KUSH NUK ËSHTË KUNDËR NESH, ËSHTË ME NE!

Sep 25 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXVI gjatë vitit (B)

Leximi parë (Nr 11,25-29)

Lexim prej Librit të Numrave

Në ato ditë, Zoti zbriti në re dhe zuri të bisedojë me Moisiun. Nga shpirti që ishte në Moisiun mori dhe u dha shtatëdhjetë burrave pleq. Kur shpirti pushoi mbi ta, filluan të profetizojnë, por këtë nuk e bënë askurrë më. Porse dy pleq ndenjën në tëbanishtë. Njëri quhej Eldad e tjetri Medad. Edhe mbi ta pushoi shpirti. Edhe këta ishin shënuar, por nuk erdhën te tenda.

Kur filluan të profetizojnë në tëbanishtë, vrapoj një djalosh e i tregoi Moisiut me këto fjalë: „Eldadi dhe Medadi po profetizojnë në tëbanishtë!“ Jozuehu, biri i Nunit, që Moisiu e kishte zgjedhur t‘ i shërbej qysh i ri, tha menjëherë: “Ndalojau, Imzot, Moisi!“ Kurse Moisiu përgjigji: „Po a ke smirë për mua? Eh, po të ishte e mundur që i tërë populli të profetizojë e Zoti t’ia jepte Shpirtin e vet.

Fjala e Zotit

Psalmi 19 

Ref. Urdhërimet e Zotit japin gëzim.

——————————————————–

I përsosur është Ligji i Zotit,

shpirtin përtërin;

për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,

të miturve u jep dijen.

——————————————————–

E panjollë është frika e Zotit,

nuk ndërron në shekuj të shekujve;

gjyqet e Zotit janë të vërteta,

të gjitha njënjë të drejta.

Më të çmueshme se ari, se më i pastri ar,

më të ëmbla se mjalti, se hoja që rrjedh mjaltë.

————————————————————–

Ruaje shërbëtorin tënd, o Zot, prej krenisë,

që të mos më zotërojë ajo;

atëherë do të jem i patëmetë,

i pastër krejtësisht prej mëkatit të madh.

Shërbëtori yt me kujdes i mëson:

t’i mbash ato është fitesë e madhe.

Porse kush i heton gabimet?

Më pastro, o Zot, prej mëkateve të fshehta.

————————————————————-

Leximi dytë (Jak 5,1-6)

Lexim prej Letrës së shën Jakut apostull

Kujdes, tani ju, o pasanikë! Qani dhe vajtoni për të këqijat që do të vijnë mbi ju! Pasuria juaj u kalb dhe petkat tuaja i brejti tenja. Ari dhe argjendi juaj u ndryshk dhe ndryshku i tyre do të bëhet dëshmi kundër jush dhe do ta hajë trupin tuaj porsi zjarri!

Keni mbledhur visare për ditët e fundit! Ja! Paga që u hëngrët punëtorëve që ju korrën arat, bërtet: dhe ofshama e korrëtarëve arrit në veshët e Zotërisë së ushtrive! Jetuat mbi tokë plot luks dhe u këndellet në ëndje të prujta, i ushqyet zemrat tuaja për ditën e therjes! E dënuat, e vratë të drejtin: ai nuk ju kundërshton.

Fjala e Zotit

 

Aleluja!

Fjala jote, o Zot, është e vërteta:

na shenjtëro në të vërtetën

Aleluja!

+ Ungjilli Mk 9,38-43.45.47-48 

Lexim i Ungjillit të shenjtë sipas Markut

Në atë kohë, Gjoni i tha Jezusit: “Mësues, e pamë një njeri që i dëbonte djajtë në Emër tënd. Ne ia ndaluam, sepse ai nuk na ndiqte.” Jezusi i tha: “Mos ia ndaloni! Sepse s’ka njeri që të mund të bëjë mrekulli në Emrin tim e menjëherë pastaj të flasë keq për mua. Kush nuk është kundër nesh, është me ne. Ai që do t’ju japë të pini një gotë ujë përse jeni të Krishtit, për të vërtetë po ju them: me siguri nuk do ta humbë shpërblimin e vet. Porse, për atë që mëson ndonjërin prej këtyre të vegjëlve që besojnë në mua të mëkatojë, do t’ishte më mirë t’i varej rreth qafës guri i mullirit e të hidhej në det. Prandaj, nëse dora jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh dorëcung në jetë se me të dy duart të shkosh në ferr – në zjarr që s’fiket kurrë. E nëse këmba jote të çon në mëkat, preje! Më mirë është për ty të hysh në jetë i çalë se t’i kesh të dy këmbët e të hidhesh në ferr. Po qe se edhe syri yt të çon në mëkat, nxirre! Më mirë është për ty të hysh në Mbretërinë e Hyjit me një sy se t’i kesh të dy e të hidhesh në ferr ku krimbi i tyre nuk cof e zjarri nuk fiket.

Fjala e Zotit

POROSIA

Leximet e sotme, janë një porosi e veçantë, dhe janë mjaft të hapura ndaj botës dhe njerëzve.

Duke u nisur nga leximi i parë, shohim se Shpirti i Zotit vepron edhe jashtë tbanishtes, dhe me të drejtë, thotë Moisiu, po të ishin të gjithë profetë që flasin dhe veprojnë në emër të Zotit. Kjo do të ishte një gjë e mrekullueshme, me një epilog të mirë për njerëzimit që të jetonte në paqe dhe dashuri.

Leximi i dytë që na paraqet shën Jaku; është pjesa e fundit e shkrimit të tij, e cila na qorton dhe mëson që të kemi kujdes në pasuri, sepse ajo nëse nuk fitohet ndershëm dhe nuk përdoret me mençuri mund të na çojë në bjerrje.

Ungjilli i sotshëm, po ashtu, lidhet me leximin e parë. Apostulli nuk guxon që të ketë smirë për atë që bën mirë dhe vepron mirë, sepse edhe jashtë bashkësisë, ka njerëz që veprojnë në saje të ndërgjegjes, dhe janë të prirë nga shpirti i mirë për të bërë mirë e për të vepruar mirë.

Për këtë na mëson Jezusi me shembull dhe jetë. Të gjithë ata që kanë dashuri dhe nevojë për të,  u ndihmon, pavarësisht nga situata apo njerëzit.

Jezusi, na mëson që të jemi zemërgjerë në dashuri, sikurse Ati qiellor:  “Kush nuk është kundër nesh është me ne“, thotë Ai.

E tillë është dashuria. Dashuria e vërtetë i gëzohet çdo vepre të mirë nga çdo kush dhe ndaj çdo kujt.

Të gjithë ata që bëjnë mirë shpërblehen prej Zotit.

Pjesa e dytë e Ungjillit ka edhe një porosi që është shumë aktuale sot. Jezusi thotë: nëse dora jote, syri yt, këmba jote të çon në mëkat, preje, nxirre, sepse ma mirë është i çal apo i verbër të hysh në jetë, sesa me të dy këmbët, duart apo sytë të humbësesh në ferr ku është vaj dhe kërcëllim dhëmbësh.

Aty ku nuk është Zoti dhe dashuria e tij, është ferri dhe mjerimi.

Kryqi i Krishtit është mburoja nga i keqi, mëkati dhe ferri, pas kalvarit nëse nuk na ndal kryqi pason vuajtja. Ndërsa shën Jeronimi lutej: “O Hyj, këtu me djeg, me pjek, me prej, por atje me kurse.”

Jezusi, pra, na fton të largojmë të keqen që na sjellin duart, sytë këmbët, për këtë pra duhet të jemi të gatshëm dhe të kujdesshëm, të ruhemi me fuqi të fesë dhe dashurisë që kemi ndaj Tij, e që na shërben për të mirën tonë.

Ndërsa sa i përket shkandullit që cek  Ungjilli, e që mund të japim, po e përmbylli me  një ngjarje:

Në spital, qëndronte e shtrirë për vdekje, vajza 26 vjeçare e pranë saj ishte nëna e cila ishte rreth 60 vjeçe.Vajza ishte dhënë pas vesesh, dhe duke menduar se do të pastronte ndërgjegjen nga mëkatet e shumta që kishte bërë deshi të bënte vetëvrasje, duke pirë një lloj helmi.

Nëna, me lot për faqe dhe shumë e pikëlluar i tha: “Bija ime, si ke mundur të ma bësh këtë? Nuk të erdhi turp, nuk pate pak dashuri ndaj meje si nënë! Bija e shikoi dhe po ashtu me pikëllim i përgjigj, kur isha e vogël sa herë kam dashur të shkoja në Meshë me shoqe, e asnjë herë nuk me ke lënë, gjithmonë me ke mbyllur brenda. Nuk me ke mësuar të lutem si shoqet e mia, nuk ke qenë një shembull i mirë i fesë si nënat tjera, ke dashur vetëm para, punë, shëtitje, jetë luksi.

U rrita pa besim në Zot, pa edukatë fetare dhe ja tani jemi këtu dhe kështu.

Ngjarje e mirë për të menduar çfarë jemi dhe sa angazhohemi që vet dhe fëmijët t‘i edukojmë dhe mësojmë, të formohen si besimtar të mirë që jeta të jetë më kuptimplote.

Pasuria, luksi, ahengjet, si dhe lojërat e fatit nuk të sjellin gjithherë dobi nëse nuk jemi edhe besimtarë, por sjellin rrenim dhe shkatërrim, sepse ndërsa trupi pasurohet dhe ngopet, shpirt varfërohet dhe dëmtohet.

Të jemi shembull i mirë i fesë dhe kështu ta dëshmojmë Zotin me fjalë dhe vepra. Amen.

LUTJET E BESIMTARËVE

Të bashkuar nëpërmes Shpirtit të Zotit t‘ i paraqesim Atit tonë lutjet dhe kërkesat tona që Ai i pasur me dashuri dhe mëshirë të na dëgjoj dhe ndihmojë në jetën e përditshme: T‘ i themi: 

Dëgjoje, o Zot lutjen tonë!

– Për Kishën tënde, që e dërguar në botë, të shpallë shëlbimin të gjithë njerëzve me gëzim dhe dashuri, të lutemi:

– Për barinjtë e Kishës, që me jetë të shenjtë të dëshmojnë përkatësinë e tyre ndaj Krishtit, i cili i thirri në shërbimin e Tij të lutemi:

– Për të gjithë njerëzit në botë që të dëgjojnë zërin tënd dhe me ndërgjegje të largojnë të këqijat me të cilat ballafaqohen e të jetojnë në hirin tënd, të lutemi:

– Për ne këtu të pranishëm që të jemi të nxitur prej Shpirtit tënd për të ndjekur Birin tënd në rrugën e shëlbimit, të lutemi:

– Për të gjithë besimtarët tanë të vdekur që mëshira dhe dashuria jote të pranojë në jetën e pasosur, të lutemi{

Dëgjoj o Zot lutjet tona dhe bëj që ungjilli gjithmonë të jetë normë e jetës sonë. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen!

Përgatiti:  Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »