MARTESA – IDEAL I (PA)ARRITSHËM

Oct 4 • Meditimi i ditës

4 tetor 2015 – E diela 27-të gjatë vitit (B) – MOMENTI I SHENJTË – Lutja e përditshme

 

Prania e Hyjit

 

“Ndaluni e shihni se unë jam Hyji.” (Ps 46,11)
Qetësohu dhe njihe Zotin.

O Zot, fjalët e tua na çojnë në
qetësinë dhe madhështinë e Pranisë sate.

 

Liria

 

Lus për hirin e shenjtë
që t`i harroj brengat e mia,
që të jem i/e hapur se çka kërkon Hyji prej meje,
që t`i lëshohem udhëheqjes së Krijuesit që më do.

 

Vetëdija

 

E pyes veten, ç`po ndiej sot në veten time?
A jam ndoshta i/e lodhur, nën stres apo jashtë forme?

Nëse diçka prej kësaj ekziston në mua,
a mund të provoj t`i hedh tej këto brenga që po më shqetësojnë?

 

Fjala

 

Tani e lexoj pjesën e leximit të Shkrimit Shenjt që është parashikuar për sot.

Lexoj ngadalë
dhe vërej fjalinë, shprehjen ose ngjarjen që më flet diçka.

 

Mk 10, 2-16

 

2 Atëherë (iu afruan farisenjtë) e, për ta sprovuar, e pyetën:

“A ka leje burri ta lëshojë gruan?”

3 Ai u përgjigj:

“Çka ju urdhëroi Moisiu?”

4 Ata i përgjigjën:

“Moisiu lejoi ‘të shkruhet letra e divorcit e të lëshohet. ’“

5 Jezusi u tha:

“Atë rregullore Moisiu e shkroi për ju për arsye të kryeneçësisë suaj. 6 Por në fillim të botës, Hyji ‘i krijoi mashkull e femër. 7 Prandaj njeriu do ta lërë babain e vet e nënën e vet e do të bashkohet me gruan e vet, 8 e kështu të dy do të jenë një trup i vetëm.’ Këndej pra, nuk janë më dy, ‑ por një trup i vetëm. 9 Prandaj, çka bashkoi Hyji, njeriu të mos guxojë ta ndajë!”

10 Në shtëpi nxënësit e pyetën përsëri për të njëjtën gjë. 11 Ai u tha:

“Kush e lëshon gruan e vet e merr një tjetër, bën kurorëthyerje kundër së parës. 12 Po qe se edhe gruaja e lëshon burrin e vet e martohet me një tjetër, bën kurorëthyerje.”

13Ia sillnin fëmijët që të vinte dorën mbi ta, por nxënësit ua ndalonin. 14 Jezusit, kur i pa, i erdhi keq dhe u tha:

“Lërini fëmijët të vijnë tek unë e mos i ndaloni; sepse atyre u përket Mbretëria e Hyjit! 15 Përnjëmend po ju them: kush nuk e pranon Mbretërinë e Hyjit porsi fëmija i vogël, nuk do të hyjë në të.”

16 Atëherë i përqafoi fëmijët dhe i bekoi duke vënë duart mbi ta.

 

Ç`dëshiron të më thuash, Zotëri?



Disa mendime mbi pasazhin e sotshëm të Shkrimit Shenjt:

 

– Uniteti dhe dashuria e një martese të lumtur është dhuratë e Hyjit. Për fat të keq, për arsye të ndryshme, shumë të martuar nuk ishin në gjendje ta jetojnë në plotësi këtë dhuratë.

– Plani fillestar i Hyjit për martesë është që burri dhe gruaja të bëhen”njëtrup i vetëm.” Ky mësim fton që çdo njëri të jetojë thirrjen e vetme gjithë zemër, sa më shumë të jetë e mundur, sepse për shkak të dobësisë njerëzore ideali kurrë nuk mund të realizohet plotësisht.

– Sot lutem për të gjithë çiftet e martuara. Mirësia e Krishtit i prektë të gjithë ata që janë duke kaluar nëpër një periudhë të vështirë të martesës apo që e kanë përjetuar tashmë.

 

Bashkëbisedimi

 

O Zot, emrin tim e ke shkruar në pëllëmbët e duarve të tua.
Madje edhe nëse më harrojnë të tjerët, ti këtë nuk do ta bësh kurrë.

 

Përfundimi

 

Të falënderoj, o Zot, që i kalova këto pak momente me ty.

 

Lavdi Atit e Birit e Shpirtit Shenjt.
Si ka qenë në fillim, ashtu tash e
përgjithmonë e jetës. Amen.

Shpërndaje

Comments are closed.

« »