturore të shqiptarëve në Jugosllavi. Pikërisht ky veprim i Anton Çettës, sado që për botën e civilizuar nuk është ndonjë punë e madhe, për ne që nuk kishim asgjë, kjo ishte një nisëm e mbarë në rrugën e gjatë të vetënjohjes, e cila tani po përjetësohej me të shkruar. Kujdesi ynë për vlerat nga e kaluara, apo thënë, moskujdesi ynë për to dëshmohet edhe me harresën ndaj njeriut që këmbë, me mijëra herë, kalojë gjithandej Kosovës për t’i mbledhur e sistemuar dromcat e thesarit tonë shpirtërorë. Që njëzet vjet Anton Çetta më nuk është në mesin tonë dhe ne, duke harruar atë, sikur po e harrojmë vetveten të cilën ai na e kishte përkujtuar me mbledhjen dhe përmbledhjen e mendimit të popullit. Mbas vdekjes së Anton Çettës sekush e kishte porositur një shtatore të tij, apo atë e kishte bërë nga vullneti dhe respekti për të skulptori Fatmir Hoxha, profesor i fakultetit të arteve, punën e të cilit në këtë preket e kishin përkujdesur Muslim Mulliqi dhe Agim Çavdarbasha. Autori i shtatores, përndryshe mik i Anton Çettës, duke parë se atakë e kishin porositur këtë shtatore nuk po interesoheshin për të, me parat e veta, jo të pakta dhe me një ndihme te vogël nga porositësit, e kishte derdhur në bronz me shpresë se me ndërrimin e strukturave politike në pushtet do të gjendej ndonjë formacion politik që do të interesohej për këtë porosi të harruar, për këtë harresë të një pjese të jetës sonë dhe këtë shtatore do ta vendoste diku ku ky njeri e meriton të jetë, në mesin tonë, jo për njeriun që paraqet shtatorja, por për ne që njeriu i shtatores me veprën e tij ishte munduar të na vetëdijesojë, se kush jemi dhe sa vlejmë, bazuar në thesarin mendor të së kaluarës. Që sot e trembëdhjetë vjet shtatorja madhështore e Anton Çettës e zbukuron oborrin e skulptorit Fatmir Hoxha. Le të jetë kjo shtatore një thirrje e mendjes se po u harruan ata që me fjalën e tyre si smilarë tentuan të krijojnë thadrime të reja kur ne nuk kishim institucione të nivelit shkencor të mendjes njerëzore, ne ja mbyllim shtigjet së ardhmes tonë, sepse ajo nuk është e ardhme po nuk e pati një të kaluar. Anton Çetta nuk është vetëm i Institutit Albanologjik.

(Ky shkrim është botuar në librin e autores “Akti i krijimit”, Instituti Albanologjik, Prishtinë 2011, f. 343-353.)

Shpërndaje

Comments are closed.

« »