PYETJA MË E RËNDËSISHME E JETËS

Sep 25 • Meditimi i ditës

25 shtator 2015 – E premte, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

“Gjithçka e ka vendin dhe kohën e vet”, thotë fjala e urtë.

O Zot, bëj që gjithmonë të dëshiroj ta kaloj kohën në praninë tënde.

Që ta dëgjoj thirrjen tënde.

 

Liria

O Zot, më ke krijuar për të jetuar në liri.

Shpirti Shenjt më udhëheqtë që lirisht të shkoj pas teje.

Mbille në zemrën time dëshirën që çdo ditë

gjithnjë e më shumë të të njoh dhe të të dua.

 

Vetëdija

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë ke treguar kujdes për mua.

 

Fjala

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë fjalë ose ngjarje që më prek, që më flet pikërisht mua.

 

Lk 9, 18-22


18 Ndërsa një ditë po lutej në vetmi ‑ ishin me të vetëm nxënësit e tij ‑ ai u bëri këtë pyetje:

“Kush thonë njerëzit se jam unë?”

19 Ata iu përgjigjën:

“Disa thonë se je Gjon Pagëzuesi, disa Elia, kurse disa të tjerë thonë se u ngjall një ndër profetët e vjetër.”

20 “Po ju ‑ i pyeti atëherë ata ‑ kush mendoni se jam unë?”

U përgjigj Pjetri:

“Ti je Mesia i Hyjit!”

21 Atëherë Jezusi i porositi të mos i tregojnë askujt.

22 E vazhdoi:

“Birit të njeriut i duhet të pësojë shumë, ta përbuzin pleqtë, kryepriftërinjtë dhe skribët,

ta vrasin dhe të tretën ditë të ngjallet.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Vë re se si Jezusi lutet para çdo momenti apo ngjarjeje të rëndësishme në misionin e vet,

për shembull, kur i zgjedh të dymbëdhjetë dishepujt – apostujt.

A e ka ngushëlluar fakti që dishepujt, nxënësit e vet, ndryshe nga Herodi, e patën pranuar si Mesi?

Ndoshta e ka pyetur veten nëse kishte gabuar që nuk e zbuloi tërë veten ashtu si është.

Por, çfarë do të thoshin pastaj nxënësit? Si do ta shikonin zbulimin e pësimit, mundimeve të tija?

– E imagjinoj Jezusin sesi më pyet në lutje: “Po ti, ç`thua, kush jam unë? “Çfarë do të them?

A besoj se ky Mesi i mistershëm i Hyjit do të jetë me mua, edhe në qoftë se, si ai, më duhet të vuaj?

A besoj se në një kohë të caktuar do të më ngjallë nga të vdekurit?

 

Bashkëbisedimi

“Rrini zgjuar – mos flini.“
Janë fjalët e tua drejtuar nxënësve para mundimit dhe vdekjes.
E di, o Zot, se do të qëndrosh pranë meje
dhe do të rrish zgjuar të gjitha ditët e jetës sime.

 

Përfundimi

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma dhurove gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »