NË VEND TË DREKËS ME POLITIKANËT, PAPA SHKOI PËR TË NGRËNË ME TË PASTREHËT

Sep 26 • Kisha në botë

Pas fjalimit të tij mbresëlënës në Kongresin Amerikan, Papa refuzoi ftesën e nikoqirëve të vet, zyrtarëve të lartë amerikanë, për të ngrënë drekë me ta. Në vend të kësaj, ai shkoi në një shtëpi të të varfërve për të bekuar aty vaktin për të pastrehët.
Duke bekuar ushqimin e tyre, Papa u tha të pastrehëve se edhe Biri i Hyjit e ka ditur se çfarë do të thotë të jesh i pastrehë dhe të jetosh pa kulm mbi kokë.

Dhe Jezusi ishte i pastrehë

“Dua të jem shumë i qartë. Ne nuk mund të gjejmë asnjë justifikim social apo moral për mungesë shtëpie. Ne e dimë se Jezusi donte për të treguar solidaritet me çdo qenie njerëzore. Ai donte t`u ofrojë të gjithëve shoqërinë, ndihmën dhe dashurinë e vet. Ai e identifikoi veten me ata që vuajnë, që qajnë dhe pësojnë çdo padrejtësi. Ai në mënyrë të qartë na thotë: Unë isha i uritur, dhe ju më keni ushqyer, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët”, u tha Papa të pastrehëve.

Siç e ka mbështetur Shën Jozefin, ashtu edhe besimi edhe në situata tona të vështira sjell dritë që largon errësirën. Feja na hap praninë heshtur të Hyjit në çdo moment të jetës sonë, në çdo person dhe çdo rast – tha Papa. Feja zbulon se Hyji është me ne, kurse prania e tij na inkurajon për të bërë vepra dashurie.

Papa theksoi më tej lutjen si një ilaç kundër pandjeshmërisë dhe indiferetizmit ndaj vuajtjeve të të afërmit. Siç tha ai, lutja na bashkon, na bën vëllezër dhe motra, dhe hap zemrat tona dhe na kujton të vërtetën e mrekullueshme që ne nganjëherë e harrojmë:në lutje ne mësojmë për të thënë “Atë” dhe mësojmë ta shohim njëri-tjetrin si vëllezër dhe motra.

Në lutje nuk ka të pasur dhe të varfër, por ka vetëm bij dhe bija, vëllezër dhe motra. Në lutje nuk ka klasë të parë dhe të dytë, por ka vetëm vëllazëri. Në përfundim të fjalës, Papa e luti me ata që ishin mbledhur lutjen e Zotit “Ati ynë” dhe i bekoi, duke kërkuar që as ata mos të harrojnë të luten për të.

Gjesti i Papës i jashtëzakonshëm

Sipas Washington Post, në kryeqytetin e SHBA-s jetojnë 11.623 njerëz të pastrehë, ndërsa në të gjithë vendin janë më shumë se570 mijë.
Vizita bërë të pastrehëve në Uashington ishte një gjest jashtëzakonisht i bukur i kreut të Kishës katolike romane i cili kudo që shkon tregon përvujtëri të madhe ndaj të dobëtëve dhe të varfërve.

Përgatiti: Shtjefen Dodes SJ

Shpërndaje

Comments are closed.

« »