MOSNJOHJA E SHKRIMEVE ËSHTË MOSNJOHJE E KRISHTIT

Sep 30 • Këndvështrime

Unë e bëj detyrën time duke iu bindur urdhrit të Krishtit: “Shqyrtoni Shkrimet (Gjn 5, 39), dhe: “Kërkoni dhe do të gjeni” (Mt 7, 7), që mos të dëgjoj duke më thënë edhe mua si judenjve: “Ju jeni gabim sepse nuk e merrni vesh Shkrimin shenjt as pushtetin e Perëndisë” (Mt 22, 29). Nëse vërtet, sipas asaj që thotë Pali apostull, Krishti është pushteti i Hyjit dhe urtia e Hyjit, ai që nuk i njeh Shkrimet, nuk e njeh pushtetin e Hyjit, as urtinë e tij. Mosnjohja e Shkrimeve do të thotë mosnjohje e Krishtit.

Për këtë arsye dëshiroj t’i përngjaj atit të familjes, që nga thesari i tij di të nxjerrë gjëra të reja dhe të vjetra, dhe kështu edhe e fejuara, që në Këngën e Këngëve thotë: “Çdo lloj frutash të reja e të vjetra: i ruajta për ty, o i dashur” (khs. Kk 7, 14 volg.). Kam për qëllim, pra, të paraqes profetin Isai në mënyrë që ta paraqes jo vetëm si profet, por edhe si ungjilltar dhe apostull. Ai në të vërtet ka thënë edhe për veten atë që thotë për ungjilltarët e tjerë: “Sa të bukura janë mbi male këmbët e kasnecit që sjell sihariqin e paqes” (Is 52, 7). Dhe Hyji ia drejton pyetjen atij, porsi një apostulli: “Ja, ku më ke çomë mua!” (Is 6, 8).

Por mos të mendojë askush se unë dëshiroj të konsumoj në pak fjalë argumentin e këtij libri të Shkrimit shenjtë që i përmban të gjitha misteret e Zotit. Në librin e Isaisë profet gjejmë se Zoti paralajmërohet si Emanuel i lindur nga Virgjëra, si autor mrekullish dhe të shenjave të mëdha, si i vdekur dhe i varrosur, i ringjallur nga të vdekurit dhe shpëtimtar të të gjithë njerëzve. Çfarë të them mbi mësimin e tij mbi fizikën, etikën apo logjikën? E gjithë ajo që ka të bëjë me Shkrimin shenjt, e gjithë ajo që gjuha mund ta shpreh dhe mendja e njeriut të vdekshëm mund ta kuptojë, gjendet në këtë vëllim. Për thellësinë e atyre mistereve jep dëshmi vetë autori kur shkruan: “Për ju çdo zbulesë do të jetë porsi fjalët e librit të vulosur. Nëse ia japin dikujt që di të lexojë e i thotë: ‘Na lexo!’, ai do të përgjigjet: ‘Nuk mundem, sepse është i vulosur!’ Ose i jepet libri atij që s’di të lexojë e i thuhet: ‘Lexoje!’, ai do të përgjigjet: ‘S’di të lexoj.’” (Is 29, 11-12).

Bëhet fjalë, pra, për misteret që, si të tillë i mbeten të mbyllur dhe të pakuptueshëm profanëve, por të hapur dhe të qartë profetëve. Nëse, pra, u jep librin e Isaisë paganëve, që nuk i njohin librat e frymëzuar, do të të thonë: Nuk di të lexoj sepse nuk kam mësuar t’i lexoj tekstet e Shkrimeve. Porse profetët e dinin atë që thoshin dhe e kuptonin. Kështu lexojmë tek shën Pali: “Profetët zotërojnë me shpirtin frymëzues të vetin” (1 Kor 14, 32), që në ta të jetë aftësia për të heshtur dhe për të folur sipas rrethanave.

Profetët, pra, kuptonin atë që thoshin, për këtë arsye fjalët e tyre janë plot me urti dhe mençuri. Në veshët e tyre nuk arrinin vetëm vibrimet e zërit, por edhe vetë fjala e Hyjit që fliste në shpirtin e tyre. Këtë gjë e pohon edhe ndonjëri prej tyre me shprehje si këto: Engjëlli fliste në mua (krh. Zak 1, 9), dhe: (Shpirti) “gërthet në zemrën tonë: Abbà, o Atë” (Gal 4, 6), dhe prapë: “Do të dëgjoj çka thotë Zoti Hyj” (Ps 85 /84/, 9).

Marrë nga “Hyrja në komentin e Isaisë Profet” i shën Jeronimit, meshtar dhe mësues i Kishës (Li. Nr. 1, 2: CCL 73, 1-3)

 

——————————————————————————

KUSH ËSHTË SHËN JERONIMI, meshtar dhe mësues i Kishës?

Lindi në Stridon në Dalmaci rreth vitit 340. Ndoqi studimet për letërsi në Romë dhe po aty u pagëzua. Pasi përqafoi jetën asketike, shkoi në Lindje dhe u shugurua meshtar. Shёn Jeronimi mё sё shumti shquhet për përkthimin e Biblës, nga gjuha hebraike nё latinisht, e cila mori emrin Vulgata.
Kur u kthye në Romë, qe sekretar i papës Damaz dhe në atë kohë filloi redaktimin e Biblës në gjuhën latine të Shkrimit shenjt dhe promovoi jetën monastike. Me t’u vendosur pastaj në Betlehem, mori pjesë shumë aktive në ngjarjet dhe në nevojat e Kishës. Shkroi shumë vepra, veçanërisht komentarin e Shkrimit shenjt. Vdiq në Betlehem në vitin 420.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »