STUDENTËT ME IPESHKVIJTË KATOLIK TË BALLKANIT PERËNDIMOR NË NJË MESHË NË KATEDRALE

Sep 30 • Kisha në Kosovë

Me rastin e vitit të ri akademik 2015/16

 

Mesha e shenjtë me studentë këtë të martë (29 shtator 2015), me rastin e vitit të ri akademik, në Katedralen e Nënë Terezës në Prishtinë, u përputh me kohën kur po mbahej Konferenca Ndërkombëtare e Ipeshkvijve të Ballkanit Perëndimor dhe bamirësve të Kishës Katolike nga Europa dhe SHBA, që u mbajtë në Prishtinë nga 28-30 shtator, me iniciativën e Ipeshkvisë së Kosovës, përkatësisht Imzot Dodë Gjergji.

Meshës i priu kardinali i Sarajevës, Eminenca e Tij Vinko Pujić, në bashkëmeshim me Delegatin Apostolik për Kosovë, Sh. T. Juliusz Janusz, që në Konferencë përfaqësonte Sekretarinë e Shtetit të Vatikanit, në emër të Eminencës së tij  Pietro Parolin, Sekretar i Shtetit të Vatikanit. Të pranishëm ishin edhe ipeshkvijtë e tri Konferencave Ipeshkvore: Konferenca Ipeshkvore Internacionale Shën Çirili dhe Metodi, Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë dhe Konferenca Ipeshkvore e Bosnës dhe Hercegovinës.

Në fillim të meshës, Imzot Dodë Gjergji, si nikoqir, i përshëndeti të gjithë pjesëmarrësit e konferencës dhe studentët, duke shprehur gëzimin e takimit vëllazëror në Katedrale, me qëllim për tu lutur së bashku për një vit të ri akademik, por edhe për të shprehur gëzimin e Kishës që bashkohet në emër të Jezusit. Ju porosis – theksojë ipeshkvi – juve barinj të Ballkanit Perëndimor, që ta keni në lutjet e juaja Kishën tonë, e ju studentë na bashkëngjitni në lutje e veprimtari për të shërbyer vëllait dhe motrës njeri. 

Pjesë të meshës shqip dhe homelinë i mbajti Argjipeshkvi i Tivarit, Sh. T. Zef Gashi, në cilësinë e kryetarit të Konferencës Ipeshkvore Internacionale Shën Çirili dhe Metodi, i cili theksojë rëndësinë e arsimimit të të rinjve, duke rikujtuar një kohë të së kaluarës së vështirë të arsimit shqip në Kosovë, përkatësisht gjatë kohës së regjimit, kur mbylleshin shkollat dhe përndjekjeshin  studentët dhe profesorët… por tani – theksoj Imzoti – për ju të rinj janë hapur të gjitha perspektivat edhe pse ende gjendemi në periudhë tranzicioni, me të gjitha pasojat dhe vështirësitë e saja.

Në këtë meshë, një fjalë të rastit e mbajti edhe Delegati Apostolik për Kosovë, Sh. T. Juliusz Janusz, duke ju dhanë një mesazh të rinjve studentë: “Ju rini jeni shpresa e kësaj shoqërie, dhe shi për këtë arsye studioni mirë historinë tuaj, veprat heroike të paraardhësve tuaj dhe ecni pas shembullit të tyre, ruajeni trashëgiminë shpirtërore dhe morale. Si histori e bukur e së kaluarës suaj mund të shërbejnë vitrazhet në këtë Shenjtërore, që paraqesin personazhet që kanë krijuar qytetërimin e krishterë. Aty do t’i gjeni krishterët e kësaj toke që nga epoka e Shën Palit, i cili ka predikuar Ungjillin në Ilirik, tokë e lasht në të cilën jetoni sot. Në këto vitrazhe do të gjeni heroin Gjergj Kastrioti – Skënderbeun, Martirët e Ulpianës së lashtë, Papë me prejardhje shqiptare, martirët gjatë përndjekjes së komunizmit, dhe së fundi Nënë Terezën në një takim me Atin e Shenjtë Papën Shën Gjon Palin II, dy gjigantët e kohës sonë. Formojeni jetën tuaj duke ecur gjurmëve të dëshmisë së krishterë. Është kjo një dëshmi heroike që kërkon prej nesh flijime. Edhe prej jush do të kërkohet flijimi për të shërbyer këtë shoqëri duke u përcaktuar që të mbeteni këtu për ta ndërtuar realitetin e ri.

Pas meshe, studentët dhe pjesëmarrësit e konferencës patën momente bisedash në një koktej rasti në objektet kishtare.

Testi: Rev. Drita

Fotografitë: Sebastian Sokoli

1

2

3

4

5

6

8

9

10

11

13

14

15

16

17

19

20

21

Shpërndaje

Comments are closed.

« »