MOS NDAJ ATË QË ZOTI BASHKON: BUKURIA E T’JETUMIT SË BASHKU!

Oct 2 • LEXIMET E SË DIELËS

E diela e XXVII gjatë vitit (B)

Leximi parë (Zan 2,18-24)

Lexim prej Librit të Zanafillës

Zoti Hyj tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm: do t’ia bëjë një ndihmë që t’i përngjajë.” Pasi Zoti Hyj i kishte formuar prej dheut të gjitha kafshët e gjalla të fushës dhe të gjithë shpendët e qiellit, i solli te njeriu, për të parë, sesi do t’i quajë, sepse secila kafshë e gjallë do të mbante atë emër, me të cilin do ta quante njeriu. Njeriu ia ngjiti emrin përkatës secilës bagëti, secilit shpend të qiellit dhe secilës egërsirë të fushës; por për njeriun nuk gjendej një ndihmës që i përngjante atij.  Prandaj Zoti Hyj i lëshoi njeriut një gjumë të rëndë. Pasi e zuri gjumi, ia nxori një brinjë dhe vendin e saj e mbushi me mish. Zoti Hyj e përftoi gruan prej brinjës që ia kishte nxjerrë njeriut dhe e solli te njeriu. Atëherë njeriu klithi: “Kjo është tash ashti i eshtrave të mi dhe mishi i mishit tim! Le të quhet Grua, sepse kjo u mor nga njeriu.” Për këtë arsye njeriu do ta lërë të atin dhe t’ëmën e vet dhe do të jetojë bashkë me gruan e vet e do të bëhen një trup i vetëm.

Fjala Zotit

 

Psalmi 128

Ref. Na bekoftë Zoti, burimi i jetës

—————————————————-

Lum njeriu që e druan Zotin,

që ecën udhëve të tija!

Do të ushqehesh prej

punës së duarve të tua,

i lumi ti, mirë do të kalosh.

—————————————————–

Gruaja jote: vresht plot fruta

në dhomat e shtëpisë sate;

djemtë e tu: pinjoj ulliri

përreth tryezës sate!

——————————————————

Ja, se si bekohet njeriu

që e druan Zotin!

Të bekoftë Zoti prej Sionit.

——————————————————

E pafsh lumturinë e Jerusalemit

në të gjitha ditët e jetës sate,

dhe i pafsh djemtë e djemve të tu!

Paqja qoftë mbi Izraelin!

——————————————————

 

Leximi i dytë (Heb 2,0-11)

Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve

Vëllezër, Atë që qe përulur për pak kohë më poshtë se engjëjt, Jezusin, e shohim të kurorëzuar me lavdi e nder për arsye të vdekjes që pësoi, që kështu, për hir të Hyjit, vdekja e shijuar prej tij të jetë në dobinë e të gjithë njerëzve. Dhe vërtet, i kishte hije Atij, për të cilin dhe prej të cilit është çdo gjë dhe që donte t’i çojë në lumturi shumë bij, ta bënte të përsosur me anë të vuajtjeve Udhëheqësin e shëlbimit të tyre. Sepse si Shenjtëruesi ashtu të shenjtëruarit, janë të gjithë prej Njërit. Prandaj as nuk turpërohet t’i quajë vëllezër.                                  

Fjala e Zotit

 

+ Ungjilli (Mk 10,2-16)

 

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Markut

Në atë kohë, Jezusit u afruan farisenjtë e, për ta sprovuar, e pyetën: “A ka leje burri ta lëshojë gruan?” Ai u përgjigj: “Çka ju urdhëroi Moisiu?” Ata iu përgjigjën: “Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e ndarjes e të lëshohet’”. Jezusi u tha: “Atë rregullore e shkroi për ju Moisiu për arsye të kryeneçësisë suaj. Por në fillim të botës, Hyji i krijoi mashkull e femër. Prandaj njeriu do ta lërë babën e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm. ‘Këndej pra, nuk janë më dy, por një trup i vetëm’. Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë të ndajë!”  Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. Ai u tha: “Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”

Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. Jezusi, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha: “Lini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.” Atëherë i mori fëmijët ngrykë dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

Fjala e Zotit

 

POROSIA

Leximi parë, na tregon se burri dhe gruaja janë një, dhe janë me të drejta të barabarta- njëri dhe tjetri- në mes vete bëhen më të përsosur në bashkëshortësi, në dashuri.

Janë një trup dhe një shpirt i vetëm. I bashkon dhe i shenjtëron dashuria e Hyjit.

Këta, me bashkim, duhet të jenë dëshmitarë të Zotit, pasqyrë e dashurisë së tij, burim jete në shërbim të Tij.

Jezusi, është vëllai ynë. I ngjashëm me ne, përveç mëkatit, edhe atë në Kalvar, në kryq. Dashuria e tij, shndërrohet në flijimin, duke u munduar dhe duke vdekur për ne dhe mëkatet tona. Ai ngjallet që të dëshmojë hyjninë e vet. Ky është thelbi i fesë sonë që na bën të pyesim veten: Sa e duam Zotin dhe mundohemi t’i përmbahemi ligjeve të tija?

Ungjilli i sotshëm që na paraqet shën Marku, na fton në trimëri, duke na zbuluar misterin e krijimit që është e mbjellë thellë në shpirtin e njeriut. Thërret bashkëshortet në dashuri dhe dhurim. Jezusi, e di që ka vështirësi dhe nuk është lehtë, por dashuria duhet të mbizotërojë mbi të gjitha.

Jezusi na thërret për një dashuri të tillë që na e ka mundësuar vet Ai, ta kuptojmë, sepse u flijua, vdiq dhe u ngjall për ne.

Çdo i krishterë që martohet apo është i martuar duhet të kuptoj: Hyji bashkon dy zemra, dy shpirtra, dy trupa. Kurora është dhurim i ndërsjellë, dhuratë e dashurisë së përjetshme, është kontratë që nuk duhet të prishet, është besëlidhje që nënshkruajnë dy duar dhe dora e Zotit, është marrëveshje e vulosur me gjakun e Krishtit. Dhe këtë lidhje, nuk guxon ta ndaj e ta përçaj askush: as ligji as gjyqtari. Sepse kurora është e shenjtë.

Kurora, është një prej shtatë sakramenteve, e sakramentet janë prania e Hyjit në botë, në tokë, prani e Hyjit në mesin e njerëzve.

Sot, ka njerëz që e akuzojnë Kishën pse nuk lëshon pe në ndarje dhe rimartesë? Nuk  lëshon pe, sepse ky është ligji i Zotit, është vullneti i tij, e ky ligj, ky vullnet nuk mund të ndërrohet.

Më mirë është që njerëzit të mendojnë mirë e mirë para se të martohen se çfarë detyra marrin dhe a janë të gatshëm për dashuri dhuruese dhe flijuese, pastaj të hyjnë në jetë bashkëshortore.

Pjesa e fundit e Ungjillit paraqet fëmijët që i binin para Jezusit për t’ i bekuar. Fëmija, ilustron pafajësinë dhe sinqeritetin, prandaj me qëllim Jezusi shpesh herë merr shembull fëmijët që sikurse ata të jemi edhe ne që kemi nevojë për mbështetje prej Hyjit dhe kemi nevojë për ndihmën e tij. Sikurse ata të rritemi e zhvillohemi në jetë dhe të përparojmë.

Tregohet një ngjarje: se si në gjyq, ishin burri dhe gruaja, të cilët kërkonin ndarje. Gjyqi e lejoi ndarjen por ata e kishin një fëmijë. Tani, gjykatësi tha: duhet të shohim si të bëjmë me birin tuaj kujt do t’ i takojë! Do e pyesim fëmijën, me cilin dëshiron të shkoj me mamin apo me babin? Fëmija shikonte herë babin e herë mamin, i përqaf të dytë dhe i emocionuar për një gjest të tillë të fëmijës, ky çift e anulojë vendimin për ndarje, i bashkoi fëmija me përqafim, pa qenë i vetëdijshëm që do të ndikojë të jetojnë edhe në të ardhmen njëri me tjetrin.

Po. Kështu duhet kuptuar bashkëshortet që, fëmija është dhe duhet të mbetet lidhje edhe më e fuqishme e një bashkësie familjare.

E pyesim sa ka sot prindër që nuk qajnë kokën për fëmijë?

Mendojnë se kryejnë obligimin me para që paguajnë për ndihmesë në rritje…jo fëmija ka nevojë për prindër, për dashuri, për jetë në praninë e të dy prindërve. Prandaj, duhet patur kujdes për ta dhe për një bashkëshortësi çfarë dëshiron Zoti, Hyj.

Urojmë dhe lutemi që bashkëshortet tanë të qëndrojnë besnik dhe në dashuri e ndihmesë ndaj njëri- tjetrit.

Kjo mund të ndodhë, kur ka sinqeritet, kur ka bashkëbisedim, kur ka jetë me Zotin dhe lidhje me sakramentin e rrëfimit dhe Kungimit që na ndihmojnë të shërojmë plagët tona, dobësitë tona dhe jetën që nganjëherë na përplas andej e këndej por nuk na rrëzon sepse dora e Zotit na udhëheq dhe na mban.

Prandaj, ne duhet të ngrehim kokën lart që mos të jemi viktimë e mëkatit. Nga lart, na vjen ndihma, nga Zoti, i cili na sheh dhe na njeh.

Asgjë nuk mund të arrihet pa lutje, pa meditim pa adhurim ndaj Zotit.

Me të drejtë thoshte Gandhi i madh: “Lutja është çelësi i mëngjesit dhe shuli i mbrëmjes.”

Lutu dhe beso dhe në lutje do të gjejmë fuqinë që t’u bëj ballë të gjitha ngashënjimeve të djallit që tenton të ndaj e përçaj e në veçanti bashkëshortet që janë të bashkuar sipas urdhrit të Hyjit me shumë përgjegjësi, me shumë dashuri, me shumë flijime dhe sakrifica por që Zoti shpërblen.

 

LUTJET E BESIMTARËVE

Vëllezër dhe motra, Jezusi bashkësinë martesore e bëri shenjë të dashurisë së vet që ka ndaj Kishës. Ta lusim Atin qiellor që në familje tona të mbretëroj dashuria dhe paqja.

Të themi së bashku:

 Na dhuro dashurinë tënde, o Zot!

– Që bashkëshortët e krishterë, të mund të jetojnë në gëzim martesorë, me fryte mirësie, mirëkuptimi dhe të ndihmesës së ndërsjellë, të lutemi:

– Që prindërit, fëmijët dhe anëtarët tjerë, të përjetojnë familjen si një Kishë e vogël, të lutemi:

– Që të gjithë anëtarët e Kishës, si familje e madhe e Atit qiellor, të pranojnë Jezusin si Shëlbues dhe Shpëtimtar, të lutemi:

– Që ne, të bashkuar në emrin tënd, të jemi bashkësi e gjallë në dashuri sikurse na ke mësuar Jezusi, të lutemi

– Që djemtë dhe vajzat e krishtera, të cilët përgatiten për martesë, të fillojnë jetën e vet të përbashkët duke u mbështetur në Krishtin, Zot, të lutemi:

O Hyj, Ati ynë, ti e ke themeluar familjen, ndërsa Biri yt e shenjtëroi. Përkrahi prindërit dhe bashkëshortet, na ndihmo të gjithëve të jetojmë në dashuri flijuese dhe dhuruese që të pëlqejmë Ty. Nëpër Krishtin, Zotin tonë. Amen.

 

Përgatiti: Don Marjan Demaj

Shpërndaje

Comments are closed.

« »