TË KESH APO/DHE TË JESH

Oct 3 • Meditimi i ditës

3 tetor 2015 – e shtunë, MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

O Zot, ti je këtu dhe gjithmonë më pret.

Mos qofsha kurrë aq tepër i preokupuar në punë sa të mos mundja të gjeja kohë dhe të jem me ty.

 

Liria

 

I kërkoj Hyjit të të gjitha mirësive
Dhe Atit të të gjithë përdëllimeve,
Ta dërgojë Shpirtin Shenjt.
Që të më lirojë t`i shoh të gjitha të mirat që më janë dhënë e që më rrethojnë.
Për të më çuar në liri Hyji dëshiron që unë të gëzohem.

 

Vetëdija

 

Më ndihmo, o Zot, që të bëhem edhe më i/e vetëdijshëm/e për praninë tënde.

Më mëso se si të të dalloj në të tjerët.

Ma mbush zemrën me falënderim për të gjitha ato momente

kur nëpërmjet njerëzve të tjerë e ke treguar përkujdesjen ndaj meje.

 

Fjala

 

Do t`i jap vetes kohë që ta lexoj Fjalën e Hyjit ngadalë, disa herë,

dhe do të ndalem në atë çfarë më prek, çfarë më flet pikërisht mua.

 

 Lk 10,17-24

 

17 Të shtatëdhjetë [e dy] nxënësit u kthyen me gëzim e thanë:

“Zotëri, deri edhe djajtë na nënshtrohen në Emrin tënd!”

18 Jezusi u tha:

“Shikoja kah binte Satani porsi rrufeja prej qiellit! 19 Ja, ju dhashë pushtet të shkelni përmbi gjarpërinj e përmbi akrepë dhe mbi çdo fuqi armike dhe asgjë s’do të mund t’ju bëjë keq. 20 Por mos u gëzoni pse ju nënshtrohen shpirtrat, por gëzohuni pse emrat tuaj janë të shkruar në qiell!”

21 Atëherë Jezusi, nën ndikimin e Shpirtit Shenjt, klithi plot hare:

“Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!

Po, o Atë, pse ty të pëlqeu kështu!

22 Gjithçka më dorëzoi im Atë!

Askush nuk e di kush është Biri, përveç Atit,

dhe kush është Ati, përveç Birit

dhe atij, kujt Biri do t’ia zbulojë.”

23 Pastaj u kthye kah nxënësit dhe u tha atyre veçanërisht:

“Lum sytë që shohin çka po shihni ju!

24 Juve po ju them: shumë profetë e mbretër dëshiruan të shohin çka po shihni ju, por nuk panë; të dëgjojnë çka po dëgjoni ju, por nuk patën fat të dëgjojnë.”

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?

 

Disa mendime mbi pjesën e leximit të sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

 –  Jezusi na kujton se nëse e vlerësojmë veten vetëm në bazë të sukseseve tona mund ta humbasim atë që është thelbësore. Hyji na vlerëson shumë më thellë, thjesht për shkak të asaj se kush jemi. Kënaqësia e brendshme që vjen nga njohja dhe dashuria e Hyjit na bën me të vërtetë të bekuar.

– Gjatë kohës që flas me Zotin mund t`i kërkoj të rritem në miqësi me të. Ia shpalos dëshirën që kam: dëshiroj ta ndjek besnikërisht.

 

Bashkëbisedimi

 

Zot, ti më njeh më mirë se unë e njoh veten time.
Shpirti yt e përshkon çdo moment të jetës sime.
Faleminderit për hirin dhe dashurinë që e ndikon mbi mua.
Faleminderit për ftesën tënde të vazhdueshme, të butë për të lejuar të hysh në jetën time.
Më fal për momentet kur e kam refuzuar atë ftesë, dhe e kam mbyllur veten para teje.
Më ndihmo që gjatë ditës të vij, ta njoh praninë tënde në jetën time, të ta çel zemrën, që të lejoj të veprosh në mua, për lavdinë tënde më të madhe.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, për çdo nxitje që ma ke dhuruar gjatë kësaj kohe sa luta mbi tekstin e Shkrimit Shenjt.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash
e përgjithmonë e jetës. Amen.

 

Shpërndaje

Comments are closed.

« »