RESPEKTI PËR NDRYSHIME NË MARTESË

Sep 25 • Familja

Të përgatitesh për një martesë, që zgjat gjithë jetën, do të thotë të kesh kujdes përditë për dhuratën e marrë në takimin e parë të çiftit. Duhet shtuar se burri e gruaja vërtet janë dhurata e Hyjit për njëri-tjetrin, por nuk janë sende për t’u vënë mbi mobile për zbukurim. Ata janë njerëz të lirë, krijuar të tillë nga vetë Zoti. Besimtarët e dinë të gjithë këtë në teori, por në praktikë, jo të gjithë e kuptojnë se kjo veti ka fuqinë e jashtëzakonshme të zgjojë tek bashkëshortët një virtyt të sprovuar rëndë në botën e sotme, virtytin e respektit për ndryshimet.

Koha e fejesës bëhet atëherë kohë për njohjen e këtyre ndryshimeve. Gjithashtu, atëherë kuptohet nëse ndryshimet ndërmjet burrit e gruas janë pasuria e vërtetë e takimit ndërmjet tyre. Ky proces “njohjeje” dhe “mirënjohjeje” zgjat gjithë jetën. Të duash. do të thotë, ta kuptosh që në fillim se ndryshimet e karakterit, të opinionit, të shijeve, të edukimit e të formimit kulturor nuk janë kërcënim për harmoninë bashkëshortore, por kusht për ekzistencën e saj, nëse ato pranohen me respekt.

Harmonia e luleve në fushë arrihet kur asnjëra prej luleve nuk dallohet nga të tjerat aq sa ta shohësh krejtësisht të ndryshme për nga forma, lartësia, era e ngjyra. Kështu edhe në martesë. Harmonia arrihet kur ndryshimi ndërmjet burrit e gruas nuk është aq i madh, sa të bëhet krejtësisht i dukshëm. Sidomos, kur është fjala për vlera themelore si koncepti për vetë martesën (lidhje e përkohshme apo besëlidhje e përhershme?), çështja e fëmijëve (“fëmijët kushtojnë e mërzisin” apo “më pëlqejnë shumë”?), feja (të dy e konsiderojnë fenë të rëndësishme, apo njëri e quan të kotë?). Ndryshimet e thella në qëndrimin ndaj këtyre vlerave mund të çojnë në probleme, sidomos përsa i përket edukimit të fëmijëve… Natyra dhe dashuria njerëzore, pikërisht sepse janë dhuratë e Zotit, i kanë të gjitha mjetet për ta kuptuar një rrezik të tillë. 

Nga www.radiovaticana.va

Shpërndaje

Comments are closed.

« »