MARTESA NË KISHË

Oct 1 • Familja

Martesa dhe familja janë para së gjithash, realitete njerëzore, që i kanë rrënjët thellë në të qenit njeri e pikërisht për këtë arsye, lidhen me Zotin, sepse njeriu është krijuar në shembëllim e në ngjashmëri me të. Martesa pra, është shenjë e dukshme e dashurisë së Zotit. Meqë Hyji Atë na ka treguar ç’është dashuria e vërtetë, duke na dërguar Krishtin, martesa është edhe shenjë e mënyrës së Krishtit për ta dashur Kishën e vet.

Kush sheh dy bashkëshortë të krishterë duhet të ndjejë Zotin në veprim. Kaq e shpeshtë është në Bibël përmendja e dasmës dhe e martesës si vend, ku Hyji zbulon vetveten, saqë mund të themi pa frikë se dasma është karakteristikë e natyrshme e jetës, si asaj hyjnore, ashtu edhe asaj tokësore. Vërtet, nëse reflektojmë pak, vërejmë se ekziston “martesa” e Zotit, në kuptimin e një bashkimi trinitar dashurie dhe jete. Pastaj vjen martesa e Hyjit me njerëzimin, vulosur nga mishërimi i Birit të Zotit për shpëtimin e shpirtrave. Më tej, kemi martesën e burrit me gruan si shenjë e pasqyrim i dy të parave.

Martesa pra, është diçka mjaft impenjative. Pyetjes “Pse martoheni në kishë?”, dy të fejuar duhet t’i përgjigjen, duke pasur parasysh këto reflektime. Pra, ai që martohet në kishë duhet të jetë i vetëdijshëm se dëshiron ta jetojë dashurinë e vet, sipas mënyrës së Zotit (në Trininë Shenjte, secili është aty për tjetrin, tri Vetjet janë një e të pandashme) e sipas qëndrimit të Hyjit ndaj njerëzimit (dashuri konkrete, që mishërohet), si edhe sipas dashurisë së Krishtit për Kishën (dashuri vetëmohuese).

Ja pse, një impenjim i tillë nuk mund të improvizohet e nuk qëndron në këmbë vetëm me vullentin e njeriut. Për ta kuptuar se martesa është sakrament, po përdorim një imazh, atë të pejsazhit. Ndryshimi ndërmjet martesës së kremtuar në kishë e asaj të kremtuar në bashki mund të krahasohet me dallimin ndërmjet një pejsazhi të zhytur në mjegull e të njëjtit pejsazh, të shndritur nga dielli.

Pejsazhi është po ai (dashuria e çiftit është i njëjti realitet), por në mjegull nuk shihen ngjyrat, lulet, nuk ka ngrohtësi, ashtu siç ndodh ndërkaq, me pejsazhin në diell. Natyrisht, kjo analogji ka kufizimet e veta, por është mjaft sugjestive. Krishti është dielli, që vepron përmes sakramentit, i cili gjallëron, shndrit, ngroh dhe e bën pjellore çdo gjë.

Pyetja tjetër, që duhet bërë është: “Martesa e kremtuar në kishë, është gjithnjë e krishterë? Çfarë nuk duhet t’i mungojë për të qenë e tillë?” Të krishterët e parë nuk martoheshin në kishë, por në shtëpi e, megjithatë, ishin mëse të vetëdijshëm se po kryenin një gjest fetar e të shenjtë deri në atë pikë, saqë një shkrimtar anonim i shekullit II, duke i shkruar një farë Dionjeti, i quante të krishterët, ata, që martoheshin “në Zotin”.

Sot, kur martohemi në kishë, a jemi të vetëdijshëm për këtë? A e ndjejmë deri në fund se në mes të kremtimit eukaristik, shohim Jezu Krishtin në bukën e  në verën e shuguruar, në të njëjtën mënyrë si në dashurinë njerëzore, nën të cilën qëndron dashuria e Zotit, që shëlbon? A e dimë se, duke u martuar në kishë, vendosim të impenjohemi për gjithë jetën e jo vetëm për ceremoninë e bukur?

Ashtu si për Eukaristinë përgatisim bukë nga mielli i pastër e verë nga rrushi, edhe për martesën e krishterë nevojitet dashuri e vërtetë, serioze dhe e pastër. Vetëm kështu, Jezu Krishti zë vend në zemrën e çiftit.

Nga www.radiovaticana.va/shqip

Shpërndaje

Comments are closed.

« »